Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Çlirim Gjata dhe Ervin Minarolli kanë mbajtur një deklaratë për media nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, pas takimit që ata patën me Drejtorin e Policisë, Muhamet Rrumbullaku, në lidhje me protestën e 6 dhjetorit.
Në fjalën e tij Gjata tha se protesta do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe askush nuk mund ta ndalojë atë, pasi këtë të drejtë e garanton Kushtetuta.
Nga ana tjetër Ervin Minarolli bëri me dije se e informuan Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë se protesta do të jetë paqësore dhe nuk do të ketë incidente.
DEKLARATA
Ervin Minarolli: Siç jeni në dijeni kemi kërkuar para shumë ditësh, një protestë opozitës në datën 6 dhjetor në orën 12:00 në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, një kërkesë e cila nuk na është plotësuar sepse duan të ndryshojnë vendndodhjen për arsye të sigurisë. Ky ishte dhe qëllimi i takimit sot me thirrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të policisë për t’u sqaruar në lidhje me këtë protestë.
Çfarë ju tha drejtori? Si e latë?
Minarolli: Argumentimi i tyre është se zona ku ne duam të bëjmë protestën është pjesë e perimetrit të sigurisë, të kërkuar nga partnerët, ndërkohë që ne i siguruam që kjo do të jetë një protestë paqësore, do të jetë një protestë mikpritëse dhe për delegacionin që ka ardhur dhe nuk do të cënojë sigurinë.
Dhe si përfundim do ta mbani protestën në datë 6 dhjetor?
Minarolli: Do ta mbajmë protestën në bulevardin e ‘Dëshmorët e Kombit’ aty ku e kemi kërkuar.
A ra dakort policia me këtë kërkesë të tuajën?
Minarolli: Nuk është pjesë për të rënë dakort policia ne kemi bërë njoftimin. Njoftimi mund ta sqarojë z.Gjata.
Çlirim Gjata: Nuk është çështje bie apo nuk bie dakort policia me këtë. E drejta e protestës e tubimit protestues është e Drejtë Kushtetuese, e ka Kushteta. Është e drejtë ligjore. E drejtë që sanksionohet nga neni 11 i Konventës Evropiane e të Drejtave të Njeriut. E ka sanksionuar Gjykata Kushtetuese, jo me vetëm me një por me tre Vendime të saj, ku përcaktohet se nuk kërkohet një leje paraprake, thjesht lajmërohet për të bërë protestë. E ka dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ajo që quhet Gjykata e Strasburgut, në shumë Vendime të saj pikërisht këtë: që e drejta e protestës bën pjesë në të Drejtën Themelore të Njeriut, pra është e drejtë bazë, e drejtë themeli. Të gjithë problemet e tjera janë probleme teknike që janë në shërbim të kësaj të drejte, në zbatim të kësaj të drejte.
Nuk mundet që problemet teknike të kapërcejnë të drejtën e protestës të Drejtën Kushtetuese që sanksionohet dhe nga aktet ndërkombëtare dhe institucionet e Bashkimit Evropian për të drejtën e protestës. Prandaj këtë gjë ne e sqaruam. Ajo që ne mund të garantojmë është se protesta e datës 6 dhjetor do të jetë paqësore, nuk do të ketë asnjë lloj problemi, është kundër qeverisë, prandaj po kërkojmë ta bëjmë aty. Ne nuk mund të bëjmë një protestë para bankës se nuk kemi protestë kundër guvernatorit të bankës, as kundër drejtorit të Muzeut Kombëtar, ne kemi protestë kundër qeverisë, për t’u treguar të gjithëve partnerëve ndërkombëtarë për korrupsionin dhe gjithë zullumin që po bën kjo qeveri.
Nëse në datën 6 dhjetor në mëngjes policia do të vendos një kordon në hyrje të bulevardit duke mos lejuar protestuesit që të afrohen tek pjesa përballë kryeministrisë, çfarë do të ndodhë?
Gjata: Policia do të jetë në thyrje të rëndë të Kushtetutës dhe të akteve ndërkombëtare për të drejtën e protestës. Do t’ju tregoj të gjithëve partnerëve ndërkombëtarë që unë nuk jam një Polici e një vendi demokratik, unë jam në shërbim të një njeriu, policia do të jetë në shkelje të gjithë atyre që thashë. Do të jetë në shërbim të pushtetit të një njeriu dhe këtë do ta kuptojmë të gjithë partnerët ndërkombëtarë që do të vijnë atë ditë. Ne do të bëjmë protestën tonë paqësore.
Nëse nuk ju lejojnë para kryeministrisë, ku do të protestoni atëherë?
Gjata: Ju thoni nëse dikush të pengon të zbatoni të Drejtën Kushtetuese, si qenka kjo punë? Të 16 llojet e sigurisë dhe të 616 llojet e sigurisë kanë detyrimin të zbatojnë kushtetutën. Kjo është ajo çfarë them.
Z.Rrumbullaku ju ka thënë jo para kryeministris, ju si do të veproni? Do çani kordonin e policisë? Do ushtroni dhunë?
Gjata: Këtë pyetje duhet t’ja bëni poliicsë dhe jo neve.Ne jemi të mbrojtur nga kushtetuta, ju më bëni pyetje mua për këtë. Dhe njëherë jemi brenda Kushtetutës, jemi brenda ligjit. Pyesni ata që duan të shkelin Kushtetutën dhe ligjet.
Nëse do të ishte kaq e thjeshtë pse ju u takuat me drejtorin e Policisë?
Gjata: Na këkruan ata, shkuam i dëgjuam dhe biseduam. këtu nuk ka asgjë të keqe. Ai është institucion në fund të fundit, shkuam dëgjuam një drejtuesin e një institucioni, na shpjegoi problemet dhe me sa vumë re nuk kishte asnjëfarë problemi, thjesht problemet janë teknike, ndërkohë që ne kemi të drejtën kushtetuese. Kaq është historia