Familja Zogu ka hapur dyert e mortit!
Arben Zogu, 46 vjeç dhe dy djemtë e tij Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç bashkë me kushëririn e tyre, Melis Zogu, 20 vjeç u mbytën të premten në liqenin e Banjës.
Të afërm dhe miq kanë shkuar atje për ngushëllim pranë shtëpisë së tyre, në fshatin Cingar i Poshtëm.
Nga disa dëshmi, banorët kanë thënë se në liqen ka pasur rreth 10 raste të tilla, prandaj kanë bërë apel edhe ndaj strukturave shtetërore.
“Jam i shokuar. U shuan dy familje. Mbase një prej tyre nuk ka ditur not dhe janë mbytur. Ata nuk duhet të ishin larë atje, pasi ishte me gropa. E njihja 46-vjeçarin, kishte punuar më parë si kameraman”, tha një banor.
Ndërkohë një tjetër banor i zonës tregon se para dy ditësh një tjetër person u mbyt, ndërsa bëhej fjalë për një 75-vjeçar.
Gjatë ditës së sotme është planifikuar përcjellja për në banesën e fundit të 4 viktimave. Ata u dërguan fillimisht në morgun e spitalit për t’i nënshtruar një ekspertize. Pasi t’u bëhet autopsia, do të vijnë pranë familjes dhe rreth orës 17: 00 do të bëhet përcjellja e tyre në banesën e fundit.
Katër viktimat dyshohet se kanë mbytur njëri-tjetrin pasi nuk dinin not.
“Katër viktimat tërhoqën njëri-tjetrin, nuk dinin not asnjëri”, detaje nga tragjedia në Gramsh
Ilir Llapushi, shefi i zjarrfikëses në Gramsh, ka folur për mediat mbrëmjen e djeshme pas tragjedisë së rëndë ku mbetën pa jetë katër anëtarët e familjës Zogu.
Llapushi është shprehur se në liqen ka gropa të rrezikshme e që njerëzit që nuk dinë not nuk duhet të futen fare në liqen.
Ai tha se në liqen nuk mund të ketë roje pasi nuk është një ambient për t’u larë si plazhi, megjithëse dje siç tha ai qëlloi fati i keq i familjes Zogu, pasi ditët e tjera ka pasur patrulla të zjarrfikësve në liqen.
‘Ngjarja është shumë e rëndë, babai me dy djemtë e vet ka ardhur për t’u larë dhe kanë tërhequr njëri-tjetrin. Është mbytur u pari, ka shkuar për t’I ndihmuar i dyti, të tre s’kanë ditur not. Dhe u katërti nuk ka ditur not. Këtu ka pasur disa gropa që janë bërë në kohën e HEC-it të Banjës dhe janë të menjëhershme dhe ata kur janë futur për t’u larë nuk e kanë ditur. Ata kanë rënë direkt ë gropa e kanë tërhequr njëri tjetrin. Liqeni është u thellë i gjithi nuk mund të vësh tabela informuese. Faktikisht liqeni nuk është për t’u larë, nuk duhet të hyjnë njerëzit që nuk dinë not. Ne si zjarrfikës e patrullojmë dhe dje në darkë këtu kemi qenë se kemi një gomone, që patrullojmë vazhdimisht, fatkeqësisht sot nuk erdhëm, jo se do ta shpëtonim por sot nuk erdhëm e qëlloi keq për familjet e tyre. Nuk është plazh këtu që të ketë roje, këtu nuk lahet njeri fare. Një njeri që nuk di not nuk duhet të futet sidomos nëpër liqene që janë të rrezikshme.”-tha ai.