Quhej Sibora Gagani dhe u zhduk në qytetin e Torremolinos në Spanjë 9 vjet më parë, gjatë verës së vitit 2014. Në atë kohë, Gagani ishte 22 vjeç dhe punonte si kamariere në zonën e Costa del Sol. Vajza me origjinë shqiptare kishte jetuar më herët në Itali bashkë me familjen, por prej 4 vitesh, ajo ishte shpërngulur në Torremolinos me të dashurin e saj, Marco me të cilin kishte lidhje vetëm 1 vit në atë kohë.
Ky person quhet Marco Gaio, i njëjti që u arrestua të mërkurën nga Policia Kombëtare Spanjolle pasi dyshohet se vrau partneren e tij aktuale, Paula, 28 vjeç, në shtëpinë që të dy ndanin në qytezën La Carihuela. Ai e goditi vajzën 14 herë me thikë teksa ajo po bëhej gati të shkonte në punë.
Familja e Siborës, me të cilën ka folur gazeta “El Espanol” tha se e kishte mësuar arrestimin e Markos dhe thotë se “nuk ka fjalë për këtë”. Ata janë të shokuar dhe dyshojnë se Marko ka lidhje edhe me zhdukjen e Siborës. Motra e saj Kseva, e cila tashmë është në moshën kur Sibora u zhduk, siguron se nuk kanë në plan të pushojnë derisa të marrin përgjigje për pyetjet që kanë në kokë 9 vitesh.
Sibora tani do të ishte 31 vjeç. Kur u zhduk 9 vjet më parë, ajo ishte thjesht një vajzë që punonte si kamariere dhe përpiqej të gjente mundësi të reja në një vend si Spanja, ku i tha familjes se donte të martohej me partnerin e saj, megjithëse një pjesë e familjes së saj beson se ajo u largua nën presionin e Markos.
Gjatë qëndrimit në Torremolinos, ajo përdori dokumente false italiane dhe të gjithë e njihnin si Simona Faraone. Arsyeja e përdorimit të këtij dokumentacioni, sipas Etlis, një prej vëllezërve të saj ishte për shkak se i kishte skaduar leja e qëndrimit në Itali dhe kjo ka qenë edhe një arsye për largimin. “Nëse nuk gabohem, atë dokumentacion fals e kishte edhe vetë Marko”, – shpjegon ai.
“Unë mendoj se motra ime ka vdekur diku” – pranon i trishtuar Etlisi. “Unë nuk e dija atë në atë kohë, por më vonë kam mundur të zbuloj se nëna ime e dinte që Marco dhe motra ime ishin grindur shpesh” – shton ai.
Zhdukja e Siborës bëri xhiron e Italisë dhe familja e saj u përpoq të shpërndante imazhin e saj në të gjitha lajmet dhe faqet e para të gazetave kryesore të vendit. Mirëpo, në Spanjë nuk u fol aq shumë për të, pavarësisht se pikërisht aty u pa për herë të fundit, ku familja e saj pretendon se të gjithë e njihnin.
Sipas Ksevës, Marko ka telefonuar Elisabetën, nënën e Siborës, në korrik 2014. Në telefonatë, Marco e siguroi atë se vajza e tij ishte larguar pa thënë asgjë për këtë duke lënë të gjitha gjërat e saj, diçka që i befasoi shumë, pasi që Sibora nuk e kishte lënë kurrë. Ishte një vajzë rebele, por mbante kontakte me familjen thuajse çdo ditë, qoftë përmes telefonit apo internetit.
Më 7 korrik i është fikur telefoni. Dukej se Siborën e kishte gëlltitur dheu, siç kujtojnë të afërmit e saj. Bashkë me të u zhdukën edhe numri i saj i telefonit dhe rrjetet e saj sociale si Facebook, thotë Etlis, i cili siguron se Marco u tha mes lotësh, pas zhdukjes së Siborës, se nuk mund ta besonte që e kishte lënë dhe u largua pa dhënë shpjegime. “E takova muaj pasi u zhduk dhe më siguroi se nuk e kishte idenë se çfarë kishte ndodhur”, – vazhdon vëllai i Siborës.
Nëna e Siborës, Elisabetta, pranon për gazetën “El Español” se lajmi për vrasjen e Paula nga Marco e ka goditur atë “shumë keq”. Mëngjesin e së enjtes ajo shkoi në komisariat për të parë nëse mund të zbulonte diçka më shumë, por vizita nuk ishte e frytshme. E shqetësuar, ajo rrëfen se vajza e saj i kishte thënë para se të zhdukej se “Marko e kishte trajtuar keq” dhe madje i kishte thënë se “nëse do të ndërmerrte hapin për të ndërprerë lidhjen, do të detyrohej të largohej”. Në fakt, e reja, sipas familjes, kishte kërkuar të zhvendosej në një shtëpi tjetër për të jetuar vetëm. Kjo është arsyeja pse kur Sibora u zhduk, Elisabetta nuk pati frikë të fliste me Markon.
“I thashë se edhe sikur të kishte ndodhur diçka, edhe nëse do të ishte pa qëllime të këqija, ai të më thoshte. Unë nuk e shihja Markon si një person që vinte vërdallë duke vrarë dikë”, – thotë Elisabetta. Madje, vetë Marco i tha ditë pas zhdukjes, se besonte se Sibora ishte kthyer në Itali. Duke parë këmbënguljen e Elisabettës, ai këmbënguli se nuk dinte asgjë për të.
I vetmi gëzim për Elisabettën vitet e fundit ka qenë që e djali i saj e bëri gjyshe. Babai i të zhdukurës ndërroi jetë i sëmurë nga dyshimi i përjetshëm se çfarë i ndodhi vajzës së tij. Tashmë dëshirojnë vetëm që kjo ngjarje makabre të hedhë dritë edhe mbi rastin e Siborës. ©LAPSI.al