Personaliteti i shquar i letrave shqipe, Prof. Nasho Jorgaqi u nda dje nga jeta në moshën 91 vjeçare.
Ikja e tij është një lajm i trishtueshëm jo vetëm për familjen, për shokët e miqtë e tij të shumtë, por për kulturën shqiptare, sepse Nasho Jorgaqi ishte emblemë e kësaj kulture, si profesor i shquar i letërsisë, shkrimtar, publicist e përkthyes, autor i shumë veprave shkencore dhe teksteve universitare, që ka dhënë ndihmesa të vyera në përgatitjen e mësuesve dhe studiuesve të letërsisë shqipe; njëherazi biografi më i shquar i Fan Nolit.
Nasho Jorgaqi, shkrimtari dhe kulturologu ynë i shquar la pas një mal me vepra me vlerë që do të si një model i shkëlqyer i një punëtori të palodhur si krijues dhe studiues. Ai duhet nderuar maksimalisht për gjithë atë kontribut që ka dhënë për mbi 60 vjet në letrat shqipe.
Vitet e fundit ai ka qënë një nga bashkëpunëtorët më të rregullt të gazetës DITA ku shpalosi një erudicion të gjerë dhe të admirueshëm duke hedhur dritë mbi figura dhe ngjarje historike dhe kulturore.
Ishte e pamundur që çdo 30 tetor ta shmangnim telefonatat dhe shkrimet me urime të ngrohta për ditëlindjen e tij. Ato shkonin përtej një rutine apo një vizite tek shkrimtari për t’i uruar jetë të gjatë dhe krijimtari të mëtejshme.
Nasho Jorgaqi vinte shpesh, disa herë në javë, në redaksinë e DITA. Ishte dhe mbeti deri në fund një nga bashkëpunëtorët më të rregullt yni prej disa vitesh duke na sjellë pambarimisht materiale interesante për figura të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, për Fan Nolin, Faik Konicën, për arbëreshët, kujtime për bashkëkohësit shkrimtarë dhe artistë nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë moderne, të cilët ai i ka pasur miq dhe ruante kujtime të pafundme për ta.
Kolegëve të gazetës u bënte përshtypje vitaliteti i tij nga fakti volumit të punës që bënte por edhe se ai vinte vazhdimisht me biçikletë në redaksi. Gjithë jetën Profesor Nashua kish përdorur biçikletën për të shkuar në punë, për të bërë qokat te miqtë, për të kryer punët që kish për zemër, sidomos ato në fushën e krijimeve dhe studimeve.
Flitet për një krijues dhe studiues me një profil të spikatur. Në ditën e ndarjes së tij nga jeta, i përkulemi me nderim përkushtimit të tij të jashtëzakonshëm. Ai e dëshmoi atë gjatë gjithë jetës, duke lënë pas një krijimtari të bollshme dhe kualitative që do t’u shërbejnë edhe brezave të ardhshëm.
Nasho Jorgaqi meriton shumë më tepër se shkrime, ai meriton studime dhe vepra analitike për ta parë figurën e tij në shumanshmërinë që i takon një personaliteti të shquar. Sepse Nasho Jorgaqi ka individualitetin e tij të spikatur si njeri dhe si krijues me stilin e tij të veçantë dhe gjurmëlënës. Në panteonin e vërtetë të letrave shqipe nuk është e lehtë të hysh. Pavarësisht hierarkisë që pamëshirshëm vendos koha, Nasho Jorgaqi ka hyrë në atë panteon.
***
Sikurse e shkruan në jetëshkrimin e tij, profesor Nasho Jorgaqi u lind në Ballsh, më 30 tetor 1931. Kështu, ai e ndjente veten mallakastriot, po aq sa Kadri Roshi, i cili ishte me origjinë nga Libohova. Por kjo nuk është dhe aq e rëndësishme, sa fakti që ata ishin dhë mbetën figura të shquara të kulturës kombëtare…
Në biografinë letrare të Nasho Jorgaqit përfshihen shumë tituj që lexuesit i ruajnë në kujtesë si vepra që kanë pasuruar fondin e letërsisë sonë. Ndër to mund të përmendim: “Dashuria e Mimozës”, novelë – 1960, “Ëndrra dhe plagë”, novelë – 1963, “Posta e Largët”, novelë – 1968, “Qemal Stafa”, biografi – 1970, “Mërgata e Qyqeve”, roman, Vol. I, II – 1978, 1979, 2004, “Tregimet e Qemalit”, tregime për fëmijë – 1978, “Atentatori i Perandorit”, biografi -1980, “Tregimet e Pranverës”, tregime për fëmijë – 1985, “Larg dhe afër”, udhëpërshkrime dhe meditime – 1987, “Udhëve të mërgimit”, udhëpërshkrime dhe meditime – 1994, “Manastiri i dashurisë”, proza të shkurtra dhe tregime – 1995, “Ndëshkimi i Bukurisë”, proza të shkurtra dhe tregime – 1998, “Tomka” – 1968, “Poetika e dokumentit” – 1987, “Udhëtim me Fan Nolin” 1995, “Udhëtime Letrare” – 2001, etj. Etj.
