Ballina Bota Ukraina nuk do përfundojë si Koreja, rezistenca e fortë do të kthehet...

Ukraina nuk do përfundojë si Koreja, rezistenca e fortë do të kthehet në një bumerang për Putinin

Nga Frank Ledwidge “The Conversation”

Ushtria ruse arriti një “pikë kulmore” rreth datës 20 mars. Kjo do të thoshte se me furnizimet dhe rezervat e disponueshme, ajo nuk mund të bënte më përparime të mëtejshme të rëndësishme. Veprimet lokale, si përpjekja për të marrë Mariupolin, vazhdojnë ende.

Por në të gjitha frontet e tjera kryesore, përparimi i Rusisë është frenuar në përgjithësi, për shkak të rezistencës së fortë dhe plot kompetencë të ushtrisë së Ukrainës. Rusia ka qindra mijëra trupa rezervë, por shumë pak prej tyre janë mobilizuar, dhe as ata dhe as pajisjet e tyre nuk janë gati për luftë.

Pushtimi rus ka ngecur në vend, dhe raportohet se Vladimir Putin e ka ripërcaktuar qëllimin kryesor të Rusisë, që është tashmë “ çlirimi i Donbasit ”. Ky është rajoni në lindje të Ukrainës, ku luftimet vazhdojnë që nga viti 2014, dhe ku dy republikat separatiste pro-ruse u njohën nga presidenti rus vetëm 2 ditë para pushtimit.

Shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov, deklaroi më 27 mars se Putin do të përpiqet “të organizojë territoret e pushtuara në një strukturë të vetme thuajse-shtetërore, duke u përpjekur ta pozicionojë atë kundër Ukrainës”.

Ekziston gjithnjë mundësia e mashtrimit, por për herë të parë në një luftë jo-koherente dhe të zhvilluar me shumë paaftësi në terren, ushtria ruse do të ketë një fokus të qartë. Ai do të përqendrohet në atë që ushtria ukrainase e quan “operacioni i forcave të përbashkëta” në Donbas.

Thuhet se Putin dëshiron të zbatojë në Ukrainë një skenar të ngjashëm me atë Koresë, një vend të ndarë më dysh, me zonat e reja “të çliruara” në jug dhe lindje. Kjo do të siguronte një lloj lidhjeje me një nga objektivat e tij të deklaruar fillimisht.

Por nga ana tjetër edhe heqjen dorë nga synimet e tjera për eliminimin e shtetit ukrainas dhe forcave të tij të armatosura. Atëherë çfarë pritet të ndodhë në vazhdim? Deri më tani, forcat ruse kanë kryer 3 operacione kryesisht të ndara:rreth Kievit në veri, me qendër në Kharkiv dhe në lindje, dhe aktualisht i fokusuar kryesisht në jug në Mariupol.

Në mungesë të ndonjë komande qendrore të dukshme, këto operacione kanë vuajtur për furnizimet, që janë gjithnjë e më të pakta. Tani forcat ruse ka të ngjarë të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Kievin, por jo të përpiqen ta pushtojnë atë.

Ata do të vazhdojnë sulmet e tyre kriminale ndaj civilëve atje dhe në qytete të tjera të Ukrainës. Në lindje, rusë do të përpiqen të mbajnë atë që kanë marrë deri tani, duke forcuar pozitat e tyre në tryezën e negociatave.

Në këtë mënyrë ata do të përpiqen të dëmtojnë ushtrinë ukrainase aq rëndë, sa që kjo e fundit të mos ketë mundësi të përforcojë linjat mbrojtëse në jug, dhe veçanërisht në rajonin e Donbasit. Pra sfida për Ukrainën do të jetë vazhdimi i luftës në zonën e operacionit, frenimi i rusëve në të gjitha frontet, dhe ndoshta rimarrja e territoreve aty ku do të mundet, ndoshta rreth Kievit dhe në disa pjesë të jugut të vendit.

Por sfida për rusët është edhe më e frikshme. Që nga fillimi i luftës, dhe ndoshta shumë kohë më parë, ushtria dhe agjencitë amerikane të inteligjencës kanë planifikuar një tranzicion nga lufta, në një rezistencë kombëtare më gjithëpërfshirëse.

