Nga Oleksii Reznikov “Atlantic Council”
Emërimi im si Ministër i ri i Mbrojtjes i Ukrainës në fillim të muaji nëntor, përkoi me një valë shqetësimi në rritje në rang ndërkombëtar, lidhur me grumbullimin e fundit të forcave ushtarake ruse përgjatë kufirit ukrainas. Ky përqendrim i trupave dhe armëve, është në përputhje me përgatitjet për një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës në muajt e ardhshëm.
Ndërsa komuniteti ndërkombëtar filloi të ngrejë alarmin mbi aktivitetin kërcënues ushtarak të Rusisë, u duk sikur Ukraina po reagonte në një mënyrë shumë më të qetë se shumë zyrtarë në SHBA-së apo BE. Dhe ky vëzhgim ishte plotësisht i saktë. Reagimi i Ukrainës, nuk tregon ndonjë ndryshim mendimesh mbi natyrën e rrezikut që paraqesin forcat ruse të përqendruara pranë kufirit tonë.
Përkundrazi, ne jemi tërësisht dakord me partnerët tanë perëndimorë. Unë kam pasur mundësinë ta konfirmoj këtë nëpërmjet takimeve personale me kolegët, përfshirë Sekretarin Britanik të Shtetit për Mbrojtjen, Ben Wallace, dhe Sekretarin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin.
Reagimi relativisht i qetë i Ukrainës ndaj kërcënimit të fundit nga Rusia, pasqyron natyrën afatgjatë të konfliktit të vazhdueshëm midis dy vendeve tona. Tashmë janë bërë gati 8 vjet që kur Rusia sulmoi për herë të parë Ukrainën. Që nga ajo kohë, agresioni rus nuk ka të ndalur, dhe është bërë pjesë e jetës tonë të përditshme.
Ne ukrainasit jemi bërë indiferentë ndaj rrjedhës së pamëshirshme të keq-informimeve të Kremlinit, dhe jemi mësuar me përpjekjet e udhëheqjes ruse për t’i mohuar Ukrainës të drejtën për të ekzistuar si shtet. Ndaj që të tronditemi, do të duhej më shumë se sa një tjetër grumbullim ushtarak i Rusisë.
Asnjë njeri në Ukrainë nuk e nënvlerëson seriozitetin e situatës aktuale, por ne kemi qenë të detyruar të jetojmë për shumë vite me mundësinë e një përshkallëzimi të madh. Ukrainasit e dinë se çfarë do të bëjnë, në rast se do të përballen me skenarin më të keq të një pushtimi rus në shkallë të plotë.
Ne do të luftojmë, dhe do ta mbrojmë tokën tonë. Nuk është më viti 2014, kur shumë ukrainas e kishin psikologjikisht problem që ta pranonin realitetin se ishim nën sulmin ushtarak të “vëllait tonë rus”. Sot, ushtria ukrainase është një nga forcat tokësore më të forta në Evropë, me më shumë se 400.000 ushtarë me përvojë.
Ne kemi burimet dhe vendosmërinë e duhur për t’i bërë ballë armikut. Dhe Rusia e di këtë gjë. E vetmja pasiguri reale, është nëse Evropa e vlerëson plotësisht domethënien që ka një pushtim rus në shkallë të plotë i Ukrainës për pjesën tjetër të kontinentit.
Përveç arsenalit të saj bërthamor, Rusia e tejkalon lehtësisht Ukrainën edhe sa i përket aviacionit ushtarak, sistemeve raketore dhe fuqisë detare. Raketat ruse mund t’i shkaktojnë dëme katastrofike shumë qyteteve ukrainase, ndërsa forcat ajrore dhe detare ruse mund të mposhtin trupat ukrainase dhe të pushtojnë territorin tonë.
Por çdo fushatë tokësore në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, është e dënuar të dështojë. Sigurisht, ushtria e fuqishme ruse mund të përparojë me forcë, por trupat ruse nuk do të jenë në gjendje të mbajnë asnjë territor që do pushtojnë. Toka e pushtuar ukrainase, do të digjet nën këmbët e tyre.
Kostoja njerëzore për Ukrainën do të ishte katastrofike. Por edhe Rusia do të pësonte humbje të mëdha. Imazhet e arkivoleve që rikthehen në Rusi nga vijat e frontit në Ukrainë, do të përhapeshin si një virus nëpër mediat sociale, dhe do të tregonin shumë shpejt gjëra që nuk mund të fshihen dot nga censorët në Kremlin.
