Me ndërrimin e pushtetit në Komunën e Tetovës, u ndërrua edhe drejtori i ndërmarrjes komunale NPK “Tetova”. Drejtori i ri Lulzim Fetai për TV21 foli “pa dorëza” duke akuzuar udhëheqësinë e vjetër. Thotë se ndërmarrja ka borxh prej 9 milionë euro, ndërsa punëtorët ka 3 muaj që nuk kanë marr rroga. Ai e pranon se ndërmarrja është në një gjendje të rëndë financiare.
“Ndërmarrja është në gjendje të rëndë financiare e cila përballet me një borxh realisht diku 9.7 milion euro edhe për tre muaj jemi pas me rrogat. Ndërmarrja tani realisht inkason 14 milion denarë mujore, kurse shpenzimet e ndërmarrjes arrijnë diku 21 milionë denarë që do të thotë përafërsisht 5 deri në 6 milion denarë jemi në humbje”, tha Fetai.
Fetai foli edhe për numrin e të punësuarve. Prej 400 punëtorëve mbi 200 janë me kontratë në vepër. Sipas tij shumica janë të panevojshëm dhe se planifikon zvogëlimin e të punësuarve.
“Kemi plane për shkurtimin e shpenzimeve të pa nevojshme. Zvogëlimin e të punësuarve me kontratë dhe të rrisim të hyrat që kanë borxh qytetarët ndaj ndërmarrjes. Numri i të punësuarave në ndërmarrje është 420 punëtorë, ku 200 e diçka janë me vendime edhe pjesa tjetër është me kontratë në vepër”, shtoi Fetai.
Komuna e Tetovës për momentin mbeturinat i dërgon në deponinë Drislla të Shkupit. Fetai gjithashtu për TV21 zbulon se asnjë faturë nuk është paguar ndaj kësaj ndërmarrje, andaj borxhi ka arritur në rreth 1 milion e 500 mijë euro.
“90 milionë denarë ndërmarrja i ka borxh ndërmarrjes Drislla të Shkupit. Diku përafërsisht 1 milion e pesëqind mijë euro. Me një fjalë këta asnjëherë nuk kanë paguar mbeturinat që kanë hedhur në Drislla edhe për momentin ne jemi të bllokuar”.
Ndonëse 3 muaj pa rroga të punësuarit e kësaj ndërmarrje për çdo ditë po pastrojnë qytetin nga mbeturinat.
Fetai shpreson se me shkurtimi e harxhimeve të pa nevojshme, buxheti do të rritet dhe do të ketë zgjidhje për rrogat e punëtorëve.