Lufta në Ukrainë nuk kishte si të mos sillte disa ndryshime thelbësore në marrdhëniet Kinë-Rusi.
Gjatë qeverisjes disa vjeçare të Xi Jinping dhe Vladimir Putin, Kina dhe Rusia janë izoluar gjithnjë e më shumë nga pjesa tjetër e botës dhe janë afruar edhe më shumë me njëra tjetrën.
“Vija logjike që ndjek Pekini për sa i përket marrëdhënieve Kinë-Rusi është se të dyja shtetet gjenden përballë një perëndimi armiqësor dhe për këtë arsye ato janë më të fuqishme të bashkuara se sa të ndara,” – thotë Ryan Hass, një ekspert i çështjeve të Kinës dhe vendeve aziatike.
“Pa Rusinë, Kina mendon se do të jetë e vetme përballë një perëndimi armiqësor, të vendosur për të ndaluar progresin e ‘perandorisë’ kineze.” – thotë ai, duke shtuar se Kina dhe Rusia nuk janë në një mendje për shumë gjëra, pasi Kina ka shumë më tepër për të humbur se sa Rusia.
“Kina e sheh veten si një shtet në ngritje ndërsa Rusia praktikisht po lufton kundër rrymës për të parandaluar një rënie thuajse të sigurt të lavdisë së saj,” – thotë ai.
Cili ka qenë qëndrimi i Kinës për pushtimin e Ukrainës?
Kina vendosi të abstenonte gjatë konventës së Kombeve te Bashkuar duke e kritikuar pushtimin rus, por ata nuk votuan kundër tij.
Edhe pse Kina ka shprehur shqetësimin e saj për situatën humanitare duke bërë edhe thirrje për një zgjidhje paqësore të situatës, Pekini ka fajësuar gjithnjë Shtetet e Bashkuara për krizën në Ukrainë – duke thënë se shtetet perëndimore duhet të respektojnë “shqetësimin legjitim të Rusisë për sigurinë e saj”.
Kina gjithashtu ka avancuar edhe më tej teoritë konspirative ruse se SHBA po financon zhvillimin e armëve kimike dhe biologjike në laboratorë të ndryshëm në Ukrainë.
A ishte në dijeni Kina për planet e Rusisë për të sulmuar Ukrainën?
Edhe teksa Rusia afronte trupat e saj pranë kufirit ukrainas, Kina me shumë mundësi nuk ka qenë në dijeni të planeve të Putin për ta pushtuar vendin, thotë drejtuesja e programit për Kinën në Stimson Center në Uashington, Yun Sun.
“Por Pekini nuk do ta pranojë kurrë këtë. Nëse ata pranojnë se dinin diçka, do të bëhen automatikisht bashkëpunëtorë; nëse thonë se nuk e dinin, duhet të pranojnë se Rusia iu a punojë prapa krahëve,” – shtoi ajo.
Edhe pse detajet rreth kësaj janë ende të paqarta, ekspertë të ndryshëm mendojnë se Pekini nuk mund ta ketë pritur kurrë një pushtim të këtij kalibri në Ukrainë.
Dhe kjo mund të provohet deri diku, kur shohim se vetë ambasada kineze në Ukrainë, nuk ua kërkoi kurrë bashkëqytetarëve të tyre të evakuoheshin nga Ukraina, deri në momentin e fundit.
Çfarë ka ndryshuar që prej fillimit të luftës?
Marrëdhëniet kinezo-ruse u forcuan edhe më tej gjatë muajit shkurt, kur Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping u takuan në Pekin dhe prezantuan marrëveshjen e tyre ‘pa limite’ – në të cilën deklaruan se gjenden të bashkuar për zhvillimin e përbashkët si dhe dalin haptazi kundër ekspansionit të mëtejshëm të NATO-s.
Gjatë takimit të fundit të delegacioneve të SHBA-Kinë në Romë, liderët perëndimorë shprehën shqetësimin se Rusia i ka kërkuar Kinës ta ndihmojë me pajisje ushtarake dhe mbështetje financiare pas situatës së krijuar si pasojë e sanksioneve.
Ditën e hënë ama, ministria e jashtme kineze e mohoi këtë raport duke e quajtur ‘fushatë dezinformomi të drejtuar direkt nga Uashingtoni’.
Rusia gjithashtu ka mohuar çdo lloj akuze se i ka kërkuar Kinës ndihmë ushtarake apo ekonomike që prej fillimit të luftës.
Ku ndahen Kina dhe Rusia?
Pushtimi rus i Ukrainës, i cili erdhi pas njohjes nga Putin të dy republikave separatiste, i sfidon në vetë vete parimet kineze rreth politikave të jashtme.
“Nëse Kina i mbështet zyrtarisht planet e separatistëve kundër sovranitetit të Ukrainës, atëherë logjikisht, japonezët dhe amerikanët mund të ngrenë të njëjtat pretendime për Tajvanin. Dhe ky është pikërisht lloji i logjikës që qeveria kineze kërkon të shmangi,” – tha Simon Shen, profesor në Universitetin e Tajvanit.
