Nga Jeremy Fleming “Spectator”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
E besoni apo jo, por kanë kaluar 37 ditë nga momenti kur Vladimir Putin nisi një sulm të paprovokuar dhe të paramenduar ndaj Ukrainës. Ky sulm ka qenë tronditëse në çdo kuptim të kësaj fjale. Dhe nuk është aspak për t’u habitur, pasi e kemi parë edhe më herët këtë strategji. Ne pamë në fillim fotot ajrore të shërbimeve sekrete.
Tani po shohim Putinin që po përpiqet të zbatojë planin e tij. Por po dështon. Dhe Plani B i tij, ka qenë më shumë sulme barbare kundër civilëve dhe qyteteve ukrainase. Është më se e qartë se ai luan me rregulla të ndryshme morale dhe ligjore. Shumë ukrainas dhe rusë kanë humbur tashmë jetën.
Dhe përtej viktimave, shumë e shumë të tjerëve u është shkatërruar jeta. OKB-ja vlerëson se në pak më shumë se 1 muaj, më shumë se 10 milionë njerëz janë larguar tashmë nga shtëpitë e tyre. Është një krizë humanitare që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Dhe mjerisht ende nuk ka mbaruar.
Thënë këtë, gjithnjë e më shumë po vihet re se Putini nuk e ka vlerësuar ashtu siç duhet situatën. Është e qartë se ai e vlerësoi gabim rezistencën e popullit ukrainas. Ai e nënvlerësoi reagimin e koalicionit perëndimor ndaj veprimeve të tij. Nënvlerësoi pasojat ekonomike të regjimit të sanksioneve.
Po ashtu i mbivlerësoi aftësitë e ushtrisë së tij për të siguruar një fitore të shpejtë. Ne kemi parë ushtarë rusë – të keq-armatosur dhe me moralin e dobët – që refuzojnë të zbatojnë urdhrat, që sabotojnë pajisjet e tyre, madje edhe të rrëzojnë aksidentalisht avionët e tyre.
Edhe pse ne besojmë se këshilltarët e Putinit kanë frikë t’i thonë atij të vërtetën, ajo që po ndodh, dhe shkalla e këtyre gjykimeve të gabuara, duhet të jetë e qartë për regjimin. Këtë javë, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi publikisht se do të reduktojë në mënyrë drastike operacionet luftarake rreth Kievit dhe një qyteti në veri.
U duk sikur rusët ishin detyruar të bënin një ndryshim të rëndësishëm në strategjinë e tyre. Por më pas i vazhduan sulmet në të dyja këto qytete. Mesazhe të përziera apo dezinformata të qëllimshme, do të shohim në vazhdim se cila është e vërteta.
Gjithçka i shtohet llogaritjeve të gabuara strategjike, për të cilat Putin u paralajmërua nga udhëheqësit tanë perëndimorë. Kjo është bërë lufta e tij personale, me koston që po paguhet nga njerëz të pafajshëm në Ukrainë dhe gjithnjë e më shumë edhe nga rusët e zakonshëm.
Sigurisht, ironia e madhe është se me veprimet e tij, Putini ka shkaktuar pikërisht atë që po përpiqej të shmangte: një Ukrainë me një ndjenjë të ripërtërirë të kombësisë së saj, një NATO që është sot më e bashkuar se kurrë, dhe një koalicion global kombesh që i dënojnë veprimet e tij.
Pak më shumë se 1 muaj pas fillimit të luftës, është ende herët të listojmë të gjitha pasojat e kësaj krize. Por unë do të përshkruaj disa aspekte që më bien më shumë në sy. Dhe do t’ia filloj me rëndësinë që ka lufta e informacionit. Rusia shkroi manualin e luftës hibride. Mediat shtetërore, mediat online dhe agjentët e ndikimit po përdoren për të fshehur motivet reale, dhe për t’i justifikuar veprimet ushtarake. Ne i kemi parë rusët ta përdorin këtë manual edhe në Siri dhe shumë vende të tjera. Qëllimi i tyre është që të përhapin informacione të rreme.
Të mbjellim mosbesim ndaj fakteve dhe të përforcojnë narrativat e rreme. Ajo synon gjithashtu të garantojë mos-ekspozimin në mediat ruse të asaj që po ndodh realisht në Ukrainë. Ne e dimë që fushata ushtarake Putinit ka shumë probleme: moral të ulët të trupave, probleme logjistike serioze, dhe një numër të lartë viktimash.
