Ballina Diaspora “NËNË TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE” MBOLDHI NË VATËR STUDIUES, AMBASADOR, KLERIKË, GAZETARË,...

“NËNË TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE” MBOLDHI NË VATËR STUDIUES, AMBASADOR, KLERIKË, GAZETARË, ISH DEPUTETE, BASHKATDHETARË NGA TROJET ETNIKE

– Studiuesit: Dr. Pashko Camaj, Dr. Paulin Marku, ambasador Mal Berisha, Dr. Tahir Kukaj, autorja e librit PhD Ines Angeli Murzaku, presidenti i Nderit i Vatrës Agim Rexhaj, anëtari i kryesisë së Vatrës Marjan Cubi, Profesori i Muzikës nga Gjilani Izet Kallaba, editori i Diellit Dalip Greca, moderatori Sokol Paja, diskutuan rreth librit dhe përcollën mesazhe krenarie për Shenjtëreshën Nënë Tereza, si Shenjte me gjak shqiptar.

Nga Sokol PAJA – DIELLI

Të Martën më 22 Qershor 2021, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” u promovua libri “Nënë Tereza, Shenjtorja e Periferive” e PhD Ines Angeli Murzaku. Në promovimin kushtuar shqiptares më të madhe, humanistes me famë botërore Nënë Terezës, Shenjtores së kombit tonë, nderuan me pjesëmarrje aktive Ambasadorë, përfaqësues fetarë, ish deputetë, gazetarë, studiues, albanologë, shkrimtarë, mësues, veprimtarë të shquar të diasporës shqiptare në USA, autoritetet më të larta drejtuese të VATRËS etj. Një atmosferë festive, vëllazërore dhe patriotike, një takim mbresëlënës në përkujtim të jetës dhe veprës së Nënës së Dashurisë së Zotit ndaj njerëzve, na riktheu edhe një herë pas në shërbimin dhe sakrificat e Nënë Terezës ndaj njerëzve të periferisë dhe mbi të gjitha na ngjalli krenarinë se toka jonë e bekuar shqiptare, kombi ynë i vogël i dha botës një Shenjtore të madhe.

Ceremonia e promovimit u hap nga Presidenti i Nderit të VATRËS z.Agim Rexhaj i cili foli rreth rëndësisë së botimit shkencor kushtuar jetës, veprës e misionit të Nënë Terezës mbi tokë. Ai bashkëndau disa eksperienca personale të vizitës së Nënë Terezës në Pejë dhe momente të tjera që kanë të bëjnë me lumturimin dhe shenjtërimin e Nënë Terezës. Nënkryetari i VATRËS Dr. Pashko Camaj në promovim tha se te Nënë Tereza shqiptarët shohin jo vetëm një shenjtore, shohin jo vetëm një dritë udhëzuese shpirtërore, por shohin motrën, nënën, e cila erdhi si njëra nga njerëzit dhe që përfaqëson të gjithë ne njerëzit pa dallime fetare.

“Nënë Tereza përfaqëson më të mirën në të gjithë ne, është një simbol i asaj që ne si popull tregojmë çdo ditë, harmoni jo thjesht e fjalës pa vlerë për ne ‘tolerancë’ që mbase është e zbatueshme për të tjerët, po, por jo për ne shqiptarët. Për ne, ishte dhe do të jetë gjithmonë, harmonia dhe njerëzit e çdo feje, pjesa tjetër e botës mbase mund të mësojnë prej nesh, se harmonia është gjithmonë më e preferuar. Në atë harmoni, ne shohim veprën e Zotit, ne shohim dashurinë e Zotit për njerëzit e vet – përmes veprave dhe fjalëve të Nënës Terezë, në lutjet më të thjeshta, na kujtojnë dritën e ndritshme që vazhdon të udhëheqë botën dhe popullin tonë” deklaroi Dr. Camaj.

Ambasador Mal Berisha theksoi në promovim se Nënë Tereza është një nder emrat më të spikatur e më të dalluar që ne si komb i paraqitemi botës. Ne si popull përqafojmë teorinë e “soft power” që do të thotë pushteti i butë, pushteti i shpirtit ku ne i paraqesim botës vlerat tona si komb i vogël. Sipas Ambasador Berishës, diplomacia në rastin e simboleve të veçanta të Kombit shqiptar si Skënderbeu, Kostandini i Madh, katër Papët me origjinë shqiptare të Vatikanit etj, janë figura të përmasave të jashtëzakonshme që na lartësojnë ne si komb. Z.Berisha theksoi domosdoshmërinë e promovimit jo vetëm në diplomaci politike por në çdo kanal tjetër komunikimi të figurave të famshme shqiptare pasi ato janë identitet dhe krenari kombëtare. Sipas studiuesit Dr. Paulin Marku duke qenë se autorja e librit vjen nga bota akademike dhe materia e saj është histori religjioni, libri vjen i plotë dhe i përtypshëm për çdo njeri, te të cilido formimi dhe i detajuar me ngjarje, fakte e interpretime të plota, shtjelluara më së miri tematikat e rëndësishme të jetës së humanistes shqiptare me famë botërore që prej fëmijërisë së saj, misioni religjioz në Indi dhe në shumë vende të ndryshme të botës.

