Komuna e Tetovës dje ka shpallur konkurs për përkrahje financiare të programeve dhe projekteve nga lëmia e kulturës, arsimit, sportit dhe mbrojtjes sociale në interes të qytetit të Tetovës për vitin 2023, transmeton Portalb.mk.
Sipas konkursit, përkrahja do të ofrohet për manifestimet dhe krijimtaritë kulturore, shoqëritë kulturore-artistike, debate, trajnime, prezantime, aktivitete sportive, shfaqe, turne, aktivitete edukuese nga fusha sociale dhe barazia gjinore si dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre.
“Komuna e Tetovës nga buxheti vetanak për vitin 2023 do të realizojë shpërndarjen e mjeteve financiare për shoqatat kulturore, arsimore, sportive dhe organizatat joqeveritare që veprojnë në territorin e komunës dhe që japin kontribut të veçantë në zhvillimin dhe afirmimin e komunës së Tetovës. Aplikimi për ndarjen e mjeteve financiare patjetër të dokumentohen dhe të arsyetohen detajisht nga rezultatet e arritura të deritanishme si dhe aktiviteteve që janë planifikuar për periudhën e ardhshme”, thuhet në konkursin e shpallur.
Subjektet e interesuara, së bashku me kërkesën duhet t’i dorëzojnë:
- Fletëregjistrim të subjektit;
- Dokumentacion përkatës për aktivitetet dhe sukseset e deritanishme;
- Plan-projekt për aktivitetet.
Konkursi do të zgjat 10 ditë nga dita e shpalljes, domethënë 10 ditë nga dje.
Aplikimet me dokumentacionin e nevojshëm, dorëzohen në arkivin e komunës së Tetovës rr. ”Dervish Carra” nr.68 me shenjën “Konkurs për përkrahje financiare të programeve dhe projekteve nga lëmia e kulturës, arsimit, sportit dhe mbrojtjes sociale në interes të qytetit të Tetovës për vitin 2023”, duke zgjedhur lëminë dhe pikën për cilën konkurron.
Aplikimet me të dhëna jo të plota, si dhe ata të cilat nuk do të dorëzohen në afatin e paraparë, nuk do të shqyrtohen.
Informata më të detajuara mund të gjeni duke klikuar KËTU.