Në vijën e parë të frontit, forcat ruse do të vazhdojnë të marrin përforcime, veçanërisht nga rekrutët e rinj që janë thirrur nën armë. Por edhe kur të mbërrijnë në front, trupat e reja nuk ka gjasa të përbëjnë njësi efektive dhe kohezive.

Mbetet për t’u parë nëse Rusia mund të zëvendësojë humbjet e saj në njerëz dhe pajisje ushtarake. Siç bëjnë gjithmonë, ushtarët rusë do të fillojnë t’u përshtaten rrethanave. Por forcat e armatosura të Ukrainës do të vazhdojnë të përfitojnë nga trajnimi dhe armatimet gjithnjë e më të mira të ofruara nga një NATO e sapo-rigjallëruar.

Për më tepër, forcat e Ukrainës kanë treguar një avantazh të konsiderueshëm në kulturën e tyre ushtarake, veçanërisht duke përdorur “komandën e misionit”. Kjo nënkupton fuqizimin dhe besimin e udhëheqësve të rinj për të zbatuar urdhrat e komandantëve, dhe për të qenë në lirë në iniciativën e tyre.

Kjo është jetike në një mjedis luftarak shumë dinamik. Qasja tradicionale ushtarake e Rusisë nga lart-poshtë nuk mund të konkurrojë me këtë qasje. Aftësia e ushtrisë ukrainase për t’u reformuar ka qenë gjithashtu e rëndësishme, duke lejuar fitimin e aftësive të reja dhe shumë efektive.

Në prapavijë, formacionet guerile të Ukrainës, do të vazhdojnë t’i shkaktojnë një dëm të madh forcave ruse. Siç e panë britanikët dhe amerikanët në Irak, edhe kur kryesisht nuk mbështeten nga fuqitë e jashtme, kjo lloj lufte mund të jetë shumë efektive.

NATO i ka vënë në zbatim leksionet nga Iraku, duke zhvilluar një mendësi të re për ngritjen e forcave efektive të rezistencës kundër forcave ruse. Agjencitë e inteligjencës ukrainase, amerikane dhe të tjera, kanë identifikuar dhe furnizuar liderët e mbrojtjes territoriale pas linjave ruse, dhe ato kanë qenë shumë efektive në ndërprerjen e linjave të furnizimit dhe logjistikës ruse.

Nëse Ukraina ndahet siç duket se ka planifikuar Vladimir Putin, ky nuk do të jetë një konflikt i ngrirë, siç është ende Koreja. Ai nuk do t’i ngjajë as Abkhazisë apo Çeçenisë, megjithëse që të dyja mbeten të trazuara, nën kontrollin e një marionete ruse si Ramzan Kadyrov në Çeçeni, dhe nën pushtimin ushtarak në rajonin separatist të Gjeorgjisë.

Edhe Lufta e Afganistanit në vitet 1980, do të dukej modeste në krahasim me këtë në Ukrainë. Gjatë viteve 1807-1814 në gadishullin Iberik, Napoleonit iu desh të luftonte kundër ushtrive spanjolle, portugeze dhe britanike, ndërsa ishte i rrethuar nga kryengritësit e kudondodhur dhe tepër të paepur.

Ai e përshkroi këtë luftë si “ulçera e tij që kullonte gjak”, duke e dëmtuar shumë në trupa dhe pajisje. Perëndimi synon që ta bëjë Ukrainën për Putinin, atë që ishte dikur Spanja për Napoleonin. Në mungesë të një zgjidhjeje të negociuar, Ukraina dhe NATO do të vazhdojnë ta godasin fort ushtrinë ruse, duke zgjatur agoninë e Rusisë në frontin ushtarak, ndërsa Perëndimi do të vazhdojë sulmin e tij paralel ndaj ekonomisë ruse.

Nëse plani i Vladimir Putinit është të vazhdojë me modelin e Koresë, ai do të dështojë. Ka më shumë gjasa që Putini të ketë vetëm një ide të kufizuar se në çfarë suituatë të keqe gjendet ushtria e tij në Ukrainë. Kështu qoftë. Ai do të mësojë shumë shpejt, se për të nuk ka tashmë asnjë rrugë drejt arritjes së një fitoreje ushtarake në Ukrainë. /abcnews.al

Shënim:Frank Ledwidge, lektor mbi kapacitetet dhe strategjitë ushtarake në Universitetin e Portsmuthit, Angli.