Pekini doli haptazi që në fillim duke thënë se Tajvani gjendet në një pozicion thellësisht të ndryshëm nga ai i Ukrainës.
Qysh prej ditës së parë të pushtimit rus në Ukrainë, ekspertët e gjeopolitikës ngritën shqetësimin se Kina do të bënte të njëjtën gjë me Tajvanin.
Pavarësisht faktit se ky krahasim nuk është ideal, Tajvani – njësoj si Ukraina – ka jetuar gjatë nën hijen e një superfuqie si Kina e cila ka refuzuar gjithnjë ta njohë ishullin si një shtet të pavarur.
Të dy liderët edhe ai kinez, Xi Jinping edhe ai rus, Vladimir Putin, i kanë mëshuar prej kohësh të njëjtës propagande, që vë në punë nostalgjinë e një të shkuare imperialiste me anë të së cilës ata po justifikojnë edhe pretendimet e tyre territoriale të viteve të fundit.
Presidenti kinez i ka ushtruar gjithnjë presion Tajvanit që të mos kërkojë pavarësinë nga Kina, në të njëjtën mënyrë që Putin ka paralajmëruar vazhdimisht Ukrainën që të mos bëhet pjesë e aleancave me perëndimin siç është anëtarësimi në NATO.
Edhe pse shumica e shteteve nuk e njohin Tajvanin si shtet të pavarur, ishulli është një partner tregtarë kyç i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe një pikë strategjike në zinxhirin e furnizimit global.
Ky ishull dominon fuqishëm industrinë e makinerive elektrike si vendi kryesor në prodhomini e mikroçipeve që përdoren në teknologjitë më të avancuara civile dhe ushtarake.
Gjithashtu, pozicioni strategjik i Tajvanit, e ka kthyer atë në një zonë të rëndësishme për bazat ushtarake amerikane në Oqeanin Paqësor.
Dhe mbi të gjitha, në një kohë kur administrata Biden është shprehur e bindur se në rast konflikti, SHBA dhe NATO nuk do të dërgojnë trupa për të mbrojtur ukrainasit, në rastin e Tajvanit çështja ndryshon.
Politika e njohur si ‘ambiguiteti strategjik’ ka shërbyer prej kohësh si shtyllë parandaluese e SHBA ndaj Kinës.
Si përfiton Kina nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës?
Kina duhet të marrë në konsideratë shumëçka kur vjen puna tek marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës – pasi të dy këto shtete janë partnere të rëndësishme tregtare të Kinës.
Të dy këto shtete janë gjithashtu pjesë e Programit Kinez të Infrastrukturës – dhe për Pekinin, ato shihen si porta të rëndësishme hyrëse për të bërë biznes në Europë.
Në të njëjtën kohë, Kina po bëhet gjithnjë e më e varur ndaj importeve të energjisë ruse por edhe ushqimit.
Së fundmi, Kina ra dakord të heqë të gjithë kufizimet ndaj importeve të grurit rus, gjë që është akuzuar nga komuniteti ndërkombëtarë si një mundësi e artë për Rusinë në një kohë kur e gjithë bota po e ndëshkon atë me sanksione.
Shtëpia e Bardhë e ka akuzuar Kinën se do të përballet me ‘pasoja thelbësore’ nëse vendos t’i ofrojë mbështetje Rusisë duke shkelur sanksionet dhe mbështetur përpjekjet e saj luftarake.
Ministria e Jashtme kineze i është përgjigjur këtyre akuzave duke i quajtur përpjekjet e qeverisë amerikane si “shantazh dhe bullizim i pastër”.
Një ekspert i marrëdhënieve ruso-kineze, Jon Yan Jiang, tha se aktualisht Kina është më së shumti e fokusuar në çështjet e brendshme, që përfshijnë pandeminë, ekonominë dhe ri-kandidimin e Xi për mandatin e tij të tretë gjatë vitit 2022.
Pekini ka sugjeruar se mund të luajë një rol ndërmjetësues mes Rusisë dhe Ukrainës por nëse Kina nuk vendos të ndëshkojë Rusinë dhe e mbështet atë, shumë shpejt SHBA mund të kthehet me sanksione kundër Kinës – duke e parë atë si bashkëpunëtore direkte në luftën në Ukrainë.
Edhe pse kriza në Ukrainë ka krijuar një dilemë për Kinën, ekspertët thonë se ajo mund të ketë edhe avantazhet e veta.
Për shembull, në këtë moment Kina mund të përdorë si kapital dobësimin e Rusisë, dhe të negociojë për çmime edhe më të ulta të energjisë dhe produkteve ushqimore.
Sipas ekspertëve, Kina mund të përfitojë edhe në aspektin rajonal pasi kriza në Ukrainë e ka lëvizur fokusin e SHBA-së nga rajoni aziatiko-paqësor në një kohë kur strategjitë amerikane të Indo-Paqësorit janë parë me frikë nga Kina prej vitesh.
Kina, në fakt, mund të dalë më e fituara nga kjo situatë – me një SHBA të shpërqendruar, një rajon më pak të lidhur me perëndimin dhe një Rusi edhe më të varur prej saj.(Euronews)