Ballina Aktualitet NDOTJA E AJRIT NË TETOVË/Tejkalohet pragu i grimcave PM 10

NDOTJA E AJRIT NË TETOVË/Tejkalohet pragu i grimcave PM 10

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor njofton se tash e dy ditë në Tetovë është tejkaluar vlera prej 150 mg/m3, përkatësisht është tejkaluar pragu i alarmit të grimcave PM 10. Nuk janë ndërmarrë masa serioze nga autoritetet lokale por dhe qendrore për të zgjidhur këtë problem. Çështja u diskutua në mbledhjen e Komunës së Tetovës, nga ku u premtua se disa propozime të qytetarëve do t’i fusin në rebalancin e parë të buxhetit, shkruan Portalb.mk.

“Sipas dekreteve që përcaktojnë pragun e alarmit të grimcave PM 10 dhe parashikimi i motit të marrë nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike, informojmë se është tejkaluar në pikat matëse në Tetovë dhe Strumicë”, thonë nga Ministria e Mjedisit.

Në pikat matëse në Tetovë, me 3 janar në janë regjistruar 174.87 mg/m3 PM 10, ndërsa më 4 janar 170.21 PM 10.

Sot sipas programit AirCare niveli i grimcave PM 10 në Tetovë është 63 ndërsa niveli i grimcave PM 2.5 është 49, që janë vlera të larta përsëri.

Nuk janë ndërmarrë masa serioze nga autoritetet lokale por dhe qendrore për të zgjidhur këtë problem. Madje, sipas faqes NUMEBO, Tetova radhitet si qyteti i dytë me ajrin më të ndotur në botë.

Tetova ka vetëm një stacion për matjen e ajrit i cili është i vendosur te shkolla “Kirili dhe Metodi”, i cili është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i kontrolluar nga Ministria e Mjedisit. Në këtë qytet duhet të ketë së paku 11 stacione matëse për të pasur një pasqyrë të qartë për burimet e ndotjes, lëvizjet e ndotjeve edhe si mund të parandalohet më tej. Kështu u shpreh aktivisti i ambientit, Arianit Xhaferi, më 27 dhjetor, në debatin e Komunës së Tetovës për buxhetin e Komunës për vitin 2022, në të cilin qytetarët shpalosën idetë dhe propozimet e tyre.

Si zgjidhje alternative por me kosto më të ulët Xhaferi propozoi që të vendosen senzorë matës.

“Një stacion matës si këto që kemi vlerën e ka prej 25 mijë deri në 30 mijë euro, mirëpo ka edhe diçka tjetër. Afër stacioneve matëse ekzistuese për provë kemi vendosur senzorë të cilët tregojnë të njëjtat rezultate për të njëjtat matje. Senzorët normalisht kushtojnë më lirë, domethënë për 11 senzorë që mund të vendosen 5 në qytet dhe 6 nëpër fshatrat rreth Tetovës, vlera do të ishte për 36 muaj me instalim, mirëmbajtje dhe funksionim rreth 2.2 milionë denarë, këtë e them kështu se e di sa kushton. Është me rëndësi të bëhet sepse ndotja e ajrit është gjithmonë problem në Tetovë edhe sidomos në kohë pandemie. Mendoj se duhet të ndahen fonde për fushata edukuese për higjienën publike, menaxhimi me mbetjet është sfidë e madhe në Tetovë. Mendoj që patjetër duhet të mësojmë nga rajoni se si i kanë zgjidhur disa probleme që neve sot e kësaj dite po na tangojnë”, tha Arianit Xhaferi.

Kryesuesi i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi dhe kryetari i Komunës, Bilall Kasami për këto propozime thanë se do të mundohen t’i fusin në rebalancin e buxhetit që do të bëhet në periudhën në vijim.

“Këto kërkesa dhe projekte, ne do të mundohemi që t’i inkorporojmë sigurisht në bashkëpunim me ju (qytetarët) edhe në ditët që vijnë, në rebalancin e parë të cilin e përgatitim dhe që do të vijë shumë shpejtë. Sa i përket ambientit dhe ndotjes, ka qenë përcaktim i joni që të kemi matje të të gjitha llojeve të ndotësve. Ajo që për momentin paraqet problem serioz ka të bëjë me ndotjen e ajrit, po që jemi të interesuar që këtë çështje ta zgjidhim dhe do të bashkëpunojmë afër edhe me sektorin civil, shoqata të ndryshme edhe me faktor apo fonde vendore dhe të jashtme dhe brenda 2022 të nis implementimi apo instalimi i këtyre senzorëve. Uroj që të përmirësojmë buxhetin e komunës që ky si projekt të nis me financa të komunës”, tha Bilall Kasami.

Problem vazhdon të mbetet numri jofunksional në faqen e Komunës së Tetovës i cili shërben për të paraqitur ndotësit e mjedisit. Nga Komuna e Tetovës ende nuk kemi përgjigje për këtë çështje.

Nuk janë ndërmarrë masa serioze nga autoritetet
Raportet mujore të Sistemit Shtetëror të Monitorimit Automatik të Cilësisë së Ajrit të Ambientit për Tetovën tregojnë se në vitin 2021 ka pasur 132 ditë ajër të ndotur. Sipas standardeve botërore të shëndetit, në një vit kalendarik nuk duhet të ketë më shumë se 35 ditë me ajër të ndotur.

Që ky problem është mjaft serioz dhe kërcënues për vendin tone e thotë edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut. Në raport theksohet publikisht se vendi duhet të rrisë sasinë e financave si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar për të reduktuar ndotjen e ajrit, e cila mbetet shqetësim serioz.

Organizatat ekologjike alarmojnë për këtë problem vite me radhë. Me hyrjen në sezonin dimëror problemi thellohet më tepër për shkak të lëndëve djegëse edhe në amvisëri, që e mbingarkon situatën e ajrit të ndotur.

Nga Qeveria e RMV-së thonë se shpresojnë se fuqizimi i kapaciteteve dhe rregullimi më i detajuar i obligimeve do të ketë efekt kundër ndotjes së ajrit në një të ardhme të afërt. Në kuadër të kësaj, një nga ndryshimet kryesore të Ligjit për Ajrin ka të bëjë me detyrimet dhe koordinimin e saktë të organeve të pushtetit vendor dhe qendror, të cilat do të përcaktohen me plane të sakta dhe masa të detyrueshme.

Qeveria paralajmëroi dhe formimin e një fondi të gjelbër për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike në vlerë prej 36,3 milionë dollarë.

Artikulli paraprakPresidenti i Polonisë infektohet me koronavirus për së dyti
Artikulli tjetërTetovë, qentë e rrugës shqetësim i madh për banorët, Komuna premton zgjidhje