Ballina Aktualitet Lajme Ish-oficeri rus e pranon: Trupat tanë torturuan ukrainasit, burrat u kërcënuan me...

Ish-oficeri rus e pranon: Trupat tanë torturuan ukrainasit, burrat u kërcënuan me përdhunim

Konstantin Yefremov, ish-oficeri më i lartë që ka folur hapur për sulmet ndaj ukrainasve, tha për BBC në një intervistë ekskluzive se Rusia tani e sheh atë si një tradhtar dhe dezertor.

Në një vend në Ukrainën jugore, ai tha se “marrjet në pyetje dhe torturat vazhduan për rreth një javë”.

Yefremov u përpoq të jepte dorëheqjen nga ushtria shumë herë, por në fund u shkarkua pasi refuzoi të kthehej në Ukrainë, ndërsa tani ka ikur nga Rusia.

Duke përdorur fotografi dhe dokumente ushtarake të ofruara nga Yefremov, BBC ka verifikuar se ai ishte në Ukrainë në fillim të luftës, në rajonin e Zaporizhzhia, duke përfshirë qytetin e Melitopol.

Ish-togeri i lartë ka pranuar të më tregojë për krimet që ka parë atje, duke përfshirë torturën dhe keqtrajtimin e të burgosurve ukrainas. Ai foli për shokët e tij që plaçkitën zonat e pushtuara të Ukrainës dhe përshkroi seancat brutale të marrjes në pyetje, të udhëhequra nga një kolonel rus, në të cilat burrat u qëlluan dhe u kërcënuan me përdhunim.

Më 10 shkurt 2022, Yefremov thotë se mbërriti në Krime, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia nëntë vjet më parë. Ai dhe njerëzit e tij u dërguan për të marrë pjesë në “stërvitjet ushtarake”, thotë ai.

“Në atë kohë askush nuk besonte se do të kishte luftë. Të gjithë mendonin se kjo ishte vetëm një stërvitje. Jam i sigurt se as oficerët e lartë nuk e dinin.”

Yefremov kujton se kishte parë trupat ruse duke ngjitur shenjat e identifikimit në uniformat e tyre dhe duke pikturuar shkronjën “Z” në pajisjet dhe automjetet ushtarake. Brenda pak ditësh, “Z” ishte bërë simboli i asaj që Kremlini e quante “operacioni i tij special ushtarak”.

“Vendosa të largohem. Shkova te komandanti im dhe i shpjegova pozicionin tim. Ai më çoi te një oficer i lartë që më quajti tradhtar dhe frikacak. Lashë armën, hipa në një taksi dhe u nisa. Doja të kthehesha në bazën time në Çeçeni dhe të jepja dorëheqjen zyrtarisht. Më pas shokët më telefonuan me një paralajmërim. Një kolonel kishte kërcënuar se do të më fuste në burg deri në 10 vjet për dezertim dhe ai kishte lajmëruar polici”.

Yefremov këmbëngul se ai është “kundër luftës”. Ai më siguron se nuk ka marrë pjesë në aneksimin e Krimesë nga Rusia, apo nuk ka luftuar në Ukrainën lindore kur shpërtheu lufta për herë të parë në Donbas nëntë vjet më parë.

“Pashë marrje në pyetje dhe tortura”

Grupi i Konstantin Yefremov u zhvendos për të ruajtur atë që ai e përshkruan si një “shtab logjistik” në prill në qytetin Bilmak, në veri-lindje të Melitopol. Atje, ai thotë se ka qenë dëshmitar i marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të burgosurve ukrainas.

Ai kujton një ditë kur u sollën tre të burgosur.

“Njëri prej tyre pranoi se ishte snajper. Me të dëgjuar këtë, koloneli rus humbi mendjen. Ai e goditi, i tërhoqi pantallonat e ukrainasit dhe e pyeti nëse ishte i martuar.

“Po,” u përgjigj i burgosuri. “Atëherë dikush të më sjellë një leckë”, tha koloneli. “Ne do të të bëjmë vajzë dhe do t’i dërgojmë gruas tënde videon”.

Një herë tjetër, thotë Yefremov, koloneli i kërkoi të burgosurit të përmendte të gjithë nacionalistët ukrainas në njësinë e tij.

“Ukrainasi nuk e kuptoi pyetjen. Ai u përgjigj se ushtarët ishin këmbësoria detare e forcave të armatosura ukrainase. Për këtë përgjigje ata i shkulën disa dhëmbë.”

Kremlini dëshiron që rusët të besojnë se, në Ukrainë, Rusia po lufton fashistët, neo-nazistët dhe ultra-nacionalistët. Ky tregim i rremë shërben për të dehumanizuar ukrainasit në sytë e publikut rus dhe ushtrisë.

Yefremov përshkruan se si koloneli dha urdhër që ukrainasve të mos u jepej ushqim normal por vetë ujë.

Gjatë një marrjeje tjetër në pyetje, Yefremov thotë se koloneli qëlloi një të burgosur në krah dhe në këmbën e djathtë nën gju. Konstantini thotë se njerëzit e tij e fashuan të burgosurin dhe shkuan te komandantët rusë dhe tha se i burgosuri duhej të shkonte në spital, përndryshe ai do të vdiste nga humbja e gjakut.

“E veshëm me uniformë ruse dhe e çuam në spital. Ne i thamë: “Mos thuaj se je rob lufte ukrainas, sepse mjekët do të refuzojnë të të trajtojnë, ose ushtarët rusë të plagosur do të dëgjojnë”.

BBC nuk ishte në gjendje të konfirmonte në mënyrë të pavarur pretendimet specifike të Konstantin Yefremov për tortura, por ato janë në përputhje me pretendimet e tjera për abuzim të të burgosurve ukrainas.

@tn.lajmelokale
@tetovanews