Dëmtimet e veshkave janë ndër patologjitë e shpeshta që hasen edhe në popullatën e vendit tonë. Mosdiagnostikimi në kohë i problemeve me veshkat, ka bërë që shumë pacientë të përballen me ndërlikime të rënda të shkaktuara nga mosfunksionimi siç duhet i veshkave. Dje në “Ditën Boterore të Veshkave”, autoritetet e shëndetit publik kanë theksuar se nuk duhet të neglizhohen kontrollet e herëshme për diagnostikimin e sëmundjes në stadet më të lehta, kur edhe trajtimet mund të jenë më efikase.
Sipas tyre, sëmundjet e veshkave janë vrasës të heshtur, të cilat mund të ndikojnë shumë në cilësinë e jetës suaj. Por, fatmirësisht ka disa mënyra për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të veshkave dhe veçanërisht kalimit të tyre në stade kronike, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.
Për shkak të kushteve të diktuara nga pandemia e Covid-19, apo edhe e fatkeqësive natyrore si tërmetet, moti i ftohtë, përmbyjtjet e tj, trajtimi i shumë prej sëmundjeve kronike, duke përfshirë edhe ato të veshkave u vështirësuan së tepërmi gjatë viteve të fundit.
Për të parandaluar dhe reduktuar në kohë ndërlikimet, duhet të kontrolloni funksionin e veshkave nëse keni një ose më shumë nga faktorët “me rrezik të lartë, siç janë rastet: kur keni diabet, hipertension, jeni obez, apo kur keni një histori familjare të sëmundjes së veshkave.
Si ndikuan pandemia e Covid-19 dhe fatkeqësitë natyrore!
Impakti i rëndësishëm i ngjarjeve katastrofike, qofshin ato në nivel lokal (tërmete, përmbytje, luftë, mot ekstrem) ose në nivel botëror (pandemia e COVID-19), ndikon në funksionimin dhe në kushtet e jetesës së komunitetit në tërësi, duke çuar në një ose më shumë nga pasojat, si: humbjet në njerëz, materiale, ekonomi dhe mjedis.
Personat që vuajnë nga sëmundjet kronike, nga të cilët pacientët me probleme në veshka përfaqësojnë më shumë se 850 milionë njerëz në mbarë botën, janë veçanërisht të prekur nga këto ngjarje, pasi aftësia për të aksesuar shërbimet, trajtimet dhe kujdesin e duhur diagnostikues është shumë e rrezikuar.
Sëmundjet jo të transmetueshme ku përfshihen: sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, kanceri, hipertensioni, sëmundjet kronike të mushkërive dhe sëmundjet kronike të veshkave, njihen si shkaktarët kryesorë të vdekjeve dhe të paaftësisë në mbarë botën, e në mënyrë të theksuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Në rast emergjencash ky grup i komunitetit është ndër më të cënuarit, për shkak të kërkesave për kujdes shëndetësor të vazhdueshëm dhe të koordinuar, kujdes, i cili shpesh është i përjetshëm dhe përfshin trajtim kompleks dhe të vazhdueshëm.
Vitet e fundit, pandemia Covid-19 tregoi një shembull të qartë të sfidave me të cilat përballen sistemet e kujdesit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve kryesore përkatëse për pacientët me sëmundjet jo të transmetueshme. Ndikimi i Covid-19 në sistemin shëndetësor ka rritur vështirësinë mbi këtë popullatë vulnerabile, të cilëve u është dashur të përballen me rrezikun e infektimit gjatë vizitës në shërbimet shëndetësore ose edhe me pezullimin/anullimin e kujdesit (për pacientët jo-Covid-19), për shkak të kufizimit apo mungesës së kapaciteteve të shërbimit shëndetësor dhe politikave të bllokimit. Shërbimet shëndetësore kanë luftuar për të siguruar akses në incidencën e vazhdueshme të rasteve të reja me sëmundjet jo të transmetueshme që kanë nevojë për diagnozë, menaxhim dhe kujdes të specializuar. Mospatja e një kure apo trajtimi aktual për të parandaluar përparimin e sëmundjes kronike të veshkave, së drejt insuficiencës së veshkave, me siguri do të rrisë nevojën në nivel botëror për trajtime të kushtueshme që shpëtojnë jetë, pra të dializës dhe transplantit.
