Ballina Aktualitet “Parcelat në Vodno”: Ekspertiza ka konstatuar se nuk ka pagesa nga Gruevski

“Parcelat në Vodno”: Ekspertiza ka konstatuar se nuk ka pagesa nga Gruevski

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdoi gjykimi për rastin “Parcelat në Vodno”. Objekt i analizës ishte dokumentacioni i siguruar nga Prokuroria Publike nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare – marrëveshjeve për kalimin e pronësisë dhe llogarive bankare dhe për qarkullimin e parave të kompanisë “Sirah Limited” nga Belize, raporton Lokalno, përcjell Portalb.mk.

Eksperti i prezantoi në detaje të gjitha transaksionet e llogarisë së kompanisë Sirah Limited nga Belize, në periudhën prej 26 korrik deri më 31 dhjetor 2012. Në këtë periudhë nuk është regjistruar asnjë transaksion nga Maqedonia, sikurse që s’ka pas pagesa nga Nikolla Gruevski, ka treguar  raporti.

– Konstatimi im në lidhje me pagesat është se paratë janë paguar nga më tepër persona juridikë, ndër të cilët nuk ka asnjë person juridik, gjegjësisht pagesa nga ndonjë banor i Maqedonisë së Veriut. Të gjithë paguesit janë prej vendeve të tjera. Në pjesën e pagesës konstatova se ka pagesë të një personi juridik, rezident i Maqedonisë së Veriut-Sirah Engineering, tha eksperti Kire Kostov.

Në pyetjen e mbrojtjes nëse në këtë periudhë është konstatuar ndonjë pagesë nga Nikolla Gruevski apo nga ndonjë person juridik i lidhur me atë person, dëshmitari tha se nuk ka konstatuar pagesë nga personi fizik Nikolla Gruevski në llogari të kësaj kompanie.

– Nga dokumentet nuk kam konstatuar pagesë nga person juridik, rezident i Republikës së Maqedonisë. Dua të sqaroj se pronësia e kompanive nuk ka qenë objekt i ekspertizës sime dhe nuk kam dorëzuar prova dhe për këtë arsye nuk mund të përgjigjem në pjesën e pyetjes nëse personi Nikolla Gruevski në ndonjë mënyrë ka lidhje me kompanitë, tha eksperti. Kostov.

Në rastin “Parcelat në Vodno”, Gruevski është i akuzuari i parë dhe po gjykohet në mungesë. Sipas aktakuzës, në periudhën nga qershori 2006 deri në tetor 2012, Gruevski si kryetar partie, në vend që t’i paraqesë paratë si donacione të pranuara në VMRO-DPMNE, ai ka siguruar për vete 1,3 milionë euro (79.972.140 denarë), e më pas ato para i ka lëshuar në qarkullim dhe ka blerë parcela të tokës në Vodno. Bëhet fjalë për tokë në të cilën ka pasur një pyll, i cili me ndryshimet në Planin e Përgjithshëm Urbanistik (PPU) është shndërruar në tokë për ndërtim. Përveç pronës në Vodno, aktakuza përfshin edhe dy banesa në kryeqytet dhe dy parcela në Krushevë për të cilat prokuroria pretendon se pronari i vërtetë, gjegjësisht Gruevski, fshihej.

Në këtë rast, përveç Gruevskit, akuzohen edhe biznesmeni Orce Kamçev, nëna e tij Ratka Kunovska-Kamçeva, Sasho Mijalkov, Risto Novaçevski dhe Nenad Josifoviq.

Sipas akuzës, Gruevski nga viti 2006 deri në vitin 2012, si kryetar i VMRO-DPMNE-së, donacionet partiake që i ka marrë, personalisht ose nëpërmjet komiteteve komunale, i ka mbajtur për vete, kështu që ka mbledhur 1.3 milion euro.

Nga tetori i vitit 2012-të deri në shtator të vitit 2013, paratë i ka harxhuar duke blerë tokë ndërtimore në Vodno, më saktësisht në pjesën mbi Panorama, gjegjësisht në vendin e quajtur Sherbetnica. Gjithashtu në akuzë thuhet se Gruevski ka pasur edhe dy banesa të fshehta në ndërtesën në Bihaçka, në banesën ku ka jetuar përpara se të arratiset.