Ballina Top Lajm Aktorët e Kosovës pengje të policisë/ Dramaturgu: Ishin vagabondë me uniforma (VIDEO)

Aktorët e Kosovës pengje të policisë/ Dramaturgu: Ishin vagabondë me uniforma (VIDEO)

Ndodh shpesh që realiteti e kalon fantazinë artistike. Aq më tepër në Shqipëri. Aq më tepër kur policisë i kërkohet të jetë më e kujdesshme për paraqitjen në konferencë me gazetarët, se sa për identitetin e njerëzve të arrestuar.

Natën që kaloi këtë e kuptoi edhe dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj që kaloi natën nëpër komisariate bashkë me disa aktorë të tjerë, vetëm pse një prej tyre e kishte emrin Flaka. Ndodhi që policia shqiptare të ishte në pritje të një grupi trafikantësh të armëve nga Kosova, që do të kalonin në “Rrugën e Kombit” dhe që shoqëroheshin nga një vajzë me emrin Flaka. Por duket se në logjikën e policëve të Shqipërisë, të gjitha Flakat janë njësoj.

Ndalimi në Kukës

Trupa e aktorëve të Kosovës ktheheshin nga Firence pasi kishin performuar në teatrin Italian dramën “The handke project”. Ndërsa udhëtonin nga Rinasi për në Prishtinë, pranë sporteleve ku paguhet taksa 5 euro, makina u ndal nga policia për një kontroll.

“Kishin pas ndalë edhe një makinë tjetër. Edhe një tjetër. Të gjitha makinat po i filtrojnë. I dhamë dokumentat dhe na ndalën pak më gjatë” tregoi Jeton Neziraj, që i shkruajti përjetimet në një status në rrjetet sociale dhe më pas i ka shprehur në një intervistë për Nacionale.

Përpjekjet për t’i sqaruar policët se Flaka në makinën e tyre nuk ishte Flaka që kërkonin ata, nuk funksionuan. Një polic i ka hipur në makinë dhe trupa e aktorëve ka përfunduar në komisariatin e Kukësit.

I pyetur nga gazetarët e Kosovës, drejtori i policisë Tonin Vocaj ka pranuar se emri Flaka ka ngatërruar policët e tij.
“Kur është ndalu makina që ka qenë ky Luan Pira, ngjitur me makinën e tyre ka qenë kjo Flaka aktorja. Kjo ka qenë e gjithë ngatërresa. Është marrë nga Kukësi ka ardh në Tiranë. është verifiku brenda një kohe shumë të shpejtë që nuk është ajo Flakë. I kemi kërku falje për këtë por kanë qenë disa koinçidenca shumë të çuditshme” shprehet Vocaj.

Me “një kohë shumë të shpejtë” drejtori i policisë nënkupton më shumë se 10 orë në qelitë e Kukësit dhe të Tiranës.

Dramaturgu Jeton Neziraj e shoqëron rrëfimin me një buzëqeshje, por nga ato që thotë duket se ia ka kaluar si mos më keq në qelitë e paraburgimit në Kukës dhe në Tiranë.

“Ishim praktikisht të kidnapum (të marrë peng). Kur mbërritëm në oborrin e stacionit policor. Makina e policisë e bllokoi hyrjen. Ishim brenda oborrit pa informata. Na konsideronin se ata e kanë zënë grupin. Bënim përpjekje të komunikonim me ta. “Jemi artista, shfaqja, Italia. S’merrej kush me kto argumenta. Për ta ishte “E kapëm grupin e 5 kontrabanduesve të armëve”. Edhe s’kish më dialog. Me sa e kuptova, ata synimin e kishin me dalë në një konferencë të nesërmen në orën 10 me thënë “Grupi prej 5 ose kosovarëve, grupi kriminal u shthur, u zu, ja suksesi” tregoi Neziraj për Nacionale.

Qelitë e ftohta të Tiranës

Por kjo ndalesë e parë në Kukës ishte vetëm një shije e asaj që i priste më pas “grupin kriminal të aktorëve” që kishte kapur policia shqiptare. Jeton Neziraj e vazhdon rrëfimin duke treguar për ardhjen e forcave speciale në Kukës që do t’i transportonte të arrestuarit për në Tiranë.

“Më futën në një dhomë me “kolegë” të burgosur të profileve të ndryshme, hallexhi, që i kanë marrë. Erdhi dhe një tjetër në kulmin e të ftohtit se ishte vërtet ftohtë. Një dhomë në kushte mizerje higjenike dhe teknike. Kemi funksionu aty deri në 7 apo në 8” tregon artisti.

“Më vunë prangat. Përpiqesha t’i thoja “Më lironi” “M’i ke shtrëngu”. Pjesa më problematike ka qenë komunikimi me një që ja du fytyrën, por me gjasë drejtori i operacionit. Ka qenë vërtet jo më arrogant, por njeri që shkelte mbi çdo etikë profesionale. Përpjekjeve të mia që jam artis teatri m’u përgjigj me një të sharë e kshu. Ka qenë super arrogant, i ashpër, intimidues, gjuhë kërcënuese dhe fyese” rrëfeu Neziraj.

Policët i ka quajtur ndryshe “vagabondë me uniforma”. Në një përshkrim që ka bërë në rrjetet sociale ku ka rrëfyer për orët e gjata në qeli. “Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre” ka shkruar dramaturgu.

Të shpëtuar nga trafikanti i armëve

Ndoshta emrat e trupës së aktorëve të Prishtinës do të kishin përfunduar në komunikatat e policisë nëse një nga trafikantët nuk do t’i kishte shpëtuar me fjalët e tij. Absurdi qëndron në faktin se po i shpëtonte nga dhuna e policisë shqiptare.

Në momentin e përballjes me vajzën e quajtur Flaka, ai ka thënë “Jo s’është kjo. Flakë ndoshta ka emrin, por nuk është ajo Flakë”. Nga ky moment sjellja arrogante e policëve ka marrë fund dhe rruga për në shtëpi ka qenë e lirë. /Lapsi.al