Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka dhënë detaje shtesë nga trupi i pajetë i 16-vjeçarit që u gjet sot në Banjat e Tetovë, përcjell TV21. Nga MPB thonë se bëhet fjalë për një djalë nga Novo Sella, komuna e Zhelinës.
“Sot (22.12.2022) në ora 07:10 në ujërat e lumit Shkumbim, rrugës për në vendin e quajtur “Banjiçe” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë gjetur trupin e pa jetë e të miturit nga Novo Sella- Komuna e Zhelinës, për të cilin babai i tij J. H. (46) ka raportuar se më datë 21.12.2022 rreth orës 16:00 është larguar nga shtëpia me veturën “Audi” me targa regjistrimi të Tetovës. Më herët, rreth orës 02.20, vetura është gjetur pranë një objekti hotelierik në vendin e quajtur “Banjiçe”. Vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ekipit të Ndihmës së Shpejtë dhe me urdhër të Prokurorit Publik, trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, thonë nga SPB-Tetovë.
Nga Prokuroria thonë se bëhet fjalë për një të mitur i cili mbrëmjen e djeshme është raportuar si i zhdukur.
“Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë ka inspektuar vendin e quajtur “Banjiçe” ku në lumë është gjetur trupi i pajetë i personit 16 vjeçar. Bëhet fjalë për një person i cili rezultonte i zhdukur që nga dita e djeshme. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për obduksion të trupit të të ndjerit, si dhe për mbledhjen e të gjitha gjurmëve dhe provave për të përcaktuar shkaqet e vdekjes”, thonë nga Prokuroria.