Nga Basri Kodra
Në këtë kronikë që na e shfaqi këto ditë RTK-ja, të risjellë nga Arkivi i viti 1981, na paraqitet plaku 74 vjeçar, Xhavit Burrniku nga Runjeva e Kaçanikut, me nji vepër të naltë shpëtimtare.
Ajo çka e ban këtë akt ma të veçantë asht mosha e shtyme e këtij burri i cili u zdorgj në fund të nji bunari për me shpëtue nji fëmijë fare të vogël që gati po mbytej! Domethanë, ai rrezikoi seriozisht jetën e vet për me i shpëtue jetën dikujt tjetër! Ky asht padyshim nji heroizëm i vërtetë humanitar.
Nga ana tjetër, aga Xhavit, siç thirrej prej familjarëve e të afërmve të tij ma të rij, apo, Xhaviti i Bajramit siç quhej në fshat e përreth, ose Xhavit Runeva, siç njihej ma larg asokohe, ka qenë nji njeri i njoftun e i përmendun në këto anë për humorin dhe shakatë e tij. Siç dëshmohet prej atyne që e kanë mbërri e njoftë mirë, ai kishte nji dhunti të rrallë për me i tregue ngjarjet e vërteta apo fiktive, serioze apo komike, në nji mënyrë shum artistike. Kjo aftësi gjithsesi hetohet edhe në këtë bisedë të shkurtë televizive.
Prandej RTK-ja bani mirë që na e risolli në kujtesë këtë burrë, me za dhe figurë, si dhe këtë vepër të paharrueme nga bashkëkohësit e tij, e të panjoftun prej brezave të sotëm.
Ata që i kanë ndëgjue tregimet e tij kanë mbetë gjithmonë të mahnitun nga ajo mënyrë përshkrimi, ku ai shpesh e vente edhe veten në rolin e personazhit kryesor. Kur sot dikush provon me riprodhue nji nga ato tregimet, a ‘të bamat’ e tij, qysh në fillim shtrëngohet me thanë, ‘Po unë s’un e kallxoj kurr si Ai’.
Vnone roe se si e nisë tregimin për ngjarjen në këtë filmim: “E kceva rekën e dola anena; heca hej nalt; njani po nget. – I them: Çka po nget bre! – O valla, tha, – nji gjalë kish ra n’bunar! – Mo’ bre, vallahi! …” Tue ndërtue sfondin e ngjarjes, bash si nji prozator, me nji intonacion zanor e gjeste trupore porsi nji aktor, e vizaton pamjen në mendjen e ndëgjuesit sikur në nji film.
Për këtë arsye aga Xhavit ishte shum i dashtun e i dëshiruem nëpër ndeja, në oda, darsma apo kuvende, sepse i argëtonte gjindjen me tregimet e tij artistike, ma shpesh humoristike.
Sado që disa nga ato tregime sot nuk do të kuptohen e pëlqehen nga brezat e tashëm, megjithatë do të ishte me randësi ruejtja, inçizimi e filmimi dokumentar i ndonji prej atyne tregimeve ma interesante të tij, dhe jo vetëm.
Prandej, këto lloj filmime dokumentare janë të randësishme jo vetëm për familjarët e tyne, por edhe për traditën dhe letërsinë tonë popullore dhe etnokuturën shqiptare në përgjithësi. Aty ne shohin sot se si ka ecun gjuha, kultura dhe tradita jonë, si e sa janë zhdrivillue apo janë stërkeqë ato deri më sot, e të tjera këso dore.
Jo cilido folës i sotit me shkollë do të dijë me mbyllë aq bukur rrëfimin e tij siç e përmbylli ky burrë i thjeshtë e pa shkollë atëbotë me këto fjalë plotmirënjohëse që i bunonin nga zemra: “Faleminerës edhe prej juve që keni ardhë prej Prishtine, e doni me ma qitë ket njerëzi n’dritë!”.
…
Dritë të baftë shpyrti, Xhavit Burrniku!