Në policinë kufitare të Novo Sellës, vendkalim kufitar për në Bullgari, drejtuesit e dy kamionëve të një kompanie nga Reçica e Vogël e Tetovës kanë treguar dokumente të falsifikuara për pjesëmarrje në trafikun ndërkombëtar.
Rastin e ka marrë prokuroria, ndërsa MPB-ja nuk ka bërë të ditur se për cilën kompani bëhet fjalë. Problemi me kontrollin e dobët të kufirit, duke lejuar kalimin e automjeteve me dokumente dhe patenta të falsifikuara, u identifikua pas tragjedisë me autobusin e Besa Trans ku humbën jetën 45 pasagjerë, mes tyre 12 fëmijë. Edhe ai autobus fatal i ka kaluar kufijtë shtetërorë të Maqedonisë, 135 herë në 400 ditë, pa leje përkatëse.
Ministria e Brendshme njoftoi se kamionët janë zbuluar sot:
-Sot (04.01.2022), zyrtarët policorë nga Stacioni Policor për Kalim Kufitar dhe Vëzhgim Kufitar -Novo Sellë kanë kryer kontroll në dy kamionë, me targa të Tetovës, në pronësi të personit juridik nga fshati Reçicë e Vogël, Tetovë. Gjatë kontrollit është konstatuar se automjetet nuk kishin dokumentacion të rregullt, përkatësisht lejet dhe ekstraktet për kryerjen e transportit në komunikacionin rrugor të brendshëm dhe ndërkombëtar ishin të falsifikuara. Nga përfaqësuesi i Inspektoratit Shtetëror të Rrugëve në Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit janë përjashtuar nga qarkullimi dhe iu është hequr leja e qarkullimit. Ndërkaq, procedurën e kanë vazhduar zyrtarët policorë nga SPB Strumicë të cilët u kanë hequr licencat dhe certifikatat për kryerjen e transportit në komunikacionin rrugor të brendshëm dhe ndërkombëtar.
Ngjarja është denoncuar në Prokurorinë Publike dhe pas dokumentimit të plotë të çështjes do të ngrihen kallëzime sipas nenit 284 për “kryerjen e transportit publik pa leje” dhe nenit 378 “falsifikim dokumenti” të Kodit Penal./TetovaNews