“Titulli i librit që unë dua ta them në shqip se më tingullon më bukur dhe e ndiej më afër Nënë Terezen, “Shenjtorja e periferive”, pikërisht këtu ka një filozofi të thellë, pra se si një njeri nga periferitë e botës, një shqiptare për nga origjina e saj arrin të pushtojë botën, jo me luftë, as me shpatë por vetëm me dashuri, urtësi dhe përkushtim ndaj njerëzve në nevojë. Ajo gjatë gjithë jetës asnjëherë nuk hoqi dorë nga veprimtaria e saj e gjërë. Këtu citoj thënien e Nënë Terezës: “Jeta është vetëm një dhe unë dua ta shpenzoj duke mbjellur dashuri deri në ditën e fundit të jetës time që do të marr frymë, kur ne të vdesim do të marrim me vete vetëm valixhen e bamirësisë dhe unë do të kërkoj ta mbush sa të kem mundësi” përfundoi kumtesën e tij studiuesi Dr. Paulin Marku.

Profesoresha PhD Ines Murzaku shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe u ndje e vlerësuar nga pjesëmarrja masive dhe interesi për botimin e saj rreth Shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Profesoresha Murzaku u ndal specifikisht te shkrimet që gazeta prestigjioze “New York Times” kishte sulmuar Nënë Terezën duke e quajtur urdhërin e saj fetar si kult. Gazeta “New York Times” kujtoi Profesoresha Ines Murzaku së fundmi botoi një pjesë të opinionit me titull: “A ishte Nënë Tereza një udhëheqëse kulti?” Ai i cilësoi Misionarët e Bamirësisë ( MC ) si kult dhe Shën Nënë Tereza si më shumë një udhëheqëse kulti sesa një shenjtore e Kishës Katolike. Artikulli përmban intervista nga motrat që kanë lënë Misionarët e Bamirësisë dhe tregojnë, ose më mirë, “riciklojnë” historitë e tyre (shumë nga këto histori janë botuar më parë). Rimarketingu i këtyre akuzave të vjetra, të rrëzuara, sipas Profesoreshës Ines Murzaku i jep audiencës një mënyrë të re për t’u mashtruar nga informacioni i vjetër dhe “kultura e anulimit” kërcënon të shkatërrojë reputacionin e një prej grave më të dashura të shekullit XX.

Sulmi ndaj Nënë Terezës si udhëheqëse e kultit ngre sipas Profesoreshës Ines Murzaku një pyetje themelore: Si mund të përkufizohen kultet? Ish – anëtarja e MC Mary Johnson pranon në intervistën për podcast se “dikush nuk e di gjithmonë se ku të vendosë kufirin midis fesë dhe kultit”, megjithëse ajo vazhdimisht vë vijën në anën e kultit, kur përshkruan Misionarët e Bamirësisë. Studiuesit nuk pajtohen në përcaktimin e kultit dhe praktikat e rrjedhura të kultit. Disa studiues të shkencave shoqërore sipas profesorësh Murzaku sugjerojnë që të shmanget përdorimi i fjalës në të gjithë literaturën akademike dhe të gjejnë përdorimin mediatik të termit shumë problematik cilësoi Profesoresha Murzaku.

Në fund të paraqitjes porositi Prof. Ines Murzaku njësoj si Nënë Tereza: “Bëj gjëra të vogla me shumë dashuri. Fillo nga familja, duaje familjen, pastaj tek komshiu, duaje komshiun. Këtë do të bënte Nënë Tereza. Ajo nuk donte të përzihej me ideologji, nuk donte të përzihej me politikë. Kjo Nënë që edhe nga trupi ishte e vogël, arriti gjëra shumë të mëdha me këtë metodologji. Dhe nga e mësoi këtë? Nga periferia. Ballkani dhe ne si shqiptarë kemi shumë për të ofruar. Ajo i kishte mësuar të gjitha në laboratorin e Ballkanit. Ishte ndeshur me fe të ndryshme, kishte shumë shokë myslimanë, ortodoksë, njerëz të etnive të ndryshme” përfundoi paraqitjen e saj për pjesëmarrësit Prof. Ines Murzaku. Imam Dr. Tahir Kukaj, Këshilltar për Çështjet Fetare i Kryetarit të Bashkisë së New Yorkut Bill DeBlasio, NYPD Chaplain dhe Zv. President i Qëndrës Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island New York deklaroi në promovim se Nënë Tereza nuk u bë e famshme se ishte shqiptare por u bë Shenjtore për atë që ajo i dha njerëzimit.

