Në qytetin e Tetovës sot është paralajmëruar protestë në sheshin “Iliria” për të kërkuar drejtësi në lidhje me rastin tragjik të 8 shtatorit, ku si pasojë e djegies së Spitalit Modular për Kovid në Tetovë humbën jetën 14 persona. Protesta fillon në ora 13:30, nga sheshi i qytetit.
“U bej apel të gjithë shqiptarëve që me datë 17.09.21 të grumbullohemi në sheshin e Tetovës për rastin e 14 kufomave se ato janë djegur dhe nuk është vdekje natyrale kështu që duhet të merret përgjegjësi drejtësi sepse ekspertet gjerman i thërrasim ta bëjnë ekspertizën mirë po duhet edhe punën ta bëjmë deri në fund si gjermanët, domethënë, me pas përgjegjësi drejtësi sepse tragjeditë ndodhin në të gjitha shtetet e botës, por ka përgjegjësi”, shkruan Ibin Emshi, i cili i ka humbur babain dhe vëllain në rastin tragjik. Ai gjithashtu i rithekson kërcënimet ndaj tij, ryshfetin në spital dhe pakujdesinë e autoriteteve shëndetësore.
Sipas njoftimit protesta pritet të përfundojë te selia e B D I-së në Reçicë të Vogël, shkruan Tv Shenja.
Nga SPB Tetovë, për Portalb.mk, konfirmojnë se protesta është paraqitur, por tani për tani, nuk tregojnë se kush është personi, apo grupi i personave që e kanë paraqitur të njëjtën në polici.
Portalb.mk, jozyrtarisht mëson se organizator i protestës është Blerim Ahmedi, vëllai i “El Chekës”, i cili gjithashtu ka qenë një prej organizatorëve të protestave të fundit për rastin “Monstra”.
Sot, në ora 13:30 do të protestohet në sheshin “Iliria” dhe marshi protestues do të vazhdojë te Komuna e Tetovës dhe do të përfundojë para selisë së B D I-së në Reçicë të Vogël. Sipas organizatorëve, qëllimi i protestës do të jetë: drejtësi, përgjegjësi dhe dorëheqje e qeverisë, njofton Nistori.