Republika e Maqedonisë së Veriut do të importojë fuqi punëtore nga vendet e tjera. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi tha se autoritetet po e shqyrtojnë mundësinë për import të fuqisë punëtore, dhe se për momentin janë duke u realizuar bisedime me odat ekonomike, për të qartësuar se në cilat fusha do të bëhet kjo.
Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike
“Ekonomia ka nevojë që disi ta mbushë atë zbrazëtirë të mungesësë së fuqisë punëtore. Fakt është që çdo ditë e më shumë kemi kompani që tregojnë se shumë rëndë gjejnë fuqi punëtore nga ajo që e ka në dispozicion në Agjencinë për Punësim ose edhe nga ata që nuk janë lajmëruar në Agjenci. Ka nevojë për import të fuqisë punëtore sepse migrimi duket hapur, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por në të gjithë Ballkanin Perëndimor edhe në Evropë”
Bytyqi foli edhe për mundësinë e ngrirjes së çmimeve të sheqerit, vezëve dhe orizit, duke sqaruar se Qeveria është duke pritur analizat zyrtare nga Ministria e Ekonomisë. Lidhur me çmimet e makaronave dhe produkteve të qumështit, të cilat nga nesër duhet të jenë me çmim më të lirë për 15 dhe 10 për qind, ai tha se tani për tani ulja e çmimeve është shumë e vogël.
Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike
“Ulja është shumë e vogël, por reagimet janë pozitive që në datën 16 mars të gjithë do të kenë tashmë çmime të ulura, sipas asaj që u përcaktua. Sigurisht që në datën 16 mars, produktet do të arrijnë çmimin që është vendosur, dhe nuk shohim se nuk ka vullnet nga ana tjetër”
Zëndëskryeministri sqaroi se vendimet për ngrirjen e çmimeve nuk janë marrë për të dëmtuar askënd, por janë për të mirën e qytetarëve.
Linda Ebibi /SHENJA/