Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është paraqitur sot me kravatë me shqiponjën dykrenare në seancën e parë gjyqësore në Gjykatën Speciale të Hagës.
Ish-zëdhënësit i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi në fjalën e tij para trupit gjykues në Hagë tha se nuk e kupton logjikën e akuzës ndaj tij.
Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka argumentuar se Prokuroria nuk ka prova për të shpallur fajtor klientin e tyre, pasi nuk gjendet asnjë lidhje me krimet e pretenduara.
Kjo pasi sipas tyre, Jakup Krasniqi nuk kishte pushtet të kontrollonte ushtarët.
Më pas, vetë Krasniqi iu drejtua trupit gjykues duke thënë se nuk ka kryer ndonjë krim, as “para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës”.
Sipas tij, deklaratat që ai ka bërë duhet që të shihen si pjesë e propagandës së luftës. Ndërsa fjalimin e mbylli me 3 luftje.
3 lutjet e tij janë: të mos keqpërdoren mendimet dhe opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës ; që shënimet e tij, që tha se kanë pasur për qëllim përshkrimet për librat e tij shkencor dhe publicistik të mos përdoren si dëshmi për veprat penale dhe që materialet të mos keqpërdoren nga ZPS-ja.
Seanca e radhës do të mbahet më 11 prill.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.
Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.
Të katërt ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.