Associated Press
Kadriye Dogru, një pronare e një tende në treg, këto ditë po e ha drekën me simite bajate sipër të mbuluara me susam.
E veja, që është nënë e dy fëmijëve, thotë se mbetet pa drekë që të mund t’i shtrojë ushqim në tavolinë familjes së saj, më vonë atë ditë.
Paratë që 59-vjeçarja fiton duke shitur pantallona dhe rroba të tjera në tregun “Ortakcilar” në Stamboll, nuk po i mjaftojnë më dhe po ka vështirësi të blejë ushqim, e lëre më gjëra të tjera.
“Kurrë nuk kam përjetuar një jetë kaq të mjerueshme. Flej, zgjohem dhe çmimet janë ngritur. E bleva një kanaçe pesëlitërshe me vaj gatimi, ishte 40 lira. U ktheva, ishte 80 lira. Nuk e meritojmë këtë si shtet”, thotë ajo.
Shumë njerëz në Turqi po ballafaqohen me vështirësi pasi çmimet e ushqimit dhe mallrave të tjera janë ngritur.
Derisa çmimet e larta për konsumatorë po i prekin shtetet në gjithë botën duke dalë nga pandemia e koronavirusit, ekonomistët thonë se inflacioni i madh në Turqi është përkeqësuar nga keqmenaxhimi i ekonomisë, shqetësimet për rezervat e shtetit dhe shtysa e presidentit Rexhep Taip Erdogan për t’i zvogëluar normat e interesit.
Ai pretendon se kostoja më e ulët për huazim do të nxisë rritje ekonomike, edhe pse ekonomistët thonë se e kundërta e kësaj është e vetmja mënyrë për t’i ulur çmimet që janë ngritur shumë.
Monedha turke, lira, ka prekur rekorde të vlerës së ulët në krahasim me dollarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi Banka Qendrore e Turqisë ka zvogëluar normat e interesit duke nxitur shqetësime për pavarësinë e bankës.
Të zënë në mes të kësaj janë turqit e zakonshëm që po mundohen t’ia dalin.
“Gjithçka është shumë e shtrenjtë, nuk mund të blej asgjë”, tha Suheyla Poyraz, derisa po shikonte tendat me ushqim në pazarin “Ortakcilar”.
Amvisja 57-vjeçare kishte votuar për partinë e Erdoganit dhe i ka bërë thirrje qeverisë që ta ndalë inflacionin.
“Nëse ju jeni qeveria dhe ne po votojmë për ju që t’i bëni gjërat në rregull, pse nuk po intervenoni? Pse nuk po i ndalni çmimet që po ngriten?”, tha Poyraz.
Inflacioni i lartë është duke e lënduar popullaritetin e Erdoganit, vitet e para në pushtet të të cilit u shënuan me një ekonomi të fortë.
Anketat e opinionit thonë se një aleancë e partive opozitare që kanë formuar një bllok kundër partisë në fuqi të Erdoganit dhe aleatëve të tij nacionalistë, po e ngushtojnë hendekun.
Qeveria e Turqisë thotë se inflacioni u ngrit afër 20 për qind në tetor krahasuar me një vit më parë, por Grupi i Pavarur i Studimit të Inflacionit që përbëhet nga akademikët dhe ish-zyrtarë shtetërorë, e ka vënë atë afër 50 për qind.
Si krahasim, çmimet e SHBA-së u ngritën rreth 6 për qind nga viti i kaluar – më së shumti që nga viti 1990 – ndërsa inflacioni në 19 shtete të Bashkimit Evropian që përdorin euron, e kaloi 4 përqindëshin, më së shumti në 13 vjetët e fundit.
Valuta e Turqisë, si rezultat, ra në vlerën më të ulët kundër dollarit amerikan javën e kaluar dhe ka humbur afër 25 për qind të vlerës së saj që nga fillimi i vitit.
Kjo po i rrit çmimet dhe kjo e bën importin, gazin dhe mallrat e përditshme më të shtrenjta.
