Mungesa dhe kufizimet e ujit tani e disa janë të pranishme në disa lagje të Tetovës, banorët janë pa ujë në mes të pandemisë kur vendi tashmë po përballet edhe me variante të ndryshme to koronavirusit. Këto mungesa vijnë si pasojë e defekteve të njëpasnjëshme të rrjetit të ujësjellësit të Leshnicës. Qytetarët kërkojnë zgjidhje. Kryetari i Komunës së Tetovës tha se presin përmirësimin e kushteve atmosferike që të intervenojnë, shkruan Portalb.mk.
Në mes të dimrit dhe pandemisë për të katërtën herë në kohë të shkurtër u shfaq përsëri defekt në rrjetin e ujësjellësit të Leshnicës që furnizon Tetovën dhe si pasojë qytetarët mbetën pa ujë dhe ballafaqohen me restrikcione. Aktualisht, sasia e ujit bashkë me bunaret arrin deri me 160 l/s , sasi e cila nuk është e mjaftueshme për furnizimin normal dhe të barabartë për qytetarët, kështu që gjatë natës ka restrikcione edhe atë nga ora 00:00 deri ne 05:00.
“Gati se 10 ditë që kur nuk kemi ujë rregullisht, edhe restriksione nuk ka ashtu siç thuhet, për mos thënë që një gjë të tillë nuk ka patur aspak. Nuk e di nëse mund të quhet restriksion kur ujë kemi vetëm nga ora 5 deri në ora 7 në mëngjes dhe më pas asnjë pikë nuk rrjedh në çezmat tona. Duhen dy ditë që të përfundojë së lari një lavatriçe me rroba. Ky restriksion nuk është aspak në rregull duke marrë parasysh se jemi në kohë pandemie dhe bëhet diferencim mes lagjesh. Një lagje ka ujë 24 orë, e një tjetër vuan për ujë”, tha një qytetar për Portalb.mk.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës Bilall Kasami nuk është në dijeni për situatën me restrikcionet.
“Nuk kam informatë të tillë. Nëse ka diçka të tillë, sidoqoftë unë do të angazhoj ndërmarrjen që to dalë me një informatë se në cilën orë dhe në cilat lagje do të ndërpritet dhe do të kenë ujë”, tha Kasami.
Por qytetarët, si në rrjete sociale ashtu edhe në jetën reale kërkojnë zgjidhje, pasi pavarësisht gjithçkaje ata kanë nevojë për ujë. I pyetur për atë se çfarë po punohet në këtë drejtim dhe kur mund të pritet zgjidhje, kryetari i Komunës u përgjigj kështu:
“Po, po sigurisht, unë për momentin edhe ndërmarrja ka qenë deri lartë, tani kushtet atmosferike nuk kanë mundur të intervenojnë pasi kushtet janë të tilla. Brenda dy ditëve të fundit unë kam pasur takim me dy kompani të cilat merren me sanimin e këtyre problemeve dhe nga momenti kur do të krijohen kushtet atmosferike do të intervenohet përsëri që të kemi ujë të pijshëm, por njëherësh si projekt ne do shkojmë edhe me zgjidhje afatgjate e cila do të dalë pas revidimit të të njëjtës. Ne jemi në bisedime me kompani të jashtme sepse ndërmarrja komunale nuk ka kapacitet për ti përmirësuar këto gabime. Duhet furnizim i jashtëm me lidhëse në ato vende ku ka plasur gypi që të mundet pra të përmirësohet ai gabim që është bërë.”
Tetova ka edhe pompa të puseve dhe i pyetur për atë se a janë rregulluar të njëjtat pasi para tre javëve njoftoi se kanë dhënë urdhër që ata të jenë si ndihmë shtesë, Kasami tha se prej gjashtë vetëm dy janë në funksion. Krahas defekteve të tjera, sipas tij projekti i ujësjellësit nuk ka pasur as pranim teknik pas realizimit të tij, kështu ka kërkuar revizion të plotë të të gjithë projektit.
Mungesa e ujit në Tetovë nuk është diçka e re. Qytetarët e Tetovës përballen vazhdimisht me mungesë të ujit gjatë gjithë vitit kohë pas kohe. Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte, kështu duke lënë qytetarët pa ujë të mjaftueshëm.