Ai përgatiti dhe botoi vepra të Fan Nolit, Faik Konicës, Mitrush Kutelit, Haki Stërmillit, Lumo Skëndos, etj. Ka përkthyer vepra të Anton Çehovit, Xh. Gollsuorthit, M. Prishvinit, A. Filipit, etj.
Pse pak janë këto vepra për një autor? Ndërkohë që një autor mund të mbetet i përjetshëm qoftë edhe me një vepër, sikurse është rasti i Migjenit.
Është e pamundur të bëhet një vlerësim perfekt dhe aq më tepër definitiv për gjithë këtë krijimtari të shumëllojshme të Nasho Jorgaqit në një shkrim post mortem. Ky është thjesht një skicim i portretit të një shkrimtari dhe studiuesi me kontribute të mëdha në letrat shqipe.
Por Nasho Jorgaqi ka shkruar e punuar shumë se kështu e ka ndjerë se duhej të bënte në rrugën e krijimtarisë së tij të suksesshme. Oh, sa shumë ka shkruar Nasho Jorgaqi në jetën e tij të përkushtuar gjatë më shumë se gjashtë dhjetë vjetësh krijimtari.
Në 90 vjetorin e ditëlindjes shkrimtari Nasho Jorgaqi i befasoi bashkëkohësit kur deklaroi se sapo kish mbaruar vëllimin e katërt poetik me hajku. Sepse Nasho Jorgaqi në vite ka shkruar poezi pambarim dhe, çuditërisht ky pasion iu rigjenerua fuqishëm vitet e fundit. Kush i ka lexuar poezitë e Nasho Jorgaqit, edhe këto vëllimet poetike në stilin japonez, është ndjerë i befasuar. Ata që nuk e njihnin personalisht autorin, kujtonin se kishin të bënin me një djalosh, që këndon me gjithë afshin e zemrës për dashurinë, për regëtimat e para të rrahjes së zemrës djaloshare para një vajze të bukur, për situata magjike që besohet se Nashua i ka përjetuar intensivisht gjatë jetës së tij.
“Unë ndihem i ri se jetoj si i ri”, thoshte shpesh me shaka Nashua.
Fama e Nashos u rrit shumë sidomos pas botimit të romanit “Mërgata e qyqeve”. Ai roman i botuar në fundin e viteve ’70 të shekullit të kaluar u përpi për një të vërtetë të madhe që trajtonte mërgatën shqiptare ballisto-zogiste, për të cilët shqiptarët dinin por edhe nuk dinin shumë gjëra. Shkrimtari në këtë rast depërtoi deri në qelizat më të thella të kësaj mërgate dhe mori dëshmi në dorë të parë nga ata persona të ish-sigurimit të shtetit që punuan me ngulm për ta neutralizuar deri në mosekzistencë këtë mërgatë. Nëse ne sot kemi parti fantazma të Ballit dhe të Legalitetit, një pjesë të madhe të meritës duhet t’ia njohim shkrimtarit Nasho Jorgaqi. Ai deri në fund pati bindjen e palëkundur se kish bërë një përshkrim realist të këtij grupimi politik që gjatë luftës bashkëpunuan me pushtuesit. Nashos i vinte keq që edhe sot e kësaj dite pinjollët e ballistëve dhe zogistëve të dikurshëm pretendojnë se bashkëpunimin me pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore e bënë në emër të luftës kundër komunizmit. Këto përralla nuk i beson askush, thoshte ai, ndërsa shtonte se me këtë synim e botova sërish suksesshëm “Mërgatën…” në vitin 2004.
Një vepër e rëndësishme e Profesor Nashos ishte monografia që ai shkroi dhe botoi për Heroin e Popullit Qemal Stafa në vitin 1970, e cila mbetet edhe tani e do të shërbejë edhe në të ardhmen si libër referencial për biografët e heroit. Vitet e fundit kur në mënyrë të turpshme u bënë përpjekje për të denigruar figurën dhe aktin e rënies heroike të Qemalit, Nasho Jorgaqi deklaroi: “Qemal Stafës i rritet prestigji dhe respekti në popull çdo ditë e më shumë. Gjatë kësaj periudhe unë si biograf i Qemal Stafës kam mbledhur shumë fakte dhe dokumente të tjera që e lartësojnë më shumë figurën e këtij heroi. Po të isha pak më i ri, do ta plotësoja edhe më shumë biografinë e Qemal Stafës për ta ribotuar atë për herë të shtatë, në mënyrë që lexuesi të njihet nga afër me jetën dhe heroizmin e këtij heroi.”
Por një nga punët më të mira të Nasho Jorgaqit është fakti se ai ishtë dhe mbeti studiuesi më i mirë deri më sot i veprës së Fan Nolit. Botimi i kolanës me gjashtë vëllime të Nolit në vitet 80 të shekullit të kaluar ishte një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore. Ndërkohë që ai punonte dhe ka botuar edhe shumë studime të tjera me vlerë dhe gjurmëlënëse, sikurse janë ato për arbëreshët etj.
Me rastin e ndarjes nga jeta të Prof. Nasho Jorgaqit gazeta DITA i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij./Dita