Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius paralajmëroi së fundmi se vendet evropiane dhe aleanca e NATO-s duhet të përgatiten për një konflikt të gjatë me Rusinë, në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih të shtunën.
Përpjekjet për ta përfshirë Rusinë në një arkitekturë më të gjerë evropiane të sigurisë pas Luftës së Ftohtë kanë dështuar, deklaroi Pistorius në Mynih, transmeton Telegrafi.
“Të gjitha këto përpjekje bien ndesh me strategjinë e Kremlinit për të rivendosur dominimin e tij në Evropën Lindore dhe Qendrore”.
“Aleatët perëndimor duhet të qëndrojnë me vendosmëri pas Ukrainës, pa marrë parasysh për sa kohë që presidenti rus Vladimir Putin do të vazhdojë këtë luftë të paligjshme dhe të pakuptimtë kundër një kombi sovran, liridashës”, theksoi Pistorius.
“Por kjo do të thotë gjithashtu se ne do të duhet të jetojmë me vija ndarëse në Evropë për dekadat e ardhshme”, tha ministri gjerman. “Evropa e lirë dhe demokratike në njërën anë, Rusia autoritare dhe luftarake nga ana tjetër”.
Çelësi i konfliktit, theksoi Pistorius, ishte rivendosja e fuqisë ushtarake të NATO-s në Evropë për të kundërshtuar kërcënimin rus. Nuk kanë qenë paralajmërimi i parë i ministrit gjerman për kërcënimin rus, pasi javë më parë potencoi se Rusia mund të nisë një konflikt me një vend të NATO-s brenda dekadës.
Dhe ky nuk ishte paralajmërimi i vetëm. Vendet e tjera perëndimore sikurse Britania gjithashtu deklaroi se njerëzit duhet të përgatiten me një luftë gjithëpërfshirëse me Rusinë.