Komanda dhe kontrolli i tyre është në kaos të plotë. Ne e kemi parë gjithashtu Putinin t’i gënjejë qytetarët e vendit të tij në një përpjekje për të fshehur paaftësinë e ushtrisë. Dhe e gjitha kjo do të thotë, se ai po tenton një kontroll brutal të medias dhe qasjes në internet.
Ai kërkon shtypjen e çdo zëri opozitar, dhe po bën investime të mëdha në propagandën shtetëror dhe shërbimet sekrete.
Por sërish i ka bërë llogaritë gabim. Lufta informative e presidentit ukrainas Zelenskyy është treguar shumë më efektive. Fushata e tij duket shumë më e zhdërvjellët, me shumë platforma, multimedia, dhe tejet e përshtatur për audienca të ndryshme.
Dhe mesazhet e tij mbështeten nga fushata informuese në të gjithë botën. Në Britani, qeveria ka nga ngritur një agjenci të posaçme që identifikon dhe kundërshton dezinformimin e Kremlinit ndaj audiencës ndërkombëtare.
Është e qartë se Rusia po përdor mercenarë dhe luftëtarë të huaj për të shtuar numrin e forcave të saj. Këtu përfshihet edhe grupit Vagner që ka qenë aktiv në Ukrainë që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Grupi funksionon si një degë në hije e ushtrisë ruse, duke u angazhua në operacionet më të rrezikshme. Në fakt këta ushtarë ka të ngjarë të përdoren si mish për top në përpjekje për të kufizuar humbjet ushtarake ruse.
Ndërkohë kemi parë grupe hakerash që janë zotuar për besnikëri ndaj të dy palëve. Kemi parë biznese në të gjithë botën që të distancohen nga ekonomia ruse. Kemi parë angazhimin e kompanive të mëdha për të siguruar funksionimin e internetit në Ukrainë, apo për të demaskuar dezinformimin.
Nga ana tjetër agresioni i Putinit e ka rigjallëruar NATO-n. Lufta ka shkaktuar një përgjigje ndërkombëtare të paprecedentë. 141 vende e dënuan atë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Vendet në të gjithë Evropën po përmbysin qasjet e tyre të vjetra disadekadëshe në politikën e mbrojtjes; duke investuar edhe më shumë në këtë sektor.
Shumë vende të tjera larg rajonit si Australia dhe Japonia janë rreshtuar kundër Rusisë.
Këto zgjedhje do të ndikojnë në rendin global për dekadat në vijim. Moska ka bërëzgjedhje strategjike duke hyrë në një alenacë të ngushtë me Pekinin, teksa ky i fundit sfidon Uashingtonin.
Në krizën aktuale, Rusia e sheh Kinën si një furnitore armësh, si një ofruese të teknologjisë, si një treg për hidrokarburet e saj, dhe si një mjet për të anashkaluar sanksionet. Ne e dimë se të dy presidentët Xi dhe Putin, i kushtojnë shumë rëndësi marrëdhënieve të tyre personale. Por llogaritjet që bën Xi janë më të nuancuara. Ai nuk e ka dënuar publikisht pushtimin, duke llogaritur që kjo situatë e ndihmon t’i kundërvihet SHBA-së. Dhe duke pasur një sy tek rimarrja e Tajvanit, Kina nuk dëshiron të bëjë asgjë që mund të kufizojë aftësinë e saj për të vepruar në të ardhmen.
Rusia e kupton se në një periudhë afatgjatë, Kina do të bëhet gjithnjë e më e fortë ushtarakisht dhe ekonomikisht. Disa nga interesat e tyre do të bien ndesh; dhe Rusia mund të nxirret jashtë ekuacionit. Dhe është po aq e qartë se një Kinë që dëshiron të diktojë rregullat për një qeverisje të re globale, nuk ndihet aq komode nga aleanca e ngushtë me një regjim që me dashje dhe në mënyrë të paligjshme i shpërfill që të gjitha normat aktuale.
Në sfondin e ndryshimeve historike, po shfaqet një arkitekturë e re e sigurisë globale. I gjithë ky ndryshim do të kërkojë dekada. Por ajo për të cilën mund të jem i qartë tani është se mënyra se si do t’i qasemi këtyre sfidave, do të jetë po aq e rëndësishme sa përgjigja jonë.
Marrë me shkurtime