Ndërkohë, një luftë e madhe në Ukrainë, do ta zhyste në krizë të gjithë Evropën. Shfaqja e papritur e 3-5 milionë refugjatëve ukrainas, që i ikin pushtimit rus, do të ishte vetëm një nga shumë shqetësimet madhore me të cilat përballet shoqëria evropiane.
Për shembull, BE-ja mbështetet shumë tek importet e ushqimit, përfshirë grurin. Një luftë e madhe, do të dëmtonte seriozisht importet nga Ukraina dhe Rusia, duke krijuar një sërë problemesh të sigurisë ushqimore për të gjithë kontinentin.
Po ashtu sulmi rus do të shënonte fundin e rendit ndërkombëtar të bazuar tek rregullat, duke çelur një epokë të re të pasigurisë globale, që do të kërcënonte dekadat e paqes së paprecedentë në pjesën më të madhe të Evropës. Ndërsa e kam theksuar gatishmërinë e Rusisë për ta përshkallëzuar konfliktin, është gjithashtu jetike të theksohet se regjimi i Putinit është shumë pragmatik.
Rusët janë shumë të aftë në vlerësimin e rreziqeve. Ndërsa një përshkallëzim është aktualisht i mundshëm, ai mbetet ende i shmangshëm. Mënyra e vetme realiste për t’u marrë me Kremlinin, është duke treguar gatishmërinë për t’i bërë ballë agresionit rus. Ne duhet që ta bindim Moskën se kostoja e një ofensive të re, do të ishte shumë e lartë, në aspektin ushtarak, dhe në formën e pasojave negative politike, ekonomike dhe sociale.
Dështimi për t’iu përgjigjur me vendosmëri kërcënimeve të fundit të Rusisë, vetëm sa do të rrisë koston e frenimit të Kremlinit. Në qershor të këtij viti, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se do të vëzhgonte nga afër veprimet e Moskës gjatë 6 muajve të ardhshëm.
Që nga ajo kohë, Kremlini ka realizuar de fakto gllabërimin e Bjellorusisë, ka ndërmarrë një sulm hibrid kundër vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së, duke i drejtuar emigrantët drejt kufijve të tyre, dhe e ka përdorur energjinë si një armë. Dhe tani Moska po kryen një grumbullim të ri ushtarak në kufirin ukrainas.
Nëse përgjigja ndaj këtyre veprimeve kufizohet në shprehje shqetësimi dhe apele për një raund të ri bisedimesh, Rusia do ta konsiderojë këtë si një ftesë për agresion të mëtejshëm.
Disa në Perëndim vazhdojnë të besojnë se duhet bërë gjithçka për të shmangur provokimin e Rusisë.
Ata nuk arrijnë ta shohin se Kremlini e sheh si një provokim vetë ekzistencën e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në fakt, i gjithë koncepti i një Ukrainë të pavarur për shumë njerëz në Moskë është një provokim i patolerueshëm.
Në rast se bota demokratike dëshiron të shmangë pasojat katastrofike të një lufte të madhe në Ukrainë, udhëheqësit perëndimorë duhet të dëshmojnë vendosmërinë e tyre për t‘i rezistuar presionit rus duke e forcuar më tej Ukrainën. Nga ana jonë, ne jemi të përkushtuar të mbrojmë Evropën duke ndërtuar të ardhmen.
Me kërcënimin e një pushtimi rus në shkallë të plotë mbi Ukrainën, i takon tashmë botës demokratike që të veprojë përpara se të jetë tepër vonë. Udhëheqësit perëndimorë kanë ende kohë për të frenuar Rusinë, dhe për të treguar Ukraina nuk është vetëm.
Në rrezik është shumë më tepër se sa thjesht fati i një Ukrainë të pavarur. Një sulm rus do të krijonte kaos në të gjithë kontinentin, dhe do shkatërrojë stabilitetin relativ, me të cilin janë mësuar shumica e evropianëve që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Në rrezik është vetë e ardhmja e Evropës, dhe ajo do të vendoset pikërisht në Ukrainë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Shënim: Oleksii Reznikov, është Ministër i Mbrojtjes i Ukrainës.