Ballina Bota ANALIZA: Plani i Putinit po dështon në mënyrat që kurrë nuk ka...

ANALIZA: Plani i Putinit po dështon në mënyrat që kurrë nuk ka mundur t’i paramendojë

Nga Simon Schama / Financial Times

Shtetet ndërtohen me harduer, por kombet funksionojnë me softuer. Se cila është më e dobishme për jetën apo për vdekjen e një shteti kombëtar, këtë po e zbulojmë përmes sprovës së përgjakshme të Ukrainës. Hardueri i pushtetit shtetëror përbëhet nga ushtritë, nga burokracitë, nga policia e rendit, nga ndërtesat impozante, nga burgjet e tmerrshme. Softueri kombëtar është diçka më pak i prekshëm, por jo më pak i fuqishëm: këmbëngulja për besnikëri nën presion ekstrem; fatkeqësia e njerëzve të gjakut; vala e madhe emocioneve patriotike; forca e familjeve; shtimi i krenarisë qytetare edhe kur lagjet janë nën rrethim ose të shkatërruara; qëndresa për të vërtetën; dhe, jo më pak e rëndësishme, mjeshtëria e shndërrimit në vlerë – përkundër vështirësive – e një epopeje të paharrueshme kombëtare.

Karvani 60 kilometra i gjatë rus, i ngecur në baltë, i bllokuar nga gomat e shfryra, nga mungesa e karburantit dhe e ushqimit, është mishërimi i harduerit të pamend: një dinozaur i ngathët, pashmangshëm shkatërrimtar, nxjerrë flakë nga terrori që ta ndalë frymën, por që si i pa tru tashmë është impotent, përkundër vdekjeve që i shkakton për arritjen e një qëllimi strategjik politik. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se mizoritë e llahtarshme, si privimi nga nevojat më elementare njerëzore në qytetet si Mariupoli – uji dhe kanalizimet – nuk do të kryhen në rrugëtimin drejt qorrsokakut të imperializmit të Putinit.

Aktet e panumërta të vogla të kundërshtimit, një habi kjo e përditshme – pa dyshim për Kremlinin si dhe për pjesën tjetër të botës normale – janë kudo në internet: fshatarë që mbështillen me flamuj të Ukrainës duke i penguar tanket dhe makinat e blinduara, duke i hutuar ushtarët që rrinë para tyre meqë nuk dinë çfarë të bëjnë me turmën admirimin e së cilës kishin menduar se do ta kenë. Por, urrejtja vërshon mbi kokat e tyre më shumë sesa buqetat e luleve. Trupat që nuk e kanë problem t’i gjuajnë me raketa objektivat e largët e të padukshëm, tërhiqen përpara se t’i qëllojnë gjyshet e të rinjtë. Pavarësisht pabarazisë enorme në burimet ushtarake midis pushtuesve dhe të pushtuarve, ishin ca fushëbeteja ku forca në dukje më e madhe ishte në gjendje më të rëndë.

Natyrisht, kjo nuk e zbeh fuqinë shkatërruese të armëve të zjarrit të pushtuesve, që janë në gjendje t’i kthejnë qytetet e Ukrainës në grumbuj hiri dhe në rrënoja që nxjerrin tym. Mizoria barbare e këtyre operacioneve – ashiqare të menduara për ta terrorizuar popullsinë civile e që po bëhen gjithnjë e më monstruoze teksa e pashpresë po bëhet faza përfundimtare e lojës së Kremlinit – tashmë ka arritur të shkaktojë baticën prej një milion refugjatëve që vërshojnë nëpër kufijtë perëndimorë, për të mos i përmendur këtu turmat e dëshpëruara të të zhvendosurve përbrenda vendit. Megjithatë, edhe kjo do të jetë dëshmi e Fitores së Pirros meqë diaspora ukrainase po e rrënjosë karakterizimin e regjimit të Putinit si të një vrasësi gjenocidal. Brezat nuk do t’ia falin e as nuk do ta harrojnë këtë.

