Të paktën 6 persona humbën jetën pasi më shumë se 70 makina u përfshinë në një aksident në një autostradë në SHBA. Sipas autoriteteve lokale në Illinois, shkak i aksidentit ishte një stuhi gjigante rëre, që uli thuajse në zero shikueshmërinë në rrugë.
Përplasjet e mjeteve njëri pas tjetrit ndodhën më 1 maj, rreth orës 11 të mëngjesit. Përveç gjashtë viktimave, 37 persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital. Sipas policisë vendase, mosha e të plagosurve varion nga 2 në 80 vjeç.
Makinat e përplasura krijuan një varg prej më shumë se 3 kilometra të gjatë dhe autostrada qëndroi e mbyllur përgjatë gjithë ditës së hënë. Sipas meteorologut të CNN, Chad Meyers, era arriti shpejtësi mbi 72 km/h çka e bënte të pamundur shikimin për metra të tërë në autostradë.
https://youtu.be/CFoMo2rBolw
Pamjet nga vendi i ngjarjes ishin vërtet dramatike, pasi disa prej mjeteve morën flakë dhe e gjithë zona u mbulua nga një re tymi ngjyrë kafe.