Ballina Bota “Si një mi i futur në cep, Putini po humb luftën dhe...

“Si një mi i futur në cep, Putini po humb luftën dhe tani është shumë më i rrezikshëm”

Nga Andreas Kluth “Bloomberg”

Presidenti rus Vladimir Putin po dështon në mënyrë kaq spektakolare në Ukrainë, sa po e bën edhe më të rrezikshme luftën atje. Pasi i kanë mbaruar mjetet për ta de-përshkallëzuar konflikt dhe për të shpëtuar fytyrën, ai duket se mendon se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse përshkallëzimit të luftës që ka nisur.

Po si do të jetë ky përshkallëzim? Deri në çfarë limitesh do të mbërrijë? Problemi i Putinit është se dështimet e tij në këtë luftë, po bëhen shumë të dukshme sa që nuk mund të fshihet dot më edhe nga makineria propagandistike e Rusisë.

Ai e sulmoi Ukrainën pjesërisht për të parandaluar zgjerimin e NATO-s. Por në vend të kësaj, NATO do të pranojë me shumë mundësi 2 anëtarë të rinj brenda këtij viti, pikërisht si rezultat i agresionit të tij.

Ai premtoi të ribashkonte dy popullata – rusët dhe ukrainasit – të cilët ai i konsideron si një popull të vetëm. Por në vend të kësaj, masakrat e tij ndaj popullatës civile, kanë bërë që ukrainasit të ndihen përgjithmonë të dallueshëm nga rusët, dhe të vazhdojnë ta urrejnë edhe për shumë kohë të tjera Rusinë.

Ai u zotua të rivendoste madhështinë perandorake të Rusisë, por e ka kthyer atë në një vend me një imazh tejet negativ në arenën globale. Lista e dështimeve të tij është e gjatë. Por mënyra kryesore se si Putin e ka humbur luftën, është thjesht duke mos e fituar atë.

Ukrainasit po duken gjithnjë e më shumë të aftë për të mbrojtur veten kundër sulmit të tij. Dhe për ta, mos-humbja është fitore. A mund t’i mbijetojë Putin kësaj disfate? S’ka asnjë dyshim se ai po pyet veten për këtë, në kuptimin e mbijetësës politike dhe fizike.

Psikologjia ka po aq rëndësi sa edhe llogaritë. Putin e ka krahasuar dikur veten si një mi të zënë në kurth në një qoshe: në vend se të dorëzohet, miu sulmon. Me këtë fabul ai nënkupton se nuk do të tërhiqet asnjëherë. Ai gjithmonë do t`i përshkallëzojë veprimet e tij, madje edhe deri në vetë-asgjësim.

Ai filloi përshkallëzimin këtë javë, duke ndërprerë furnizimin me gaz të Polonisë dhe Bullgarisë. Ky nuk është ende një veprim ushtarak, por është i pari historik. Pasi edhe gjatë periudhave më të tensionuara të Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik nuk i përdori kurrë si një armë eksportet e tij energjitike.

Sinjali i tij është se mund të bëjë të njëjtën gjë edhe me vendet e tjera evropiane. Kjo është një luftë ekonomike. Dhe mund të vini bast se ajo do të shoqërohet edhe me një luftë kibernetike. Në aspektin ushtarak Putini i ka orientuar tashmë synimet e tij të luftës për të sulmuar një tjetër vend, Moldavinë.

Në pamundësi për ta pushtuar të gjithë Ukrainën, ai po fokusohet të kontrollojë vetëm lindjen dhe jugun e saj. Synimi më i afërt është ndërtimi i një ure tokësore ruse për të lidhur Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014, me rajonin e Donbasit që tashmë gjendet nën kontrollin e saj.

Objektivi më i madh është pushtimi i gjithë bregdetit ukrainas në Detin e Zi. Kjo do ta kthente pjesën e mbetur të Ukrainës së sunduar deri në Kiev në një shtet pa dalje në det.

Më e rëndësishmja, kjo zonë bregdetare do të lidhë zonat ukrainase nën kontrollin rus me Moldavinë.

Kjo e fundit i ngjan Gjeorgjisë, dhe në fakt edhe Ukrainës, në aspektin që Putini i ka kthyer të tria për vite me radhë në shtete me liderë pro-Moskës, që ai mund t’i kontrollojë ose t’i përmbysë sipas dëshirës. Në Gjeorgji, që nga pushtimi i tij në vitin 2008, Putini mbështet shtetet separatiste pro-ruse, Abkhazinë dhe Osetisë e Jugut.

