Banka Aziatike e Investimeve dhe Infrastrukturës, një entitet pas së cilës qëndron Kina, ka ndërprerë marrëdhëniet e biznesit me Rusinë dhe Bjellorusinë.
“Në interesin më të mirë të bankës, menaxhimi vendosi se të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me Rusinë dhe Bjellorusinë janë pezulluar dhe nën rivlerësim”, citohet një deklaratë e bankës lëshuar të enjten.
Banka shton se po monitoron situatën në Ukrainë, duke nënvizuar kështu se lufta po afekton një botë të tërë. Banka vetë u ideua në vitin 2016 nga presidenti kinez, Xi Jinping për të balancuar Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore dhe aty Rusia është anëtar themlues me 6% të aksioneve.
Të njëjtin vendim ka marrë edhe Banka e Re e Zhvillimit me qendër në Shangai që është krijuar thuajse në të njëjtën kohë me bankën e sipërcituar dhe për të njëjtat arsye.