Hardueri i pushtimit rus mund të jetë funksional, por softueri i narrativës është jofunksional. Cilindo pushtet që mund ta ketë autokracia putiniste ndaj perceptimit rus për këtë “fabulë”, dëshmitë që po vërshojnë në internet e bëjnë të qartë si loti shënjestrimin e civilëve. Dhe, a nuk e vuri re askush në Kremlin se është i pabesueshëm karakterizimi si nazistë i njerëzve të qeverisur nga një president hebre? Dhe, si saktësisht u thellua kjo fushatë “denazifikimi” me sulmin raketor që e goditi memorialin e holokaustit Babin Jar? Ndaj këtyre gabimeve, presidenti Volodymyr Zelensky e bëri një vërejtje të mençur e të mprehtë. I informuar për këtë sulm, përgjigja e tij e menjëhershme ishte: “Kjo është Rusia. Urime”.

Është llogaritur se çdo ditë e pushtimit, Rusisë i kushton më shumë se 20 miliardë dollarë. Në fund, fushata mund të përfundojë me hemorragjinë e parave. Por, po aq, nëse jo më e dëmshme për perspektivat e saj, mund të jetë zhgënjimi i rekrutëve të Putinit. Sa më shumë që këto trupa ekspozohen ndaj zjarrit dhe ndaj armiqësisë së ukrainasve, aq më konfuzë do të bëhen ata. Thuhet se Napoleoni ka vlerësuar se suksesi i çdo fushate ushtarake, me një të katërtën varet nga numrat dhe nga mjetet dhe me tri të katërtat nga morali. Nëse kjo po jep rezultate në Ukrainë, problemet me të cilat do të përballet Putini sapo kanë filluar. Pushtimi afatgjatë, që është alternativa e vetme e mundshme e blickrigëve të dështuar, do ta shtojë numrin e të rinjve që kthehen në Rusi me plagë të rënda e në qese kufomash, gjithnjë derisa nuk ia nis një revoltë që vështirë mund të mbahet nën kontroll.

Në një ese të vitit 2021, Putini ka bërë të ditur se nuk mendon se Ukraina në fakt është shtet. Por, lufta me trup, gjak e lotë e vulosi në Ukrainë identitetin epik në mënyrën të cilën ai as ka mundur ta paramendojë. Jo vetëm se do të dështojë, por dështimi do ta gërryej plotfuqishmërinë e tij në vend. Trupat e zhgënjyera që ktheheshin nga fronti lindor gjatë Luftës së Parë Botërore, e kanë luajtur rolin vendimtar në revolucionet e vitit 1917. Dhe, jo më pak befasues dhe i guximshëm se rezistenca në Ukrainë, ishte shpërthimi i protestave në Shën Petersburg e në Moskë. Kur kredibiliteti yt e kërkon arrestimin e 77-vjeçares Yelena Osipova, fort mirë e di se ke telashe. Është e vërtetë se shumica e rusëve që i marrin lajmet e tyre nga televizioni shtetëror, nuk ndikohen kurrë nga turmat e të rinjve në qytetet e mëdha. Por, kur në mënyrë të pashmangshme rritet numri i të vejave dhe i jetimëve, armiqësia ndaj atyre që janë përgjegjës për humbjet e tyre do ta shndërrohet në revoltë studentore dhe në furi popullore.

Në vend se të na shërbejë me një mori gënjeshtrash, Kremlini do të bënte mirë t’i urdhëronte rekrutët e vet, dhe veten e vet, ta lexojnë “Luftë dhe Paqen”. Në prag të Betejës së Borodinos, Princi Andrei Bolkonsky thotë se lufta nuk është shah; “Suksesi kurrë nuk varet … nga vendi, nga pajisjet apo nga numrat, e më së paku nga pozicioni”. “Atëherë nga çka?”, pyet dikush. “Nga ndjenja që është tek unë e tek ai … dhe te çdo ushtar”. Kishte të drejtë Leo Tolstoi i cili e ka parë luftën nga afër. Kjo është arsyeja se pse, në fund, pushtimi rus i Ukrainës do të jetë gjithashtu humbja e Putinit – për faqe të zezë.(Agron Shala /Telegrafi.com)