Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, të premten në mesnatë mbyllin fushatën elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, më 17 tetor, raporton REL. Fushata elektorale ishte e qetë dhe pa incid*entet ndërsa partitë politike para qytetarëve kanë prezantuar programet e tyre, që kryesisht kishin të bënin me ofertat për përmirësimin e gjendjes nëpër komunat ku ata jetojnë.
Pritjet e partive janë të ndryshme, derisa partitë në pushtet besojnë në fitoren e tyre, partitë opozitare konsiderojnë se pas 17 tetorit, vendi do të ketë qeveri të re apo zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Ekzistojnë dy skenarë të mundshme që në fund kanë qëllimin e njëjtë. Skenari i parë ka të bëjë me formimin e shumicës së re parlamentare dhe më pas zgjedhje të reja, apo skenari i dytë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski.
Edhe Ziadin Sela, që drejton koalicionin e opozitës shqiptare mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, beson se pas zgjedhjeve do të ketë ndryshim në qeverisjen e vendit.
“LSDM-ja (Lidhja Social Demokrate) dhe B D I-ja (Bashkimi Demokratik për Integrim), do të humbin zgjedhjet dhe me këtë e humbin çdo kredibilitet moral për të vazhduar dhe për të qeverisur me popullin. Atyre do t’u merret pushteti ditën e zgjedhjeve lokale dhe pritjet e opozitës janë që të ketë qeveri të re apo shumicë të re parlamentare”, ka deklaruar Sela.
Partitë në pushtet, ndërkohë janë të bindura në fitoret e tyre në zgjedhje. BDI-ja madje ka paralajmëruar se synimi i saj i radhës është që presidenti i shtetit të jetë shqiptar.
“Ministër të Mbrojtjen, po, ministër të Punëve të Brendshme, po, kryetar të kuvendit, po; ministër te Jashtëm, po, zëvendëskryeministër të parë, po. Barrikada e radhës është kryetari i shtetit”, ka deklaruar kryetari i B D I-ë, Ali Ahmeti në një tubim në Shkup.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në një nga tubimet partiake, ka thënë se fitorja e partisë së tij, LSDM-së, do të jetë bindëse.
“Vlerësimet tona për 17 tetorin janë se do të fitojmë pothuajse në të gjitha komunat. Do të fitojmë Shkupin dhe qytetet tjera kryesore në vend. Fitorja jonë do të bindëse dhe me këtë do të konfirmojmë qeverisjen tonë në nivel qendror”, ka deklaruar Zaev.
Në zgjedhjet e së dielës, qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 80 komuna dhe Shkupin me dhjetë komuna si njësi e veçantë e pushtetit lokal.
VIDEO bonus:
https://youtu.be/U4SbNSjwHvs