Derisa disa argumentojnë se një lirë më e dobët i bën eksportuesit turq më garues në ekonominë globale, shumica e industrisë së Turqisë varet nga importimi i lëndës së parë.
Ka shqetësime për ndikimin e Erdoganit në politikat monetare. Ai ka emëruar katër guvernatorë të Bankës Qendrore që nga viti 2019 dhe ka larguar nga puna bankierë që thonë se kanë rezistuar ndaj uljes së normës së interesit.
Banka i ka ulur normat për 3 për qind që nga shtatori dhe do të publikojë vendimin e fundit të enjten.
Pavarësisht kësaj, bankat qendrore në vendet e tjera të goditura nga pandemia i kanë ngritur normat e interesit ose kanë menduar ta bëjnë këtë në muajt në vazhdim derisa bllokadat në porte detare dhe fabrika, ulja e fuqisë punëtore dhe ngritja e çmimit të energjisë i kanë ngritur çmimet e tjera.
Investitorë të huaj i kanë hedhur asetet turke dhe turqit po i kthejnë kursimet e tyre në monedha të huaja dhe në ari.
“Ka pasur një shitje masive në tregje financiare vetëm për shkak të intervenimit në pavarësinë e Bankës Qendrore”, thotë Ozlem Derici Sengul, një ekonomiste dhe bashkëthemeluese e
“Spinn Consulting”, me bazë në Stamboll.
“Ka shumë faktorë që e lëvizin inflacionin dhe çmimet në tregjet financiare…(por) faktori dominues është rregullatori i Bankës Qendrore”, thekson ajo.
Ajo parasheh që më shumë se gjysma e popullsisë “kanë vështirësi në të ardhura”.
Në anën tjetër, Erdogani insiston se ekonomia është e fortë dhe se shteti po del nga pandemia në një formë më të mirë se të tjerët.
“Raftet në Evropë janë të zbrazëta, ato janë të zbrazëta në Shtetet e Bashkuara. Faleminderit Zotit, po vazhdojmë të kemi bollëk”, tha ai.
Qeveria e Erdoganit ka fajësuar çmimet e tepruara të ushqimit në rrjetet e supermarketeve dhe ka urdhëruar një hetim që ka rezultuar në gjoba. Ai, po ashtu, ka urdhëruar koperativat bujqësore që të hapin mijëra shitore nëpër vend në tentimin për t’i mbajtur çmimet e ulëta.
Më herët, ai kishte akuzuar për terrorizëm një grup të studentëve që po flinin nëpër parqe duke protestuar për çmimet e qirasë.
Ndërkohë, çmimet e qirasë janë ngritur shumë dhe çmimet për blerjen e shtëpive të lidhura kryesisht me dollarin, po rriten.
Në një tentim për të ndalur vuajtjen, ministri i Punës dhe Sigurisë Sociale, Vedat Bilgin, tha këtë muaj se qeveria po punon për ta rregulluar pagën minimale për t’i mbrojtur punëtorët nga ngritja e çmimeve.
“Ne po punojmë për të lëvizur çështjen e pagës minimale nga agjenda. Që tani mund të them se do të ofroj një çlirim”, tha ai.
Ekonomistët thonë se nuk është e mjaftueshme.
“Inflacioni dhe të ardhurat e vogla, si dhe të ardhurat që nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë do të kenë efekte anësore edhe në vitin 2022 dhe 2023 nëse qeveria insiston që të mbajë normat e vogla të interesit, të ketë politikë monetare të lirshme dhe të bëjë përgatitje zgjedhore”, thotë Sengul.
Musa Timur, që ka në pronësi një dyqan të ushqimeve në Stamboll thotë se ngritja e çmimeve ia vështirëson atij t’i zëvendësojë produktet.
“Asnjë produkt që e shesim- nuk mund ta marrim me çmimin e njëjtë”, thotë ai.
Ai thotë se konsumatorët nuk po kanë mundësi të përballojnë çmimin e disa llojeve të ushqimeve dhe më së shumti po blejnë bukë, pasta dhe vezë.