Të hënën në restaurantin/qebaptoren “Matranç” u tubuan futbollistët e gjeneratës së parë prej themelimit të Shkëndijës në vitin 1979. Takimi dhe darka e organizuar nga Harun-Bruno Ceka solli shumë nostalgji e të njejtën e respektoi pronari i kompanisë Ecolog dhe sponsor i Shkëndijës, z. Lazim Destani. Ai përmes një postimi në rrjetet sociale edhe një herë ka manifestuar respektin për gjeneratën e artë kuqezi.
“Kënaqësi e veçantë të jesh në mesin e emrave të nderuar të gjeneratës së parë të KF Shkëndija, të atyre që në vitin e largët 1979 në Tetovë e themeluan këtë klub kuqezi. Ftesën për të marrë pjesë këtu me kënaqësi e pranova nga iniciatori i këtij takimi miqësor, nga miku im Bruno Ceka, i cili në ’79-ën ishte njëri nga futbollistët e Shkëndijës.
Për mbajtjen e këtij takimi jo pa qëllim ishte zgjedhur qebaptorja ‘Matranç’, pikërisht në këtë qebaptore në vitin 1979 drejtuesit e klubit kishin mbajtur takime si dhe ishin organizuar drekat e darkat për futbollistët. Ndërsa për të qenë simbolika krejtësisht e plotë, edhe darka e takimit të mbrëmshëm ishte si ajo e ’79-tës, një ‘dhjetëshe’ (10 qebapë)!
Me këtë rast, shqiptaro-amerikanin dhe veprimtarin Bruno Ceka e falënderoj për ftesën ku kaluam një mbrëmje të bukur së bashku duke i kujtuar plot emocion ngjarjet nga ajo kohë e largët, prej para më se katër dekadash”, thuhet në postimin e z. Lazim Destani./SportMania