Ballina Aktualitet Taravari: Alternativa të vendos nëse është mirë t’i bashkangjitet anijes së Zaevit...

Taravari: Alternativa të vendos nëse është mirë t’i bashkangjitet anijes së Zaevit e cila fundoset (VIDEO)

Ndoshta kemi pasur gabime në bashkëpunimin, kemi pasur kandidatë të mirë në zgjedhjes, por nuk arritëm, gjithsesi Alternativa vet do të sjell vendim nëse do t’i bashkangjitet Qeverisë në të cilën është BDI, por për liderin e Alternativës, Afrim Gashi si person kam fjalët më të mira, tha sekretari gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, para takimit të sotëm të Gashit me kryeministrin Zoran Zaev në të cilin do të bisedojë për hyrje të Alternativës në Qeveri, transmeton Portalb.mk.

“Nuk dihet çfarë do të ndodhë më tej, ndërsa për Alternativën mund të them se vet partia duhet të sjell vendim si mendojnë se është më mirë për to, por mendoj se anija e Zaevit dalëngadalë fundoset”, deklaroi sekretari gjeneral i ASH-së, Arben Taravari për TV Shenja.

Sipas tij, nëse hyn Alternativa përsëri në atë Qeveri në të cilën është BDI, është e mundur që shpejt të “harxhohet”.

“Vlerësoj se kjo Qeveri nuk do të “lundrojë” më gjatë se pesë-gjashtë muaj. Marrja e pushtetit lokal nga ana e VMRO – DPMNE-së do ta harxhojë shpejtë energjinë e Qeverisë”, tha ai.

Për partnerin e tij të koalicionit Alternativa, Taravari nuk ka fjalë të këqija.

“Afrimi është njëri ndër njerëzit më human që i kam takuar në jetë. Ndoshta kemi pasur gabime ndaj tyre në bashkëpunimin e koalicionit, ndoshta edhe ata kanë pasur gabime, nuk arritëm rezultate të mira si koalicion opozitar shqiptar në zgjedhjet, edhe pse kemi pasur shumë kandidatë të mirë”, tha ai.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë në koalicion nga zgjedhjet parlamentare, ndërsa së bashku në Kuvend numërojnë 12 deputetë, prej të cilëve Alternativa ka 4.

Nëse Alternativa hyn në Qeveri, shumica parlamentare do të rritet në 64, duke pasur parasysh se edhe Kastriot Rexhepi, pasi është përjashtuar nga partia, me siguri do t’i bashkangjitet asaj shumice.