Çdo shqiptar krenohet dhe nderohet për punën e Nënë Terezës. Imam Kukaj u ndal te zgjimi kombëtar i shqiptarëve, rritja e ndërgjegjes fetare dhe atdhetare ku përmendi “Lahutën e Malësisë” si një kryevepër të shqiptarisë dhe At Gjergj Fishtën si atin e saj. Komunistët nuk i lanë shqiptarët në trojet e tyre të njihen me Nënë Terezën, misionin dhe veprimtarinë e saj. Sipas z.Kukaj, Zoti i madh, personave të mëdhenj si Nënë Tereza u jep shpirt, energji, besim dhe forcë të posaçme që ti shërbejnë njeriut. Imam Kukaj u bëri thirrje intelektualëve shqiptarë që të promovojnë Nënë Terezën, Lahutën e Malësisë, persekutimin e klerikëve në komunizëm, qëndresën e klerit me dinjitet e vetmohim, pasi ata ishin njerëz të mëdhenj, shqiptarë patriot të pavdekshëm.

“Është krenari e veçantë ti tregojmë botës me veprat tona, me besimin tonë, me punën tonë se kush është Nënë Tereza. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza na tregon se çfarë është sakrifica e humanizmi deri në vetmohim. Nëse Nënë Tereza do ishte gjallë nuk do kishte kaq shumë varfëri në trojet e shqiptarëve. Nënë Tëreza u qëndroi parimeve të shenjta të Zotit. Kjo shenjtore është shembulli ynë më i mirë në botë. Nënë Tereza është shembulli ideal sesi u qëndrohet besnik parimeve të pa ndryshueshme” përfundoi fjalimin e tij Imam Tahir Kukaj. Kandidati për Këshillin Bashkiak të New Yorkut Avokat Aleksander Mici gjatë fjalës në promovimin e librit deklaroi se shqiptarët i dhanë botës një Shenjtore të veçantë, shembull të dashurisë, sakrificës dhe shërbimit ndaj njerëzve. Sipas z.Mici Nënë Tereza u dha dinjitet e shërbim njerëzve pa dallim, deri në vetmohim.

Avokat Mici ftoi shqiptarët që të angazhohen më shumë politikisht dhe të jenë vetë përcaktues për fatet e tyre në vendimmarrjen politike të qytetit duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre shqiptarë në këto zgjedhje. Editori i Diellit z.Dalip Greca u ndal te kontributi i shkodranes së ndjerë, humanistes së madhe Lume Juka si motër e devoshme e Nënë Terezës dhe organizimit të Paradës së Shqiptaro dheArberesheve në Avenunë e 6-të në New York që në vitin 69’ ku prijëse ishte Lume Juka, nje nga motrat e perkushtuara te Nene Terezes. Z.Greca u ndal dhe te rëndësia e këtij botimi rreth figurës së shqiptarës së shquar Nënë Tereza. Arkëtari i VATRËS Marjan Cubi u ndal tek ndihma e madhe që ka dhënë për ndërtimin e shtatoreve të Nënë Terezës në Kosovë dhe te jeta e vepra e Nënë Terezës në shërbim të njerëzimit. Profesori i Muzikës nga Gjilani Izet Kallaba, recitoi një poezi që kishte shkruar për Nënë Terezën dhe i dhuroi Bibliotekës së VATRËS librin e tij të muzikës dhe teksteve të larmishme të këngëve. Studiuesi Prend Qeta u ndal të karakteri shkencor i librit dhe e vlerësoi botimin për Nënë Terezën.

Në thelb, botimi “Nënë Tereza, Shenjtorja e Periferive” është një studim shkencor mbi Nënë Terezën, i bazuar në dokumenta origjinale, letra të shkruara nga dora e Nënë Terezës. Libri është një libër teologjik, përdor metodat teologjike, filozofike e misionare për të kuptuar e interpretuar figurën e Nënë Terezës dhe veprën e saj që e tejkalon bamirësinë. Libri është i bazuar në teologjinë e periferive të Papa Françeskut, një periferi që manifestohet në forma të ndryshme, me dimensione të ndryshme, me aktorë të ndryshëm. Nënë Tereza me zërin e saj i dha zë atyre që nuk kishin zë, i dha sy të verbërve. Për Nënë Terezën Zoti, besa-nderi, mikpritja janë të gjitha cilësi të cilat vijnë natyrshëm për një Shqiptar dhe këto ajo diti me zgjuarsi e vetëmohim t’ja transmetojë gjithë botës. Libri i profesoreshës së Historisë Kishtare dhe themelueses së Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey PhD Ines Murzaku ngjalli shumë interes për të pranishmit e shumtë dhe autorja deklaroi se edhe ajo vetë ishte prekur thellë nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës dhe është në proces të shkrimit të një tjetër libri rreth Shenjtores së madhe shqiptare Nënë Tereza.