Ballina Top Lajm Bisedë me shkas me Prof. dr sci. Asim Izairin

Bisedë me shkas me Prof. dr sci. Asim Izairin

Prof. dr sci. Asim Izairi është lindur më 2 maj të vitit 1968, në Çegran të Gostivarit ku edhe e ka kryer arsimimin fillor. Shkollimin e mesëm – drejtimin mjekësor e ka kryer në Prishtinë.

Në Fakultetin e Mjekësisë është regjistruar në vitin shkollor 1988/89. Gjatë studimeve ka qenë në mënyrë aktive i angazhuar në punën kërkimore-shkencore të fakultetit, duke punuar tema studentore të prezentuara në shumë kongrese shkencore të studentëve. Ka diplomuar në prill të vitit 1996 në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, me notën mesatare 9.20.

Provimin shtetëror e ka dhënë në prill të vitit 1997 dhe po të njëjtin vit i ka regjistruar studimet postdiplomike në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup nga lënda e Kirurgjisë. Në maj të vitit 1997 ka filluar të punojë në I.P.Sh. “Rheuma” në Çegran, si mjek i praktikës së përgjithshme.

Specializimin nga Kirurgjia Urologjike e ka filluar në tetor të vitit 1998 dhe me sukses e ka kryer në dhjetor të vitit 2003, në Fakuletin e Mjekësisë në Shkup. Në tetor të vitit 2001 është punësuar në Repartin e Kirurgjisë Urologjike të Spitalit Klinik të Tetovës, ku vazhdon të punojë edhe sot.

Në shkurt të vitit 2008 me sukses mbrojti tezën e magjistraturës: ” Одредување на лизозим во урина како потенцијален индикатор за ренално оштетување кај болни третирани со екстракорпорална шок-бранова литотрипсија”, në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, duke marrë titullin magjistër i shkencave mjekësore. Në qershor të vitit 2013, në lëminë e hipospadiologjisë merr titullin doktor i shkencave mjekësore duke mbrojtur tezën e disertacionit ”Komparativna analiza primene longitudinalnog dorzalnog i lateroventralnog dartos flapa kod lečenja distalnih i srednjih hipospadija Snodgrass tehnikom” pranë Fakultetit të Mjekësisë në Nish, R. e Serbisë.

Pas pranimit në Spitalit Klinik të Tetovës, kandidati në mënyrë aktive është kyçur në punën profesionale dhe funksionimin e Repartit të Kirurgjisë Urologjike, duke i aplikuar të gjitha metodat më të reja të diagnostikimit dhe mjekimin kirurgjik të sëmundjeve urologjike te fëmijët dhe të rriturit. Është anëtar aktiv i Shoqatës së Urologëve Europian.

Në periudhën e viteve 2008-2015 ka qenë i angazhuar si bashkëpunëtor shkencor për lëndën e Urologjisë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore, drejtimi i Infermierisë pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, kurse nga viti 2017 e deri më tani, është i angazhuar si bashkëpunëtor shkencor për lëndën Kirurgjia I dhe II, si dhe lëndën Ndihma e Parë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore, drejtimi i Mjekësi e Përgjithshme, pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Me doktorin u takuam me shkas. Një person na shkruante dhe kërkonte me ngulm një takim. Gjatë bisedës me të ai tregoi për operacionin e ndërlikuar që I ishte bërë babait të tij nga mjeku Asim Izairi dhe stafi I tij. Ai ishte shumë mirënjohës dhe këtë dëshironte ta ndajë edhe me opinionin, për të treguar se edhe te ne ka mjek me vlera të mëdha profesionale dhe njerëzore.

Kjo është punë rutinore që e bëjmë çdo ditë, thotë mjeku kur e pyesim për rastin në fjalë. Konkretisht, prindi i Seadit erdhi me një sëmundje pak më serioze, në kuptim të asaj se bëhet fjalë për një rast specifik, fatmirësisht në një stad ku mjekësia mund ta tregonte vetveten. Me të gjitha ato inçizime që u realizuan u pa se pacientii plotësonte kriterin se mund të operohej sepse rrallëherë këto janë jo operative. U organizuam dhe ky operacion u krye me sukses, tani është në periudën postoperative, është mirë, thjeshtë edhe pak kohë i duhet të rehabilitohet, ndërkohë presim edhe rezultatin e patologjisë.

Në vazhdim mjeku tregon se regjioni jonë është i përfshirë me shfaqjen e gurëtve në veshkë. Pollogu është vend endemik. Në krahasim me regjionet e tjera të Maqedonisë, përqindja e shfaqjes së gurëve në veshkë është shumë më e madhe se sa në vendet tjera. Po jo rrallë herë ka sëmundje malinje. Këto sëmundjet malinje që janë me seriozitet ma të lartë, fatmirësisht te veshkët janë pak më të rralla, po kur paraqiten kërkojnë një qasje pak më serioze.

Përveç me veshkët, më shumë punojmë me patologjinë e traktit të poshtëm urinar, kryesisht me tumoret e fshikëzës urinare, një pjesë e tyre famirësisht janë beninje dhe arrijmë t`i menaxhojmë, një pjesë tjetër janë malinje dhe kërkojnë një trajtim plotësues ose kirurgji pak ma radikale… Patologjinë e prostatës, që është sëmudje më e shpeshtë e burrave e trajtojmë me të gjitha metodat. Me një fjalë, një pjesë e madhe e patologjive kryhen. Po ashtu kryhet edhe patologjia pediatrike, dmth e fëmijëve, që përkundër faktit që ne në Tetovë jemi urologë të specializuar për kirurgjinë e traktit urogjenital tek të rriturit, në mungesë të kirurgut pediatër ne kemi bërë edhe disa subspecializime dhe edukime që ta ushtrojnë edhe profesionin e urologjisë pediatrike, thotë mjeku Asim Izairi në vazhdim të bisedës.

Ndërsa sa u përket simptomave të sëmundjeve të veshkave, doktori shpjegon se te gurët simptoma kryesore është dhimbja që shfaqet në momentin kur guri shkëputet nga veshka, se në momentin kur krijohet nuk ka dhimbje. Kur shkëputet nga veshka dhe futet në ureter, aty fillon dhimbja sepse aty shkakton opstruksion të punës së eliminimit të urinës nga veshka në traktin e poshtëm, kurse te sëmundjet malinje simptoma e parë është prezenca e gjakut në urinë. Më e keqja është kur ndodh që paraqitja e gjakut të jetë në një stadium më të avansuar dhe kur vjen pacienti për diagnostifikim ndodh që sëmundja të ketë përparuar shumë dhe nuk ka shumë hapësirë për t`i ndihmuar.

Fatmirësisht, vazhdon mjeku Asim Izairi, veshkët kanë një rezervë të madhe. Edhe sikur deri në 90 përqind të reduktohet funksioni i tyre, pacinti mund të mos ta hetojë. Kur bie funksonimi nën 90 përqind, fillojnë të rriten vlerat e produkteve të fundit të metabolizmit dhe kjo jep simptoma që pacientin e detyrojnë t`i drejtohet mjekut. Prandaj vizitat e rregullta dhe diagnostifikimi me kohë i parandalon këto probleme me sëmundjet e veshkave.

Ky ishte një takim me shkas, kurse me mjekun u ndamë duke rënë dakord që së shpejti ta zhvillojmë një bisedë më të gjatë për sëmundjet e veshkave./Tetova News

PUBLICITET:

@tn.lajmelokale
@tetovanews