Së fundmi, pandemia e Covid-19 përkeqësoi edhe më tej angazhimin e pamjaftueshëm politik në nivel botëror për sëmundjet jo të transmetueshme. Shpesh këto sëmundje perceptohen gabimisht si rrjedhojë e zgjedhjeve të dobëta të stilit të jetesës, me defiçite të politikave të shoqëruara nga ndarje të pamjaftueshme të fondeve për shëndetin publik që fokusohen më shumë në menaxhim sesa në parandalim, dhe vetëm për disa prej sëmundjeve jo të transmetueshme të njohura, si: sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, diabeti dhe sëmundje kronike të frymëmarrjes. Megjithatë, është vlerësuar se 55 për qind e barrës globale të këtyre patologjive, i atribuohet sëmundjeve jashtë këtij grupi, siç janë sëmundjet e veshkave. Për më tepër, barra e sëmundjeve më të favorizuara përforcohet në prani të sëmundjes së veshkave, që shpesh bashkekzistojnë. Ka nevojë urgjente për politika të shëndetit publik që pasqyrojnë më mirë mundësitë në strategjitë parandaluese dhe rëndësinë si të madhësisë dhe të aspekteve sinergjike të sëmundjes së veshkave.
Prandaj, përgatitja për ngjarje të papritura është tepër e rëndësishme për pacientët me sëmundje të veshkave. Politikëbërësit duhet të miratojnë strategji të integruara shëndetësore që kanë prioritet parandalimin, zbulimin e hershëm dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike, përfshirë sëmundjen e veshkave. Në kohë emergjence shërbimet e kujdesit shëndetësor duhet të ofrojnë akses të barabartë dhe të duhur në kujdesin për pacientët kronikë. Qeveritë duhet të përfshijnë plane gatishmërie për emergjencat në menaxhimin dhe zbulimin e sëmundjeve kronike jo të transmetueshme dhe të favorizojnë parandalimin e këtyre kushteve. Pacientët duhet të planifikojnë për emergjencat duke përgatitur një kit urgjence që përfshin ushqim, ujë, furnizime mjekësore dhe dokumente mjekësore.
Çfarë mund të bëni për veshkat tuaja?
Sëmundjet e veshkave janë vrasës të heshtur, të cilat mund të ndikojnë shumë në cilësinë e jetës suaj. Ka disa mënyra për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të veshkave. Këto mënyra kanë të bëjnë kryesisht me kujdesin në ndjekjen e stili të shëndetshëm jetese, përfshirjen e aktivitetit fizik, kujdesin për ushqimin, e veçanërisht në uljen e përdorimit të kripës, mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut, apo nivelit të sheqerit në gjak, ndalimin e duhanit, etj. Në vijim gjeni të gjitha këshillat që duhet të mbni për të mbrojtur shëndetin e veshkave tuaja.
QËNDRONI NË FORMË DHE JINI AKTIV!
Kjo mund të ndihmojë për të mbajtur një peshë trupore ideale, për të reduktuar presionin e gjakut dhe rrezikun e sëmundjes kronike të veshkave. Koncepti “Në lëvizje për shëndetin e veshkave” është një marshim kolektiv mbarëbotëror që përfshin publikun, të famshëm dhe profesionistë që lëvizin nëpër një zonë publike duke ecur, vrapuar dhe çiklizëm. Pse të mos bashkoheni me ta, me çfarëdo mjeti që preferoni!
KONSUMONI NJË DIETË TË SHËNDETSHME
Kjo mund të ndihmojë për të mbajtur një peshë ideale trupore, për të ulur presionin e gjakut, për të parandaluar diabetin, sëmundjet e zemrës dhe gjendjet e tjera që lidhen me sëmundjen kronike të veshkave. Pakësoni marrjen e kripës. Marrja e rekomanduar e natriumit është 5-6 gram kripë në ditë. Kjo përfshin kripën që ndodhet në ushqimet tuaja (rreth një lugë çaji). Për të reduktuar marrjen e kripës, përpiquni të kufizoni sasinë e ushqimit të përpunuar dhe atij të restorantit dhe mos shtoni kripë në ushqim. Do të jetë më e lehtë të kontrolloni marrjen e kripës nëse e përgatisni vetë ushqimin me përbërës të freskët.
