Ballina Bota Pas presidentit Biden, edhe zonja e parë e SHBA-ve infektohet me Covid-19

Pas presidentit Biden, edhe zonja e parë e SHBA-ve infektohet me Covid-19

Zonja e parë e SHBA-ve, Jill Biden rezultoi pozitive për COVID-19 dhe po kalon simptoma të lehta, tha Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se presidenti Joe Biden ka vazhduar të rezultojë negativ pasi u shërua së fundmi nga virusi.

Zonja e parë 71-vjeçare rezultoi negative më herët të hënën, si pjesë e rutinës së saj të rregullt të testimit, por një test PCR i marrë pasi ajo zhvilloi simptoma të ngjashme me të ftohtin doli pozitiv, tha zëdhënësja e saj Elizabeth Alexander.

Presidenti Biden do të mbajë një maskë për 10 ditë kur është brenda dhe kur është në afërsi me të tjerët, sepse ai konsiderohet një kontakt i ngushtë i zonjës së parë, sipas udhëzimeve nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Ai planifikon të kthehet në Uashington të martën për të nënshkruar një projekt-ligj historik për ndryshimet klimatike dhe kujdesin shëndetësor pasdite, përpara se të vazhdojë në shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware.

Jill Biden, e cila si bashkëshorti i saj, është vaksinuar me vaksinën Pfizer të COVID-19, do të izolohet në shtëpinë e saj të pushimeve për të paktën pesë ditë, tha zëdhënësja e saj.

Zonja e parë është aktualisht në Karolinën e Jugut, ku familja Biden ka qenë me pushime, dhe do të kthehet në shtëpi pasi të marrë dy teste të njëpasnjëshme negative për COVID. /abcnews.al