Në seancën e radhës së Këshillit të Komunës së Tetovës, partia VMRO-DPMNE vazhdoi me shprehjen e pakënaqësisë në lidhje me pritjen e djeshme të presidentes së Kosovës në Tetovë. Ndërkaq, këshilltarët e LSDM-së propozuan që këshilli të merr vendim për ngritjen e monumentit në fshatin Vicë të Tetovës në nder të pjesëtarëve të rënë të forcave të sigurisë së RMV-së në konflikitn e vitit 2001. Lëvizja Besa dhe BDI-ja këto reagime i konsiderojnë politika të ulëta ditore, shkruan Portalb.mk.
Ka tre ditë që VMRO-ja reagon për pritjen me gjuhën dhe flamurin shqiptar të Vjosa Osmanit në Tetovë. Sipas tyre, pritja ishte skandaloze pasi billbordet e mirëseardhjes ishin vetëm në gjuhën shqipe.
“Mënyra e djeshme e pritjes së Presidentit të Kosovës nuk ishte në frymën e Marrëveshjes Kornizë. Nuk duhet harruar se Tetova është një qytet në Maqedoni, ku jetojnë maqedonas dhe etni të tjera dhe nuk duhet harruar fakti se maqedonishtja është gjuhë zyrtare në Tetovë dhe në të gjithë territorin. I nderuar kryetar (Bilall Kasami), maqedonasit në Tetovë kërkojnë zbatimin e denjë të Marrëveshjes Kornizë”, tha Angell Karapetrov, këshilltar i VMRO-së në Komunën e Tetovës.
E pasi lexuan shkrimin që e kishin përgatitur, këta këshilltarë ikën nga pyetjet e gazetarëve duke mos iu përgjigjur të njëjtave.
Me rastin e vizitës së presidentes së Republikës së Kosovës në Tetovë, para dy ditësh të rinjtë nga partia e VMRO-DPMNE-së ngjitën një pankartë në hyrje të Tetovës me mbishkrimin në gjuhën maqedonase me alfabet cirilik “Tetova (zemër) Maqedoni”. Deputetët e kësaj partie kanë komentuar se “Tetova është maqedonase” ndërsa këtë pankartë ata e ngjitën afër pankartës së ngjitur nga ana e Komunës së Tetovës ku thuhej “Mirë se vjen zonja presidente”.
Reagime për nacionalizëm për pritjen e presidentes Osmani pati edhe nga LSDM-ja.
Reagimet e VMRO-së dhe LSDM-së, kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi i cilëson të ulëta dhe që janë në dëm të qytetit.
“Unë nuk e di arsyen se pse ka pasur ankesa të tilla apo më mirë thënë pse merren me politika të ulëta ditore të cilat nuk i bëjnë mirë qytetit, nuk i bëjnë mirë vendit, na kthejnë mbas. Ajo që ne duhet të shohim është që të shohim drejt Bashkimit Evropian dhe të funksionojmë si qytet apo si shtet multietnik. Ne jo vetëm që e kemi bërë me deklaratë por e kemi dëshmuar edhe me vepra se kemi respektuar etnitë tjera, kemi përkrahur apo vlerësuar etnitë tjera që janë në Tetovë…Fakt i pamohueshëm është se Tetova është e përbërë me shumicë shqiptare, pavarësisht se dikujt kjo mund t’i dhemb apo mundet të ndihet keq, ky është një realitet i pamohueshëm”, tha Durmishi.
Edhe këshilltari komunal nga BDI-ja, Liridon Disha këto veprime të partive maqedonase i konsideroi si akte për përfitime politike.
“Ata janë parti politike të cilat marrin vendime në bazë të koordinimit të tyre brenda partiakë”, tha Disha.
Nga ana tjetër, sot, këshilltari komunal nga LSDM-ja, Gligorije Stojanovski duke u mbështetur në propozimin e ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, deklaroi se do të propozojnë që këshilli komunal i Tetovës të marrë vendim për ngritjen e monumentit në fshatin Vicë të Tetovës, për nderim të pjesëtarëve të rënë të forcave të sigurisë së Maqedonisë së Veriut në Vicë në konfliktin e vitit 2001.
“Këto ngjarje nuk duhet dhe nuk duhet të na ndajnë kundër njëri-tjetrit, duhet të kemi parasysh të kaluarën, gabimet të mos përsëriten”, tha Stojanovski.
Megjithatë, edhe pse ai propozoi që kjo pikë të futet në rend dite, e njëjta nuk kaloi. Vetëm 6 këshilltarët maqedonas votuan për, ndërkaq këshilltarët shqiptarë votuan të përmbajtur.
Kryesuesi i këshillit komunal tha se duhej që paraprakisht pika të diskutohej dhe mandej të vendosej në rend dite dhe se propozimi erdhi direkt pa mos u shqyrtuar si pikë.
Kryesuesi i këshillit komunal të Tetovës, i pyetur nga Portalb.mk tha se nuk ka pranuar ende kërkesë të tillë nga Petrovska.
“Unë nuk e kam parë. Jo, ende nuk e kam pranuar dhe nuk e kam parë këtë kërkesë, tani prej juve e marr vesh që ka një kërkesë të tillë. Do e shqyrtoj edhe normalisht ashtu siç u prononcova para mediumeve ashtu do të prononcohem edhe për këtë kërkesë”, tha Durmishi.
Për këtë pikë, kësilltari komunal nga BDI, Liridon Disha tha se ishin të përmbajtur, pasi sipas tij tani nuk është koha për të hapur plagë të vjetra.
“Mendojmë që ne si popull duhet të ecim para drejt Bashkimin Evropian, dhe këto pika të cilat ata i hapin në këshillin komunal janë çështje politike të cilat për mendimin tim nuk do të ishte mirë të hapen në këshillin komunal, sepse e dimë që këshilli komunal merret me vendime që prekin jetët e qytetarëve të Tetovës. Është mirë që këshilltarët e VRMO-së dhe LSDM-së të merren me pikat të cilat i tangojnë qytetarët e Tetovës”, tha Disha.
Përndryshe, në nismë thuhet se Ministria e Mbrojtjes është e gatshme të zbatojë procedurën dhe të përballojë kostot për projektimin dhe realizimin e këtij monumenti.