Ballina Aktualitet Protesta në Tetovë, Antibixhozi kërkon që presidenti të mbledh liderët e partive...

Protesta në Tetovë, Antibixhozi kërkon që presidenti të mbledh liderët e partive politike dhe të zgjidhin problemin me bixhozin (VIDEO)

Sot në Tetovë u protestua kundër hapjes së kazinosë së re të cilën e ndan vetëm rruga nga çerdhja “Rinia”. Lëvizja Antibixhoz kërkon zgjidhje sa më të shpejtë përmes ligjit dhe i bëjnë thirrje presidentit që të mblidhen bashkë me të gjithë liderët e partive politike për këtë problem. Protesta u përkrah edhe nga Komuna e Tetovës, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, organizatorët protestën e ardhshme e paralajmëruan para Kuvendit, shkruan Portalb.mk.

Hapja e kazinosë me përmasa të mëdha në afërsi të çerdhes “Rinia” në Tetovë, ishte arsyeja që qytetarët sot dolën në rrugë dhe protestuan, në krye me Lëvizjen “Antibixhoz”. Në protestë ishin të pranishëm edhe drejtori i çerdhes “Rinia” dhe të punësuar në këtë institucion.

Nga kjo lëvizje kërkojnë llogari nga ministria e Financave se perse ligji u humb në kuvend i cili edhe pse nuk i plotësonte të gjitha kërkesat e kësaj lëvizjeje.

“Kërkojmë mbylljen e të gjithë lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut. I bëjmë thirrje presidentit të shtetit, Stevo Pendarovskit që urgjentisht të thirr takim me të gjithë liderët e partive politike dhe lëvizjen Antibixhoz për zgjedhjen e kësaj problematike. Kazionot nuk janë hapur për të fituar njerëzit, ata janë hapur për të varfëruar popullin. E keqja e gjithë të këqijave është se këto hapësira duke u hapur në afërsi të shkollave dhe çerdheve joshin dhe tërheqin duke shndërruar në klientë kategorinë e fëmijëve.”, tha Jushi Emërllahi.

Profesori universitar Musa Musai u shpreh se sipas teorisë së të mësuarit social fëmijët, njerëzit, të moshuarit mësojnë nga modelet ekzistuese.

“Këto nëse janë të shfaqura përmes sjelljeve devijante siç është bixhozi, jemi për ti thënë jo kësaj dhe për ti larguar ato në kuadër të vullnetit të shoqërisë, të cilët janë kundër dhënies së lejes për këto objekte afër objekteve edukative-arsimore”, tha Musai.

Protesta kundër hapjes së kazinosë afër çerdhes “Rinia” në Tetovë
Nuhi Gania, pjesë e lëvizjes Anti Bixhoz u shpreh se këto janë katër vite që nga kur i kanë shpallur luftë bixhozit në vendin tonë.

“Jemi shndërruar në komplet shtet kazino, andaj ju bëjmë apel atyre që duhet të merren me mbrojtjen e interesave tona. Qasuni me seriozitet, nëse nuk dini si ta zgjidhni problemin e lojërave të kumarit, shiheni Shqipërinë dhe Kosovën, Greqinë, Zvicrën dhe Francën. Miratoni ligjin i cili do na sigurojë mirëqenien.”, tha Gania.

Protesta kundër hapjes së kazinosë afër çerdhes “Rinia” në Tetovë
Xhemal Abdiu nga po kjo lëvizje tha se në fillim duhet të respektohet ligji aktual dhe pastaj mbyllje të të gjitha objekteve të fatit si në Kosovë dhe Shqipëri.

“Ky problem nuk është etnik as sezonal, nuk duhet të përdoret vetëm për fushatë dhe politikë, fajtorë do jeni vetëm ju për mos sjelljen e ligjit të shumëpritur”, tha Abdiu.

Protesta kundër hapjes së kazinosë afër çerdhes “Rinia” në Tetovë
Ligji aktual në fuqi parasheh që objektet e lojërave të fatit duhet të jenë 200 metra larg objekteve të karakterit publik.

Ministria e Financave përgatiti ndryshime në Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese e cila parasheh që hapësirat ku zhvillohen këto lojëra të fatit të janë gjysmë kilometria apo 500 metra larg shkollave dhe universiteteve. Ligji është dorëzuar në Parlament nga Qeveria në qershor të këtij viti, dhe ende është në Parlament.

Nga kjo ministri për Portalb.mk nuk u përgjigjën për qëndrimin e tyre ndaj protestës së sotme por thanë se Projektligji për ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese është vendosur në rendin e ditës të seancës së 34-të të Komisionit për Financa dhe Buxhet, e cila ishte caktuar të mbahet më 9 shkurt 2022.

“Me ligjin e propozuar, një nga çështjet për t’u zgjidhur është distanca e objekteve ku organizohen lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese të jenë së paku 500 metra larg institucioneve arsimore. Qëllimi është mbrojtja e popullatës së re nga pasojat e dëmshme që mund të vijnë nga lojërat e fatit. Nevoja lind nga fakti se kjo çështje nuk është e rregulluar me ligjin ekzistues dhe qëllimi është që të sigurohet drejtimi i duhur i zhvillimit të popullatës së mitur.”, thanë nga Ministria e Financave.

Në protestë i u panë edhe punonjësit e Komunës së Tetovës, përfaqësues nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët (ASh).

“Si qytetar i Tetovës gjithmonë do të jem në mesin e tyre. Si politikan do të inicioj dhe do të përkrah çdo iniciativë për ndryshimin e ligjeve. Si kryetar i Tetovës do të shfrytëzoj të gjitha kompetencat të cilat i kam që kjo dukuri të largohet nga mesi jonë”, tha Bilall Kasami.

Deputetja Ilire Dauti nga ASh, premtoi mbështetje dhe premtoi se do shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që kanë si parti politike në kuvend për Ligjin e lojërave të fatit.

“Ne po ritheksojmë edhe njëherë mbështetjen tonë dhe po ju premtoj si koordinatore e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët që do jemi zlri i të gjithë këtyre qytetarëve se do jemi zëri i këtyre qytetarëve që protestojnë kundër këtij fenomeni negativ. Të gjitha mundësitë që i kemi si grup parlamentar nëpërmjet amendamenteve do të ndërhyjmë për të dhënë mbështetje ndaj kërkesave të lëvizjes Antibixhoz. Kazinot duhet të jenë në hotele me 5 yje, jo ti kemi te dera e shtëpive, çerdheve dhe institucioneve tjera”, tha Dauti.

Ndryshe, Lëvizja Antibixhoz paralajmëroi se protesta e ardhshme do të jetë para Parlamentit.