Nga John Sweeney
“Newlines Mag”
Në kohën që po shkruaj këtë artikull, ushtria ruse është 21 km larg nga banesa ime mjaft e bukur Airbnb në Khreshchatyk, një nga hyrjet kryesore për në Kievit. Dushi nuk ka ujë të ngrohtë. Herë pas here ulërijnë sirenat që paralajmërojnë sulmet e reja ajrore.
Më pas dëgjohen shpërthimet e artilerisë. Por hera e fundit që u ndjeva i tmerruar ishte 3 ditë më parë. Ka ende energji elektrike, interneti funksionon ende, dhe unë kam ende mundësi të gjezdis nëpër qytet me kapuçin tim portokalli në kokë. Gjithsesi detyrohem të kaloj nëpër shumë kontrolle të Gardës Kombëtare të Ukrainës.
Por më e rëndësishmja, 22 ditë pas fillimit të luftës së presidentit rus Vladimir Putin, në Khreshchatyk nuk ka tanke ruse. Dhe kjo do të thotë se Blitzkrieg-u i Kremlinit në Kiev ka dështuar. E di që rusët janë ende atje. Javën e kaluar miku dhe bashkëpunëtori i “NewLines”, Oz Katerji, kaloi përtej pikës së fundit të kontrollit ukrainas, dhe për pak sa nuk u kap nga ushtria ruse në Irpin, një qytet i vogël në veriperëndim të periferisë së Kievit.
Katër ditë më parë, rusët vranë atje gazetarin amerikan Brent Renaud. Tre ditë më parë, një raketë vrau kameramanin irlandez Pierre Zakrzewski dhe producenten e tij ukrainase, Oleksandra Kuvshynova dhe plagosi reporterin Ben Hall.
Që të tre punonin për “Fox News”. Bllokimi i vazhdueshëm i trafikut, teksa makinat e mbushura me prindër të shqetësuar dhe fëmijë të traumatizuar hyjnë në Kievit nga territori tashmë i pushtuar, është një shenjë tjetër e qartë se rusët janë ende atje.
Por të paktën tani për tani, ushtria ruse nuk po na afrohet më, dhe kjo më bën të dyshoj se luftimet mund të kenë arritur një pikë kthese kundër makinës vrasëse të Putinit, madje më shpejt se sa mund ta imagjinojnë njerëzit. Ushtria ruse po dështon keqazi për 3 arsye kryesore:morali i dobët, korrupsioni dhe udhëheqja e keqe.
Le ta fillojmë analizën me të vrarët. Një ish-oficer i forcave speciale të ushtrisë britanike që ka qenë në Kiev këtë javë shkroi: “Ata nuk po kujdesen që të tërheqin të vrarët në radhët e tyre, dhe një ushtri që e bën këtë priret të humbasë”.
Morali i ushtarëve rusë është shumë i dobët. Dëshmia e kësaj janë kufomat e panumërta të lëna pas të ushtarëve rusë pas çdo beteje të madhe. Një britanik, që shërben prej disa vitesh në ushtrinë ukrainase, tha se 5 vjet më parë, kur rusët sulmuan në lindje, afër Donetskut, një nga ukrainasit u vra dhe trupi i tij ndodhej në pjesën midis 2 linjave të frontit.
Një oficer këmbënguli që një njësi speciale të shkonte të merrte trupin. “Pas këtij akti, morali ynë ishte shumë i fortë. Pasi e dinim se edhe nëse do të vdisnim, bashkëshortet tona do të kujdeseshin për funeralin tonë”. Ndërkohë ushtria ruse nuk shqetësohet aspak për të vrarët e saj.
E njëjta gjë vlen edhe për të plagosurit. Pesë vjet përpara pushtimit të këtij viti, kapiteni i ushtrisë amerikane Nic Fiore shkroi në një studim mbi luftën ruso-ukrainase të nisur në vitin viti 2014: “Në aspektin mjekësor, BTG-të ruse (Grupet Taktike të Batalionit) janë shumë dobët në evakuimin profesionalo-mjekësor apo trajtimin e të plagosurve në terren.
Paaftësia e tyre për t’i dhënë shpejt kujdesin e avancuar ushtarëve të plagosur, e shtoi numrin e të vdekurve për shkak të plagëve, dhe kjo pati një efekt të madh psikologjik, i bëri komandantët e tyre më të frikësuar ndaj aksioneve të reja, dhe e reduktoi aftësinë e një BTG-je për të rigjeneruar fuqi luftarake”.
Në luftë, sasia është cilësi. Rusët sulmuan Ukrainën me rreth 200.000 trupa. Por ukrainasit kanë 200.000 trupa në forcat e tyre të armatosura dhe 100.000 të tjerë në polici dhe milici të tjera të trajnuara. Këtyre duhet t’u shtohen qindra mijëra shoferë kamionësh dhe traktorësh, në mesin e shumë vullnetarëve.
Pushtuesit kanë nevojë të jenë në raportin raportin 3:1 ndaj mbrojtësve. Ndaj rusëve u duheshin afërsisht 1 milionë trupa që të kishin një shans të mirë për të fituar. Kjo është arsyeja pse po humbasin. Ukrainasit thonë se deri tani janë vrarë 13.700 rusë.
Këto shifra janë të pamundura për t’u verifikuar. Por fotot e të vdekurve dhe betejat që kanë humbur rusët, sugjerojnë se ky numër nuk është absurd. Por le të supozojmë sikur numri real i të vrarë nga ushtria ruse është 10.000. Ekziston një rregull që për çdo të vrarë ka 3 ushtarë të plagosur.
