Vetëm gjatë vitit 2021 në Sektorin për Punë të Brendshme të Tetovës ka pasur 112 denoncime për kafshim nga qentë endacak. Megjithatë, kjo shifër është më e lartë pasi jo të gjitha rastet janë paraqitur në polici. Autoritetet deri tani nuk kanë bërë mjaftueshëm për të zgjidhur këtë problem, pasi rrugët e Tetovës janë plotë qen endacak të cilët shpesh bëhen agresiv dhe sulmojnë qytetarët. Qytetarët kërkojnë zgjidhje për këtë problem pasi ndjehen të rrezikuar. Nga Komuna e Tetovës thonë se kanë paraparë mjete për zgjidhjen e këtij problem gjatë vitit 2022, shkruan Portalb.mk.
Gjatë debatit publik për buxhetin e komunës së Tetovës për vitin 2022 qytetarët kërkuan të zgjidhet ky problem që Tetova të jetë më e sigurtë, në rradhë të parë për fëmijët.
“Duke marrë parasysh se të gjithë zgjohemi herët, çdo ditë ballafaqohemi me qentë endacak. Tani muajin e fundit vetë jam ballafaquar me ata nga dalja prej shtëpisë, kemi pasur raste edhe sulme ndaj fëmijëve. Kërkoj të bëhet ndonjë projekt që ky problem të sanohet, të zgjidhet që mos të kemi rrugëve qen endacak sepse me të vërtetë është një problem shumë i madh dhe shpresoj që të menjanohet ky problem. Neve edhe para disa muajve patëm rastin në Reçicë, rastin në Gostivar, sepse qentë çdo ditë i kemi ata në rrugë”, tha një qytetar.
Numri i rasteve të denoncuara nga kafshimet e qenve endacak në rajonin e SPB- Tetovë për vitin 2021 është 112, prej të cilave 66 në rajonin e Tetovës dhe 46 në rajonin e Gostivarit. Por, këto shifra janë më të larta pasi ka raste kur personat e sulmuar të cilët nuk i paraqesin këto raste por vetëm mjekohen.
Autoritetet deri më tani nuk kanë punuar mjaftueshëm në këtë drejtim, pasi problemi nuk është zgjidhur.
Memet Jonuzi, udhëheqësi i sektorit për veprimtari komunale tha se për këtë vit planifikojnë ndërtimin e strehimores për qentë endacak që është në vlerë prej 2 milionë denarëve.
“Njëkohësisht kemi edhe programin që konform kësaj duhet ta vërtetojmë, është propozim programi për zgjidhjen e problemit lidhur me qentë endacak në territorin e Komunës së Tetovës. Kryesisht në këtë program janë të përshkruara të gjitha aktivitetet që ne si komunë duhet të bëjmë, domethënë marrjen e përgjegjësisë ndaj këtij problemi që është problem i të gjithë rajonit dhe shtetit. Ne do të marrim masat tona por problemi është më i përgjithshëm. Në takimin e fundit që kryetari e ka pasur me kryetarët e tjerë të komunave të Pollogut kanë një qëndrim që këtë problematikë ta bartin të gjithë komunat dhe të gjejnë një zgjidhje më të qëndrueshme për problemin e të njëjtës”, tha Jonuzi.
Komuna parasheh që çdo muaj të kapë nga 20 qen që t’i strehojë dhe vaksinojë.
“Ka të parapara mjete në buxhet që ne të trajtojmë në kontinuitet këtë si problematikë por në bashkëpunim me komunat tjetra të Pollogut. Qendra Rajonale Zhvillimore veç më ka paraparë një projekt për qendër rajonale për trajtimin e qenve endacak sepse trajtimi parcial i komunave të caktuara paraqet problem nga shkaku se ka dukuri të bartjes së qenve nga një komunë në tjetrën”, tha kryetari i Komunës, Bilall Kasami.
Ndryshe, mjetet financiare të ndara nga Komuna e Tetovës për këtë problematikë janë më pak se vitin e kaluar, gjegjësisht për këtë vit komuna ka ndarë 2 milionë denarë, ndërsa vitin e kaluar kishte të ndara 3.5 milionë denarë. Rikujtojmë që në shtator, qentë endacak sulmuan rëndë dhe bënë për spital katërvjeçarin nga Reçica e Vogël i cili ishte duke lozur para derës së shtëpisë së ti.