Të dielën e 11 shtatorit do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Suedi dhe pjesë e kësaj gare është edhe shqiptari Shaip Morina.
Morina është kryetar i një dege nga Partia Socialdemokrate në qytetin e Malmos në Suedi.
Ai, edhe në gjuhen shqipe, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të votojnë për Socialdemokratët.
“Vota juaj është e rëndësishme dhe ju do të vendosni se cila do të jetë ardhmëria juaj”, thotë Morina në një pjesë të videomesazhit të tij.
“Se si do të jenë shkollat tona, kujdesi shëndetësor, sa punonjës policie duhet të kemi dhe si duhet të përshpejtojmë ndryshimet klimatike”, janë disa nga preokupimet dhe premtimet të cilat Morina i ka prezantuar në fushatë.
Në Suedi në këto zgjedhje garohet për 349 ulëse në Kuvendin Suedez, apo në Riksdag. Më pas, përmes shumicës parlamentare zgjedhet edhe kryeministri i Suedisë. Këtë ditë do të ketë edhe zgjedhje regjionale dhe zgjedhje lokale. Shaip Morina garon për zgjedhje lokale.
Aktualisht qeverinë suedeze e udhëheqin pikërisht socialdemokratët.
Temat e përgjithshme të kampanjës kryesisht kanë qenë rreth anëtarësimit të Suedisë në NATO pas invazioni rus në Ukrainë, energjia elektrike dhe emigrantët.
Edhe në sondazhet e tanishme prinë Partia Socialdemokrate.
Në garë janë me Partinë e të Moderuarve, parti që i takon spektrit ideologjik të qendrës së djathtë, apo liberal-konservatorizmit.
Megjithatë, ky është vetëm deklarimi zyrtar i tyre, sepse politikat e tyre flasin më shumë për një parti të krahut të së djathtës ekstreme.
Prandaj, këto zgjedhje janë cilësuar si ndër më të rëndësishme në histori të vendit, pasi do të kuptohet nëse kursi i Suedisë do të jetë ai i një vendi mikpritës për migrantët dhe me politika të fuqishme sociale, apo në fuqi do të vijnë populistët e djathë që janë kundër hapjes së Suedisë.