Në Ukrainë, ai ka njohur “republikat popullore” të Luhanskut dhe Donetskut. Ekuivalenti i tyre në Moldavi është rajoni ruso-separatist i Transnistrias (që do të thotë “përtej lumit Dniestër”). Ashtu si shtetet e tjera separatiste, Transnistria është shtëpia e shumë rusëve etnikë por edhe e 1500 trupave ruse.

Ky territor mund ta ndihmojë Putinin të hapë një front tjetër lufte në Ukrainë, këtë herë nga pjesa perëndimore. Por ai mund të bëhet gjithashtu terreni për një pretekst për të sulmuar të gjithë Moldavinë, e cila ashtu si Ukraina, do të preferonte të anëtarësohej në Bashkimin Evropian.

Gjatë gjithë kësaj jave, kanë ndodhur disa sulme provokative në Transnistria. Të hënën pati sulme me granata; të martën u rrëzuan antenat e radios; dhe kështu me radhë. Qeveria moldave në Kishinau fajësoi për këto sulme separatistët rusë, ndërsa këta të fundit pretendojnë se sulmet janë kryer nga trupat ukrainase.

Për vëzhguesit e vjetër të presidentit rus, kjo narrativë tingëllon shumë e njohur. Kremlinit i pëlqen të organizojë incidente me “flamur të rremë” si pretekste për të nisur më pas sulmin e armatosur. Si hapin e tij të radhës, Putini mund të shpikë – siç bëri përpara se të pushtonte Ukrainën – rrëfime të “gjenocidit” kundër rusëve etnikë në Moldavi.

Ndërprerja e gazit për BE-në apo sulmi ndaj më shumë vendeve, do ta ndihmonte Putinin të sinjalizonte ndaj armiqve të tij të huaj dhe audiencës së brendshme se ai e ka ende në dorë përshkallëzimin e situatës, se dikton rrjedhën e ngjarjeve në terren.

Por kjo nuk do ta zhdukë problemin e tij më të madh, faktin që trupat e tij duken gjithnjë e më shumë të bllokuara në gati të gjitha frontet. Një shembull është fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol, të cilën trupat ukrainase po e mbrojnë heroikisht, edhe pse qyteti përreth është kthyer në gërmadha.

Putini është përpjekur t’i bombardojë pareshtur dhe t’i vdesë urise. Por ukrainasit janë ende atje. Çfarë mund të pritet tjetër? Këtu nisin edhe skenarët e tmerrshëm të përshkallëzimit të situatës. Putini mund të përdorë armë bërthamore kimike apo edhe taktike (pra me një rreze të kufizuar) në Azovstal apo edhe gjetkë. Ky akt do t’i jepte fund çdo lloj beteje të veçantë sipas kushteve të tij.

Por nga ana tjetër do të sinjalizonte se është i përgatitur që të rrisë rrezikun deri në nivelin ekzistencial, duke përfshirë luftën bërthamore. “Unë besoj se një sulm taktik bërthamor po merret seriozisht në konsideratë në Moskë”- thotë Oleksiy Arestovych, këshilltar ushtarak i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Sado të frikshëm që mund të jenë këta skenarë, secili do të ishte gjithashtu një shenjë e dëshpërimit në rritje të Vladimir Putinit. Edhe një sulm i kufizuar bërthamor, vetëm sa do ta dyfishonte vendosmërinë e ukrainasve dhe Perëndimit për t’i rezistuar “miut kamikaz” në Kremlin.

Edhe nëse Putini i shmanget nominalisht humbjes, çfarëdolloj fitoreje që ai do të përpiqet t’ia shesë popullit rus, nuk do të jetë asgjë e tillë. Pikërisht këtu qëndron dhe tragjedia: Atij nuk i intereson sesa jetë njerëzore merr me vete në aventurën e tij.

Në këto momente më vjen ndërmend historiani romak Taciti. Ai imagjinoi një krye-komandant kaledonian që shihte rrënojat e Britanisë pas pushtimit romak dhe thoshte:“Ata plaçkitin, rrëmbejnë dhe e quajnë atë me emrin e gënjeshtërt ‘perandori’. Ata shkatërrojnë çdo gjë dhe e quajnë “paqe”. Sot mund të jetë një kryekomandant rus që flet kështu për rusët. /abcnews.al