Seanca për votimin e besimit të Qeverisë së Maqedonisë është caktuar për të enjten në ora 11:00, pasi 61 deputetë e nënshkruan këtë iniciativë.
Mediat në gjuhën maqedonase, e kanë publikuar dokumentin zyrtar, në të cilin janë nënshkruar 61 deputetët, të partive: VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët, Alternativa, Lëvizja Besa dhe “E Majta”.
Në dokument shihet se iniciativa është për ngritjen e çështjes së besimit të Qeverisë, ndërsa si arsye përmenden dështimet e saj, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“5 vitet e fundit janë dëshmi se kjo qeveri qeveris me konflikte dhe na largon nga Bashkimi Evropian, vetëm me një qëllim, dhe ai është mbrojtja e krimit dhe mbrojtja e karrierave dhe privilegjeve politike që i gëzojnë në mënyrë të pamëshirshme funksionarët në pushtet”, thuhet në arsyetimin e iniciativës për votëbesimin e Qeverisë.
Ndryshe, deputeti i Alternativës Skender Rexhepi, ka thënë se edhe pse është nënshkruar, në Kuvend nuk do ta përkrah këtë iniciativë, për shkak se siç thotë, “nuk dëshiron të jenë në një anë me deputetët e ‘Të Majtës’”.
Ndërsa nga ana tjetër, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe partive tjera të shumicës së re, thonë se interpelanca ndaj Qeverisë do të përkrahet edhe nga disa deputetë të LSDM-së dhe BDI-së./Telegrafi/