Rusia është shprehur e gatshme të negociojë me Ukrainën dhe Turqinë për eksportin e grurit, por është e paqartë se kur mund të zhvillohen bisedimet, tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.
Në një takim të ministrave të jashtëm të G20 , Lavrov gjithashtu hodhi poshtë kritikat perëndimore për luftën në Ukrainë. Në fakt, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, njoftoi dje, të enjten, përmes Twitterit se ambasadori i Turqisë në Kiev do të thirret për shpjegime.
“Na vjen keq që anija ruse Zhibek Zholy, e cila ishte plot me drithë të vjedhur ukrainas, u lejua të lundronte nga porti i Karas pavarësisht faktit se provat e paligjshmërisë iu paraqitën autoriteteve turke,” tha Nikolenko, duke e quajtur ngjarjen “të papranueshme”.
Anija ruse u largua nga porti turk i Detit të Zi të mërkurën. Të dielën, ambasadori i Ukrainës në Turqi deklaroi se autoritetet turke kishin ndaluar anijen. Kievi ka akuzuar Moskën për vjedhjen e grurit nga territoret e pushtuara nga forcat ruse pasi ato pushtuan vendin në fund të shkurtit.
Kremlini, i cili e quan pushtimin një “operacion special ushtarak”, ka mohuar akuzat për vjedhjen e grurit./abcnews.al