Ballina Kronika “I vranë gratë natën dhe i qanë ditën”/ Naim Murseli dhe Babis...

“I vranë gratë natën dhe i qanë ditën”/ Naim Murseli dhe Babis Anagnostopoulos, dy paralele të një krimi të inskenuar

Babis Anagnostopoulos dhe Naim Murseli krijuan një skenar filmi për të vrarë gratë e tyre dhe për ta inskenuar atë si grabitje, por duke qenë ata aktorët kryesorë.

Greku Babis Anagnostopoulos vrau bashkëshorten e tij 20-vjeçare Caroline Crouch në maj të vitit 2021 me një skenar të mirëmenduar deri në detaje, që do të frymëzonte edhe skenaristët e filmave.

Plani i tij ku përfshinte edhe shqiptarët, i mori zvarrë hetimet për muaj me radhë deri në zbulimin e të vërtetës që tronditi mbarë opinionin publik.

I pamëshirshëm, ai vrau bashkëshorten në dhomën e gjumit në banesën e tyre në Glyka Nera, në prani të vajzës vetëm 1 vjeçe, por nuk e dinte se krimi perfekt nuk ekzistonte. Psikologia e çiftit, ora që mbante në dorë viktima, dëshmitë e ndryshme dhe mospërputhja me kamerat e sigurisë çoi në zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Ai tashmë është i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa ka disa teza që mund të kenë çuar në vrasjen e bashkëshortës.
Gazetari Stefanos Chios hodhi një bombë të madhe duke publikuar dokumente audio dhe pretenduar se Caroline i kishte zbuluar të shoqit tradhtinë, një lidhje të tij me një transeksual të quajtur Emanuela. Madje dyshohet se ai furnizonte kartelat e drogës si pilot dhe kur u zbulua nga bashkëshortja, inskenoi vrasjen e saj. Madje, ai i shkoi edhe në varrim, teksa në duar mbante vajzën e vogël 1-vjeçare dhe hiqej i pikëlluar, duke fërkuar supet e familjarëve të Carolinës.

E njëjta skenë, u përsërit këto ditë në në Prishtinë. Njëjtë si çifti Babis-Caroline, edhe Naimi shfaqej i buzëqeshur në çdo fotografi me Liridonën, teksa dilnin nëpër darka dhe “club’-e për të festuar.

Shqiptari nga Kosova, Naim Murseli rezultoi të ishte porositësi i vrasjes së gruas së tij. Edhe ai kishte bërë një plan të detajuar; në një rrugë fshati vrasja do të inskenohej si grabitje, dhe ashtu ndodhi.

Pas “tragjedisë që i ndodhi” shfaqet i pikëlluar në varrimin e bashkëshortes. Ndryshe nga Babis që fërkonte supet e nënës së viktimës, Naimi mbante dorën në zemër, në respekt të personave që kishin ardhur për ta ngushëlluar për këtë humbje të madhe.

Naimi, ndoshta ka menduar se ky ishte skenari më i mirë i një vrasjeje, ndoshta rasti i Babis i ka shërbyer edhe si frymëzim, por gjithsesi këto janë vetëm hamendësime për t’i dhënë ndoshta një farë shpjegimi faktit që ai vrau bashkëshorten në sytë e dy fëmijëve të mitur, vetëm 4 dhe 6 vjeç, mbase ka menduar se kështu do ta bënte më të besueshëm alibinë e grabitjes me pasojë vrasjen e bashkëshortes.

Por fatmirësisht plani i tij çedoi dhe policisë iu deshën vetëm pak orë për ta ç’koduar gjithë skemën dhe njerëzit e përfshirë në vrasjen e 33 vjeçares Liridona Murseli; bashkëshorti Naim Murseli, nipi i tij dhe doraci që ka qëlluar mbi gruan dhe i cili deklaroi pak minuta pas arrestimit se ishte paguar 30 mijë euro për të kryer vrasjen.

Pas zbulimit të fakteve se vrasja e Liridona Murselit ishte një vrasje e paramenduar, ajo që të gjithë pyesin është çfarë e shtyu Naimin të vriste gruan.

Është ende herët për të nxjerrë në dritë arsyet. Me siguri shumë hipoteza do të hidhen për diskutim ama ajo çfarë deri tani konfirmohet është se çifti kishte pasur probleme dhe ishin në proces divorci, njësoj si çifti Babis-Carolina, fakt që u zbulua më vonë nga ditari i viktimës.

“Familja është gjithçka”, ishte fraza motivuese që mbante në profilin e saj në rrjetet sociale Liridona Murseli (Ademaj), pa e ditur se kur thoshte gjithçka nuk kishte paramenduar se dhe vdekja do t’i vinte prej njeriut me të cilin ajo kishte zgjedhur të krijonte familjen e saj.