Akuzave të Ramush Haradinajt për vonesa në Ligjin për Paga dhe “ligjërata” në Kuvend, kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur duke e akuzuar Haradinajn për privatizime.
“Për mua është e qartë se ata që po na kritikojnë në thelb e doni atë ligjin e shfuqizuar. Ju po doni të nxitohemi rishtaz për një ligj të vjetër, që ne t’ia gjejmë paratë atij ligji të vjetër. Po ju theksoj, jemi vonuar sepse ju jeni nxituar. Pikërisht duke i bërë ligjet shkel e shko na keni lënë pa ligj. Nëpërmjet urgjencës ju e keni dëmtuar rëndësinë. Ne e trajtojmë me rëndësi dhe urgjencë përgatitjen për të. Jo shkeljen shkel e shko për një miratim Ad-Hoc. U theksuan shpresat e qytetarëve. Pajtohem për këtë, ata kanë shpresa tek ne. Por ky nuk është problem i juaji, shpresat e qytetarëve mi lërni mua, unë merrem me ta. Është diçka interesante. Pronarët e mëdhenj kanë hallë pagat e zjarrifkësve, pronarët e mëdhenj të qindra hektarëve thonë me ua rritë nja 5% pagat zjarrfikësve. Qysh me besu këtë situatë? Këta janë lot krokodili, prandaj këta pronarë të mëdhenj të tokave nuk janë as të sinqertë e as seriozë. Konkretisht meqë mu dha propozimi që ministrat e mi t’i çoj te KEK-u e të mërdhihemi, e kam një propozim tjetër, deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet ata 200 hektarë, e na ia kthejmë 70 mijë euro”, ka qenë përgjigja e Kurtit.
https://www.youtube.com/watch?v=qiy89GOy0MY
Deputeti Mërgim Lushtaku ka thënë se kryeministri Albin Kurti “vetëm i lëshoi një grusht miza dhe iku”.
Ai ka shtuar se Ligji për Paga është shumë i rëndësishëm për punëtorët e sektorit publik.
Lushtaku ka thënë se nuk ka vullnet nga mazhoranca që të merret me këtë ligj.
“Më vjen keq që kryeministri iki nga debati, vetëm i lëshoi një grusht miza, dhe iku. Ky ligj i pagave, është shumë i rëndësishëm për punëtorët e sektorit publik. Siç thanë shumica e kolegëve kemi një brumë të mirë për ta vendosur një ligj të mirë në sektorin publik. Nuk ka vullnet nga mazhoranca të merret me këtë ligj. Në kuadër të rritjeve të çmimeve është dashur që të rriten pagat, së paku si raport i rritjes ekonomike”, ka thënë ai.
Deputeti Armend Zemaj ka thënë se kryeministrit po i kushton shtrenjtë qasja e tij e hershme si opozitar.
“Duhet ta kthejnë debatin në Kuvendin e Kosovës, ku mundet me marrë ndonjë këshillë. Për uljet e numrave në Qeveri, kjo nuk është e vërtetë, por na tregoni sa zv ministra janë të VV-së dhe çfarë pune bëjnë ata? Për ligjin që po flasim, VV-ja ka bërë amandementë, a është vështirë tash t’i qëndrojë prapa atyre amendamenteve?”, ka thënë ai.