Ballina Bota Rusia sulmon Ukrainën (VIDEO+FOTO)

Rusia sulmon Ukrainën (VIDEO+FOTO)

Një shpërthim është parë në kryeqytetin ukrainas të Kievit herët të enjten, 24 shkurt. (nga Zyra e Presidentit të Ukrainës)

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba shkroi se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

Ai tha se Ukraina do ta mbrojë veten dhe se “bota mund dhe duhet ta ndalë Putini”.

“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, tha Kuleba.

https://youtu.be/hNVQ0-cJRxY

Presidenti rus konfirmoi se ka nisur një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

https://youtu.be/upOH1YRhPJo

Shpërthime dhe të shtëna me armë u raportuan në Kiev dhe qytete të tjera.

Kjo hartë tregon se ku janë raportuar shpërthime

Sipas raporteve nga agjencitë perëndimore të lajmeve, qytete të shumta janë nën sulm. CNN raportoi për shpërthime në së paku shtatë qytete.

https://youtu.be/Uyb68aqjzbc

Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë aeroportit kryesor “Boryspil” në Kiev, menjëherë pasi Rusia njoftoi për operacionin, bëri të ditur agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar mediat lokale.

Nuk është ende e qartë nëse forcat tokësore janë të përfshira në ndonjë aksion.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e dënoi operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” ndaj Ukrainës dhe shtoi se bota “do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”.

Ai tha se Rusia do të jetë përgjegjëse për “humbjet katastrofike të jetëve dhe vuajtjet njerëzore”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi atë që e quajti sulm “të pamatur” të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ai njoftoi se aleatët e NATO-s do të mblidhen në takim për të diskutuar “agresionin rus”. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por është në linjë me Perëndimin.

“Kjo është shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike”, shkroi Stoltenberg në Twitter./REL