Tridhjetë e shtatë vjeçari qytetar i Koçanit, në dy raste më 23 dhe 24 nëntor në një banesë në Gostivar, ka kryer akt seksual ndaj një fëmije të lindur në vitin 2012, njoftoi Prokuroria Publike, transmeton Portalb.mk.
Nëna e fëmijës e ka thirrur të dyshuarin, i cili është prezantuar si hoxhë, për t’i kënduar dhe për ta “shëruar” fëmijën nga magjia e zezë.
I dyshuari ka kërkuar të lihet vetëm me fëmijën në dhomë dhe e ka detyruar atë në akte të tjera seksuale.
E dëmtuara nga frika fillimisht nuk i ka treguar asgjë së ëmës. Kur më 5 dhjetor nëna ka dashur që ta telefonojë për të tretën herë të dyshuarin, vajza ka treguar e shqetësuar se çfarë po ndodh me të dhe më pas ngjarja është raportuar në polici.
I njëjti i dyshuar, së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë nga Gostivari, kanë mashtruar edhe një të dëmtuar tjetër.
I raportuari i parë, në marrëveshje me dy të tjerët, të dëmtuarës gjithashtu i është prezantuar si hoxhë që do ta ndihmonte t’i largonte magjitë nga shtëpia e saj.
Në disa raste, të tre e bindën atë se për të hequr magjitë, duhej të nxirrnin gjëra të ndryshme nga varrezat dhe kështu të nxirrnin magjitë nga ajo dhe shtëpia e saj. Për shërbimin i kanë kërkuar gjithsej 98.000 denarë.
Kur kanë filluar të merren vesh për takimin e radhës, e dëmtuara ka dyshuar se është mashtruar dhe i ka denoncuar.
Për të raportuarin e parë, Prokuroria Themelore Publike Gostivar, gjyqtarit të procedurës paraprake i ka dorëzuar propozim për caktimin e paraburgimit, ndërsa për dy të dyshuarit e tjerë janë propozuar masa të kujdesit.
Kryerja e ritualeve të “Magjisë së zezë”, është veprimtari joformale e cila sipas rendit juridik në Maqedoninë e Veriut nuk përfshihet në asnjë ligj. Megjithatë, ka nene të caktuara të ligjeve dhe Kodit Penal, sipas të cilave, kryerësit e kësaj veprimtarie mund të ndëshkohen nëse, duke kryer punën e tyre kryejnë ndonjë vepër penale apo civile.
Megjithatë, këtu situata është e ndërlikuar, për shkak se sipas ritualeve, gjithçka bëhet në mënyrë të fshehtë dhe qytetarët e kanë të vështirë që të gjejnë prova që të dëshmojnë se dikush “u ka bërë magji të zezë” dhe me këtë u ka shkaktuar një dëm të caktuar. Madje, edhe në rastet kur ndihen të mashtruar nga ndonjë kryerës i këtyre ritualeve, qytetarët që besojnë në “magjinë e zezë”, e kanë të vështirë që t’u drejtohen institucioneve, për shkak “frikës” se kryerësit mund t’u shkaktojnë dëme atyre dhe familjeve të tyre.