Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të personave që pësuan lëndime nga shpërthimi i bombolës së gazit në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës.
Përmes një komunikate për media, SHSKUK-ja njofton se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po trajtohen 13 persona.
Pacientët kanë pësuar djegie të shkallës së dytë dhe të tretë në pjesë të ndryshme të trupit, teksa katër nga ta janë futur në operim.
“Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, po trajtohen 13 pacientë si pasojë e djegieve nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiç të Mitrovicës.
Pacientët pasi kishin marrë trajtimin fillestar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, janë sjellë në QKUK.
Pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.
Ekipi emergjent në përbërje të mjekëve specialistë të profileve të ndryshme dhe infermierëve po trajton që të trembëdhjetë pacientët.
Katër nga ta janë duke u operuar në sallën e operacionit”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa zëdhënësja e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, Nita Mustafa, tha se 15 persona janë dërguar në Emergjencë për tretman mjekësor, por për shkak të natyrës së lëndimeve, ku 14 nga ta janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
“15 persona kanë pranuar tretman mjekësor në Emergjencë. 14 prej tyre janë dërguar për trajtim në QKUK për shkak se kanë pasë lëndime më të rënda. Ndërsa njëri prej tyre është liruar për në shtëpi”, tha Mustafa për Sinjalin.
Ndërkohë rastin e rëndë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale, Avni Zahiti.
“Rreth orës 16:30, policia ka pranuar informatë se si pasoj e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 13 persona kanë pësuar lëndime, të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Bazuar në informatat e para dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombolë gasi“, tha Zahiti.