Shqipëria pret nesër Poloninë në një ndeshje shumë të rëndësishme. Ngjan si një finale, ku fitorja do t’u siguronte kuqezinjve vendin e dytë në Grupin I dhe “Play-off”-in, pasi do të shkëputeshin 4 pikë nga rivali direkt. Trajneri Reja ka pohuar në konferencë shtypi se nuk e kishte menduar një ecuri të tillë në fillim.
“Kur u hodh shorti shorti, nuk isha shumë optimist, pasi kundërshtarët janë shumë të fortë. Jemi rritur shumë, kemi punuar shumë gjatë kësaj kohe. Ideja jonë ishte që të imponojmë lojën tonë, duke e nisur mbrojtjen me sulmuesit dhe duke bërë presing. Deri diku ai kemi dale dhe tani jemi në një situatë mjaft interesante. Jemi gati të përballemi me çdo kundërshtar dhe të luajmë shanset tona. Për këtë dua të komplimentoj të gjithë lojtarët. Nuk e mendoja se mund të vinim deri këtu.
Shqipëria në Kupën e Botës? Frika për të mos ia dalë është problem, me të cilin përballemi dhe që na ndalon të ëndërrojmë. Duhet të jemi sa më të qetë, nuk kemi çfarë humbim. Kjo është rruga e vetme për të fituar me Poloninë. Duhet personalitet në ndeshje të tilla, edhe fati është pjesë e rëndësishme dhe në Poloni ne nuk e kishim. Kemi një mënyrë loje që nuk ndryshon, duhet të kemi kontrollin e lojës. Për mua është e rëndësishme të mos rrimë në mbrojtje, por të sulmojmë dhe të kemi kontrollin e lojës”, – tha trajneri Reja.
Për ndeshjen e nesërme ai nuk ka gati Çekiçin e skualifikuar dhe Gjimshitin e dëmtuar. Broja, “heroi” i fitoreve me Hungarinë, sipas Rejës, mund të jetë titullar: “Nuk e kam vendosur ende formacionin, mund të luajë nga minuta e parë Broja, nuk është çudi. E kam aktivizuar edhe nga minuta e parë ndaj Kazakistanit apo në San Marino, por nuk ka pasur të njëjtin rendiment si kur vjen nga stoli. Kam shfrytëzuar faktin që në minutat e fundit kundërshtarët janë të lodhur dhe ai me karakteristikat që ka mund t’i vërë në vështirësi dhe të shënojë.
Synimi Euro 2024? U kemi dhënë një ëndërr shqiptarëve, është shumë e bukur dhe duhet të besojmë. Nuk është asgjë rastësore, e kemi merituar këtë arritje dhe do të luajmë deri në fund për ta bërë realitet. Kemi një grup të mirë, ku të gjithë japin kontributin e tyre dhe na zgjidhin situatat herë pas here. Jam i sigurt që do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Kemi luajtur shumë mirë ndaj disa skuadrave të mëdha, por nesër ka një rëndësi shumë të madhe, pasi mund të shkojmë në “play-off dhe do të provojmë gjithçka për gjithçka”, – përfundoi trajneri Reja.