Ka ndërruar jetë ambasadori aktual i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Berlin, Ramadan Nazifi, njofton Portalb.
Lajmin për vdekjen e ambasadorit aktual Nazifi e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e ambasadorit, Ramadan Nazifi, ambasador aktual i Maqedonisë së Veriut në Berlin, që nga viti 2019. Ramadani, me të cilin kisha krijuar një miqësi personale, ishte një diplomat i shquar dhe i përkushtuar dhe do të mbahet mend nga kolegët e tij në Ministri. Ngushëllime familjes, miqve dhe punonjësve të Ministrisë! U prehtë ne paqe!”, ka shkruar Osmani.
Ka lindur në vitin 1962 në fshatin Radushë të Shkupit. Nazifi ka diplomuar në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup në Fakultetin filologjik, drejtimi Gjuhë dhe letërsi frenge.
Karrierën diplomatike jashtë shtetit e ka filluar si atashe, gjegjlsisht sekretar i dytë në Ambasadën në Bon (1995-1999). ka qenë edhe ministër këshilltar në Ambasadën në Berlin (2004-2008). Nga viti 2009 deri në vitin 2013 e ka ushtruar funksionin ambasador i jashtëzakonshëm dhe i plotfuqishëm në Konfederatën e Zvicrës.