Pra mund të ketë 30.000 të plagosur ose të larguar tashmë nga fronti. Ndaj ka të ngjarë që rusët të kenë humbur 40.000 nga forcat e tyre luftarake në tre javët e para të luftës. Kjo është 1/5 e forcës me të cilën ata filluan pushtimin:një e dhënë jo e mirë për moralin e ushtrisë.
Faqja ukrainase në internet “Euromaidan Press”, ka bërë publike letra nga ushtarët rusë që kanë luftuar në luftë, ku ata refuzojnë urdhrat e eprorëve për të luftuar.
Kështu, rreshteri Sapar M.Mirapov i shkruan komandantit të Njësisë Ushtarake #61899: “Unë e konsideroj të pamundur rishpërndarjen për shkak të organizimit të dobët të njësisë, mungesës së komunikimit dhe aftësive teknike. Unë mbërrita në front pa kuptuar se çfarë po bëja atje, pa asnjë shpjegim. Nuk dua të jem mish për top”.
Njësia Ushtarake #61899 është Brigada e Pushkatarëve të Gardës së 27-të të Sevastopolit, e cila ka luftuar në luftërat në Çeçeni dhe Siri. Ndërkohë kolonel A.Yegorov, komandant i Divizionit të 9-të të motorizuar shkruante: “Ne u përballëm që në fillim me mashtrimin nga komanda dhe fshehjen e synimeve dhe detyrave të vërteta të dislokimit ushtarak. Në fakt detyrat e “stërvitjes ushtarake”, nënkuptonin një gjë krejtësisht të ndryshme…Pasi kaluam kufirin në Ukrainë, ne u bëmë një ushtri pushtuese. Këtë mund ta themi për shkak të reagimit të popullatës civile”.
Morali i ulët buron nga arsyeja e dytë e madhe e dështimit të Rusisë në këtë luftë. Komanda e lartë nuk shqetësohet aspak për fatin e popullit rus. Ajo kujdeset vetëm për paratë. Është e korruptuar. Le të kalojmë tek ushqimi i qenve. Ushtarët rusë konsumojnë racionet më të mira të mundshme ushqyese nga çdo ushtri, por ai është në fakt ushqim për qentë.
Agjencia e lajmeve “Reuters”, citon dëshminë e ish-majorit Igor Matveyev: “Është e turpshme të thuhet, por ushtarët këtu ushqeheshin me ushqim për qentë. Kutitë e ushqimit të qenve, mbuloheshin me etiketa ku shkruhej “Mish viçi i cilësisë lartë”.
Ukrainasit kanë gjetur automjete të braktisura të ushtrisë ruse me racione ushqimore që kishin skaduar të paktën 7 vite më parë. Është shumë ironik fakti që njeriu përgjegjës për ushqimin e ushtrisë, është një nga miqtë e gangsterëve të preferuar të Kremlinit, Yevgeny Prigozhin, i njohur me nofkën “kuzhinieri i Putinit”.
Me lidhje të ngushta me shërbimin sekret të ushtrisë ushtarake ruse, GRU, Prigozhin, një ish-i dënuar në kohën e Bashkimin Sovjetike, ka drejtuar edhe ekipet ruse që përhapin deinformacione në inernet por edhe njësinë mercenare vrastare, “Wagner Group”, i quajtur kështu sipas kompozitorit të preferuar të Hitlerit. Perandoria e tij financiare kontrollon mbi 90 për qind të biznesit të furnizimit me ushqim për ushtrinë ruse. Korrupsioni po e shkatërron makinerinë vrasëse të Rusisë.
Pastaj është udhëheqja e keqe. Putin filloi një luftë pa të dhëna paraprake nga shërbimet e tij sekrete. Ai nuk pa në anën tjetër të murit, dhe as nuk pyeti dikë se çfarë kishte në anën tjetër. Edhe nëse e bënte, ai që do të pyeste do të kishte frikë t’i thoshte të vërtetën: që Ukraina do të luftonte.
Putini është i paaftë për ta udhëhequr ushtrinë e tij. Ai ka një personalitet të dobët autoritar dhe ka frikë nga vdekja. Ai është shumë paranojak. Dhe paranoja e tij po e shkatërron nga brenda ushtrinë ruse. Putini është i burgosur në fortesën e tij, ashtu si Stalini. Pak para se të vdiste, Stalini shkroi: “Unë nuk i besoj askujt, madje as vetes!”. E njëjta
gjë vlen edhe për Putinin. Frika se mos plani i tij merrej vesh para kohe dhe se mund të zbulohej nga amerikanët ishte aq i madhe, sa ai nuk hartoi asnjë plan me ushtrinë. I njoftuar vetëm një ditë përpara nisjes së pushtimit, shtabi i përgjithshëm rus që në nisje ka qenë një hap pas, duke improvizuar dhe shpikur gjëra ashtu sikurse dhe është parë, duke sjellë në këtë mënyrë edhe pasoja katastrofike. Edhe gjeneralët janë emëruar në bazë të besnikërisë së tyre ndaj Kremlinit, dhe jo guximit apo kompetencës së tyre. Servilizmi është i mirë kur një ushtri nuk lufton përballë një kundërshtari të vështirë. Por ushtria ukrainase është treguar rezistentepërtej pritshmërive.
Paranoja e ka nxitur Putinin të arrestojë kreun e shërbimit të inteligjencës së jashtme të FSB-së dhe zëvendësin e tij, zyrtarisht me akuzën e “keqpërdorim të fondeve operacionale” dhe për “të dhënat e dobëta përpara pushtimit rus që tani ka ngecur”. Ndërkohë ka zëra se shefat e FSB-së po i shesin vilat e tyre në Krime.