Mes te vdekurve janë edhe zyrtarë të tjerë ndërsa 29 persona u plagosen, ngjarja po hetohet nëse është aksident apo sulm
Tetëmbëdhjetë persona, përfshirë ministrin e brendshëm të Ukrainës, zyrtarë të tjerë të lartë të ministrisë dhe tre fëmijë u vranë kur një helikopter u rrëzua pranë një çerdheje jashtë Kievit.
Guvernatori rajonal tha se 29 persona u plagosën gjithashtu, duke përfshirë 15 fëmijë, kur helikopteri u rrëzua në një zonë banimi në Brovary, në periferi verilindore të kryeqytetit. Fëmijët ishin brenda kopshtit kur helikopteri i emergjencës shtetërore u rrëzua gjatë mëngjesit.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan shtëllunga tymi të zi pasi një zjarr shpërtheu në vendin e përplasjes. Një ndërtesë u dëmtua dhe disa pemë morën flakë pasi helikopteri u rrëzua. Zjarrfikësit dhe punonjësit e urgjencës u vendosën në vendngjarje për të shuar flakët. Presidenti ukrainas Volodymr Zelenskiy e ka përshkruar rrëzimin e helikopterit në Brovary, i cili i mori jetën e ministrit të brendshëm Denys Monastyrskyi dhe disa nga ekipi i tij si një tragjedi e tmerrshme.
“Nuk dihet ende shkaku. Në kohë lufte, shumë do të dyshojnë dhe fajësojnë armikun. Por fluturimi në nivelin e ulët nga helikopterët gjithashtu sjell rreziqe”, u shpreh në Telegram Zelensky.
Helikopterët zakonisht fluturojnë ulët për të shmangur raketat e armikut tokë-ajër duke rritur kështu rrezikun e një përplasjeje me token. Autoritetet janë shprehur se është shumë herët për të diskutuar shkakun e rrëzimit të helikopterit. Një komision special për të hetuar ngjarjen është ngritur ku do të vendoset nëse ka qenë aksident, sulm me raketa ruse ose sabotazh. Denys Monastyrsky është një goditje e madhe për Ukrainën. Ai ishte një figurë e shquar në qeverinë e presidentit Volodymyr Zelensky që mori detyrën në korrik të vitit 2021 dhe drejtonte forcat ukrainase gjatë agresionit rus.
Shefja e BE-së Ursula von der Leyen, sekretarja e brendshme e Britanisë së Madhe Suella Braverman si dhe liderët e tjerë europian e përshkruan ngjarjen një tragjedi. Ndërkaq Ukraina raportoi luftime intensive gjatë natës në lindje të vendit, ku të dyja palët kanë marrë humbje të mëdha. Forcat ukrainase zmbrapsën sulmet në qytetin lindor të Bakhmut dhe fshatin Klishchiivka në jug. Kievi thotë se shpreson se armët e reja perëndimore do ta lejojnë atë të rifillojë një ofensivë për të rimarrë tokën, veçanërisht tanket e rënda që do t’u japin trupave të tij lëvizshmëri dhe mbrojtje për të kaluar nëpër linjat ruse.
A helicopter is reported to have crashed in #Brovary, #Kyiv region. pic.twitter.com/xNbhJA93ok
— NEXTA (@nexta_tv) January 18, 2023
Aleatët perëndimorë do të mblidhen të premten në një bazë ajrore amerikane në Gjermani për të premtuar më shumë armë për Ukrainën. Vëmendja përqendrohet veçanërisht te Gjermania, e cila ka të drejtën e vetos mbi çdo vendim për të dërguar tanket e saj Leopard dhe shihen gjerësisht si më të përshtatshmet për Ukrainën.