KONTROLLONI DHE MBAJENI NË KONTROLL NIVELI E SHEQERIN NË GJAK
Rreth gjysma e njerëzve që kanë diabet nuk e dinë që kanë diabet. Prandaj, duhet të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak si pjesë e kontrollit të përgjithshëm të trupit (check up). Kjo është e rëndësishme sidomos për ata që po i afrohen moshës së mesme ose më të madhe. Rreth gjysma e njerëzve që kanë diabet zhvillojnë dëmtime të veshkave; por nëse diabeti kontrollohet mirë kjo mund të parandalohet, ose të kufizohet. Kontrolloni rregullisht funksionin e veshkave me analizate gjakut dhe të urinës.
KONTROLLONI DHE MBAJENI NËN KONTROLLON PRESIONIN E GJAKUT
Rreth gjysma e njerëzve që kanë presion të lartë të gjakut nuk e dinë se kanë presion të lartë të gjakut. Prandaj, duhet të kontrolloni presionin e gjakut si pjesë e kontrollit të përgjithshëm të trupit. Kjo është e rëndësishme sidomos për ata që po i afrohen moshës së mesme ose moshës më të madhe. Presioni i lartë i gjakut mund të dëmtojë veshkat tuaja. Kjo është e mundshme sidomos kur shoqërohet me faktorë të tjerë, si: diabeti, niveli i lartë i kolesterolit në gjak dhe sëmundjet kardio-vaskulare. Rreziku mund të reduktohet me kontroll të mirë të presionit të gjakut. Tek të rriturit niveli normal i presionit të gjakut është 120/80. Hipertensioni diagnostikohet nëse, kur matet në dy ditë të ndryshme, leximet e presionit të gjakut sistolik në të dyja ditët janë ≥140 mmHg dhe/ose leximet e presionit diastolik të gjakut në të dyja ditët janë ≥90 mmHg (OBSH). Nëse presioni juaj i gjakut është vazhdimisht i ngritur mbi kufirin normal (veçanërisht nëse jeni i ri), duhet të konsultoheni me mjekun tuaj për të diskutuar rreziqet, nevojën për modifikimin e stilit të jetesës dhe trajtimin me medikamente.
MERRNI SASINË E DUHUR TË LËNGJEVE
Për çdo individ niveli i duhur i marrjes së lëngjeve varet nga shumë faktorë duke përfshirë aktivitetin fizik, klimën, kushtet shëndetësore, shtatzëninë dhe ushqyerjen me gji. Normalisht për një person të shëndetshëm dhe në kushte klimaterike të mira rekomandohet të konsumojnë 8 filxhanë ose afërsisht 2 litra (litra) lëngje në ditë. Në kushte jo të mira klimaterike sasia e lëngjeve duhet të rregullohet nga vetë individi. Gjithashtu marrja e lëngjeve mund të duhet të rregullohet nëse keni sëmundje të veshkave, zemrës ose mëlçisë. Konsultohuni me mjekun tuaj për marrjen e duhur të lëngjeve sipas gjendjen tuaj.
MOS PINI DUHAN
Pirja e duhanit ngadalëson rrjedhjen e gjakut në veshka. Kur në veshka shkon më pak gjak, kjo gjë mund të ulë aftësinë e tyre për të funksionuar normalisht. Pirja e duhanit gjithashtu rrit rrezikun e kancerit të veshkave me rreth 50 për qind.
KUJDES ME MEDIKAMENTET ANTI-INFLAMATORE/PA RECETË KUNDËR DHIMBJEVE
Medikamentet e zakonshme anti-inflamatore jo-steroide apo qetësuesit e dhimbjeve (përshembull barnat si: ibuprofeni) mund të dëmtojnë veshkat nëse merren shpesh. Nëse keni sëmundje të veshkave ose funksion të zvogëluar të veshkave, marrja e vetëm disa dozave mund të dëmtojë veshkat tuaja. Nëse keni dyshime, konsultohuni me mjekun tuaj.