Ruben Saraiva, vrasësi i dyshuar i Ardian Nikulajt sapo kishte mbërritur në Marok, pasi ishte larguar nga Greqia, kur u identifikua dhe u arrestua pranë aeroportit një ditë më parë.
Detaje të tjera janë zbuluar nga ndalimi i portugezit që dyshohet se në 19 prill ekzekutoi biznesmenin Ardian Nikulaj në Shëngjin. Gazetarja Dorjana Bezat raporton se gjatë komunikimit me uniformat blu, Saraiva ka dorëzuar dokumentet me një identitet tjetër. Policia ka verifikuar se dokumentet ishin të falsifikuara dhe ka ndaluar portugezit, duke njoftuar më pas Interpol Tiranën, raporton tch.
Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Marokun, por nisur nga fakti që vrasësi nuk është shtetas maroken, shtetet mund ta kryejnë ekstradimin. Procesi mund të ndërlikohet vetëm nëse Saraiva kërkon azil. Ndërkohë mësohet se i riu kishte ndërruar look, duke prerë flokët, për të ndryshuar sado pak identitetin, për mos t’u njohur.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin të datës 26 prill ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Katër të arrestuarit disa ditë më parë në Londër, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman, ndërsa Harry Simpson është ende në arrati. Ata ranë në pranga gjatë një operacioni të koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA.